Arbëri

“Padia e gjykatësve që përdorën gjuhë seksiste, pa bazë juridike”

Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Organizata QIKA janë dy palë të paditura nga dy gjykatës të Gjykatës Themelore të Gjilanit pasi të njëjtit janë kritikuar për një gjuhë seksiste në një aktgjykim të tyre ndaj një rasti që kishte të bënte me veprën penale ‘dhunim”, gjë që ka nxitur edhe protesta.

Të ftuar në 60 Minuta të KTV-së, Ylli Zekaj nga IKD-ja dhe Leonita Molliqaj nga Organizata QIKA, janë deklaruar rreth kësaj padie Slap, për të cilën thonë se është padi pa asnjë bazë juridike.

Zekaj thotë se dy gjykatësit po keqpërdorin pozitën zyrtare duke përdorur institucionin ku punojnë për të ngritur padi ndaj dy organizatave, padi kjo që është private.

“Kjo hyn në radhën e padive strategjike për kundërshtimin e pjesëmarrjes publike me anë të së cilave pretendojnë ta ulin zërin e shoqërisë civile. Këta e kanë bërë një padi të tillë duke përdorur edhe presionin e Gjykatës, pra duke përdorur gjykatën për të lëshuar vendin ku punojnë për një padi private. Ky është abuzim i institucionit ku punojnë. Nëse do të ishte në bazë të detyrës zyrtare do të bëhej padia nga Gjykata. Kjo në fund do të dalë që është një padi pa asnjë bazë juridike”, ka thënë Zekaj.

Sipas tij, pretendimet e gjyqtarëve janë që ekspozimet e këtij aktgjykimi, ne kemi rënë ndesh me ligjin sa i përket ekspozimit të fotografive. Ne e kemi ekspozuar gjuhën që është përdorur dhe jo identitetin e viktimës.

“Dy gjyqtarët që kanë bërë padi, tentojnë ta heqin përgjegjësinë nga vetja duke dërguar tërë përgjegjësinë te kryetari i trupit gjykues, i cili ka bërë edhe përpilimin e aktgjykimit. Këta persona që tani janë paditës pretendojnë se nuk kanë përgjegjësi për vetë faktin që kanë marrë pjesë vetëm në trupin gjykues dhe jo në përpilimin e aktgjykimit. Këtu kemi dhe shpifjen dhe vetëpërmbajtjen e padisë pasi që ne asnjëherë nuk kemi thënë se këta kanë përpiluar padinë. Kemi ekspozuar që këta të tre kanë marrë pjesë në marrjen e vendimit për një aktgjykim të tillë”, tha më tej Zekaj.

Ndërsa, Molliqaj thotë se ende nuk e kanë pranuar një padi të tillë. Sipas saj, dy anëtarët e trupit gjykues po pretendojnë se janë të pafajshëm në aktgjykim.

“Ne ende nuk e kemi pranuar një padi. Kemi kërkuar qasje në dokumente, pra është një komunikatë e Gjykatës Themelore në Gjilan ku QIKA përveç Betimit për Drejtësi dhe IKD-së, përmendet në një vend për organizimin e një proteste para Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjatë gjithë kohës përmend faljen e trupit gjykues dhe gjykatës. Dy anëtarët e trupit gjykues janë duke pretenduar se janë të pafajshëm në aktgjykim. Ajo që ne kemi pretenduar në aksion është që Këshilli Gjyqësor i Kosovës të fillojë me masa disiplinore e me hetime ndaj tre gjyqtarëve të trupit gjykues”, ka thënë ajo, duke shtuar se që të dy gjyqtarëve u është dhënë mundësia për t’u prononcuar në lidhje me këtë aktgjykim dhe kanë thënë se as nuk e kanë lexuar padinë.

Molliqaj shton se këtë padi e sheh si një hap të këtyre personave zyrtarë për të heshtur dhe për të frikësuar aktivistët në Kosovë, se nëse kritikojnë institucionet në Kosovë ja se çfarë do të ndodhë

Të njëjtin mendim e ndan edhe Zekaj, sipas së cilit padia më shumë është tendencë për t’i frikësuar organizatat për veprimet që i kanë marrë.

Sikurse Molliqaj edhe Zekaj folën për aktgjykimin, paragrafat e të cilit i kanë quajtur “secili më banal se tjetri”, pasi sipas tyre, është përdorur një mendim patriarkal.

“Secili paragraf i arsyetimit është më banal se tjetri. Arsyetohet se e dëmtuara është duke udhëtuar me taksi me personin e gjinisë mashkullore, duke e marrë të mirëqenë se mund të ndodhë një dhunim i tillë. Secila pjesë e aktgjykimit është më skandaloze se tjetra. Ne e kemi lexuar aktakuzën, pretendimet e viktimës kanë qenë se ajo është mbajtur me dhunë dhe arsyetimet kanë qenë se njëri nga të dyshuarit nuk ka pasur asnjë pretendim për ta mbajtur me dhunë sepse ka qenë i martuar, ndërsa të tjerët nuk kanë pasur interesim për ta marrë për grua”, ka thënë Zekaj.

Nga ana tjetër Molliqaj thotë se ky është vetëm një rast dhe nuk dihet nëse në rastet tjera të trajtimit të veprave penale “dhunim”, veprojnë ndryshe institucionet, pasi që nuk ka qasje në dokumente.

“Ky është një mendim patriarkal. Ata vendosin t’i shfajësojnë 5 burra dhe akuzojnë viktimën me gjuhën që përdoret ndaj saj dhe ndaj burrave që janë të përfshirë këtu. Ne nuk e dimë për shumë raste të tjera se si veprojnë institucionet e drejtësisë me viktimat e dhunës, për shkak se nuk kemi qasje në dokumente”.