Teutë Rrusta nga Partia Socialdemokrate ka thënë se në protestën e nesërme kundër shtrenjtimin të energjisë elektrike pritet të ketë një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve.
Rrusta thotë se kjo do të jetë protesta e parë e thirrur nga PSD-ja, pasi sipas saj, deri tani kanë bërë vetëm aksione simbolike. Ajo ka paralajmëruar se protesta për këtë çështje nuk do të përfundojë vetëm të shtunën.
“Tash e sa kohë e kemi paralajmëruar protestën, kemi bo mobilizim, aktivitete të ndryshme, aksione simbolike, të gjitha me një adresë për sensibilizim të qytetarëve se çfarë do të thotë nëse ndodh kjo rritje. Sot ka qenë dita e fundit para protestës, ku kemi përgatitur parulla të ndryshme. Kemi marrë mesazhe të shumta nga qytetarë që as nuk i njohim që na mbështesin, është një vrull i madh i qytetarëve. Është hera e parë që si PSD organizojmë protestë. Mesazhet e shumta që janë t’u ardh detyrimisht kanë me u përkthye në numra protestuesish. Edhe aty ku nuk shihet protesta si metodë funksionimi, edhe aty na kanë mbështetur. Shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë shqetësimin e përafërt me ne. Protesta nuk ka autor, jemi vetëm si infrastrukturë. Kjo do të jetë protestë e vazhdueshme, nesër e ditëve të tjera”, ka thënë Rrusta në “Interaktiv” të KTV-së.
Anëtarja e PSD-së thotë se protestës së nesërme do t’i bashkohen edhe deputetë të Kuvendit, por edhe anëtar të të gjitha partive.
“Pasi i kemi caktuar datën, i kemi thënë partive opozitare që eja ta bëjmë bashke, ose bëjeni ju. Përgjigja e tyre ka qenë ajo që është në nivel partie. Partitë parlamentare opozitare janë më shumë institucionale. Ka me pas në protestë edhe deputetë, edhe anëtar të partive të ndryshme”, shtoi ajo.
Protesta e nesërme është paralajmëruar të nisë nga ora 14:00.