2 perditesime
16:31

Suspendohen dy policë për arrestimin e kameramanit

Janë suspenduar dy zyrtarë policorë e ndaj pesë të tjerëve janë iniciuar procedura të brendshme disiplinore, pas arrestimit të kameramanit të "EO'. Nëpërmjet një komunikatë bëhet e ditur se suspendimi i tyre mbështetet në udhëzimin administrativ të Policisë së Kosovës, “për shkeljet, masat dhe pro dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, me qëllim të hetimit dhe sqarimit të veprimeve dhe sjelljeve të tyre në këtë rast”.

Policia njofton se për rastin është njoftuar edhe Drejtoria e Standardeve Profesionale e PK-së dhe Inspektoriati Policor.

12:12

AKP-ja e merr nën administrim “NBI Suhareka”

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka konfirmuar se e ka marrë në administrim ndërmarrjen e re “Agrokosova Holding”, apo ish-ndërmarrjen “NBI Suhareka”.

Tani kjo ndërmarrje do të jetë nën administrim të drejtpërdrejtë të AKP-së, pasi një vendim i tillë u mor më 31 janar të këtij viti.

“Me këtë rast, Agjencia Kosovare e Privatizimit, i bën thirrje të gjithë punëtorëve aktual, të të gjitha profileve, të cilët kanë marrëdhënie pune në ndërmarrjen e re Agrokosova Holding të vazhdojnë punën dhe të mos largohen nga vendet e punës”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu, ftohen të gjithë bujqit të cilët kanë marrëdhënie kontraktuale me Agrokosovën të vazhdojnë punën. AKP zotohet se do të vazhdoj bashkëpunimin me qëllim të mbarëvajtjes së marrëdhënieve komerciale dhe zhvillimit ekonomik të komunës së Suharekës”, vijon komunikata e tyre.

AKP-ja është zotuar se me përkushtimin më të madh do të bëjë përpjekje për të ofruar zgjidhjen më të mirë për ndërmarrjen e re Agrokosova Holding (ish-NBI Suhareka).


Policia e Kosovës sot ka arrestuar edhe një kameraman të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”. Sipas raportimit të kësaj agjencie, arrestimi ka ndodhur pasi kameramani ka kërkuar nga Policia të mos ta shtyjnë sepse rrezikohen edhe pajisjet e punës.

Lidhur me arrestimin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGK), të cilët kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm. 


Kryeziu për arrestimin e kamermanit: Inspektoriati i Policisë t’i nisë hetimet

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, deklaroi se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga Inspektorati Policor të fillojë hetimet për rastin e arrestimit të kameramanit të “Ekonomia Online”, Albion Selitaj.

Ai tha se institucionet e rendit dhe ligjit kanë përgjegjësi të bëjnë punën në mënyrë profesionale, brenda kornizave ligjore dhe duke i respektuar të drejtat e secilit.

“Ato duhet të synojnë gjithmonë mirëkuptim për punën e punonjësve të mediave dhe t’ju mundësojnë hapësirë për raportim nga ngjarjet publike dhe me interes publik”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Kryeziu ka shtuar se liria e medias është vlerë themelore e demokracisë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka marrë në administrim ndërmarrjen e re “Agrokosova Holding”, apo ish-ndërmarrjen “NBI Suhareka”, derisa mediat po xhironin. Policia e arrestoi kameramanin Selitaj, me arsyetimin se po pengonte procesin.

11:49

AKP-ja me Policinë shkojnë në zyrat e “NBI Suhareka”, kundërshtohen nga pronarët

Agjencia Kosovare e Privatizimit, e shoqëruar nga Policia e Kosovës kanë shkuar në zyrat e Ndërmarrjes “Agrokosova Holding”, apo ish-ndërmarrja shoqërore “NBI Suhareka”.

Kurse nga ndërmarrja Agrokosova Holding kanë kundërshtuar ta lirojnë objektin.

Dy palët kanë pasur përplasje me fjalë.

Në këtë takim ka qenë të pranishëm edhe një numër i madh pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Pronari dhe avokati i kësaj ndërmarrjeje kanë kërkuar bazën ligjore të AKP-së për këtë veprim, por nga AKP kanë thënë se “duhet të lëshoni sallën”.

“Do të përballeni me ligjin”, ka thënë avokati i AgroKosova Holding. /EO