Arbëri

Tenderët 11 milionë eurosh të “amnistuar” nga Prokuroria

Descriptive Text

Me certifikata që dyshohet se janë falsifikuar, kompania “Beni Dona Plast” ka fituar jo vetëm tenderin për furnizimin me ushqim të shtëpive të pleqve, por edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të dy tenderët bashkë kapin vlerën e afro 11 milionë eurove. Rasti, ndonëse nga Task Forca Kundër Korrupsion e Policisë është dërguar në Prokurorinë Speciale, ai ka përfunduar te Prokuroria Themelore e Prishtinës. Themelorja fillimisht e ka mbyllur atë, për ta riiniciuar pas kërkesës së një OJQ-je për qasje në vendimin për mbyllje. Dy vjet pas, kjo çështje është ende në fazën e hetimit parapenal, që i bie se kompanisë i lejohet e drejta për të konkurruar në tenderë të tjerë. Për rastin janë të njoftuar Ministria e Drejtësisë dhe autoritetet gjermane

Dy vjet nuk i kanë mjaftuar Prokurorisë së Shtetit që ta përmbyllë hetimin e nisur nga Task Forca Kundër Korrupsion e Policisë së Kosovës ndaj kompanisë “Beni Dona Plast” për dyshimet për falsifikimin në tenderin 8 milionësh për furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Dyshimet e para se kjo kompani i ka falsifikuar ISO certifikatat e një kompanie gjermane, hetuesit e Task Focës Kundër Korrupsion i kishin dërguar në Prokurorinë Speciale.

Rastet e profilit të lartë, sipas një udhëzimi administrativ të vitit 2013, hetohen nga Prokuroria Speciale, por kjo prokurori këto dyshime i kishte deleguar në shkallë më të ulët, përkatësisht te Prokuroria Themelore në Prishtinë. Por edhe ky organ i akuzës nuk e ka shtyrë para procesin hetimor, ndonëse siç kanë treguar burimet e KOHËS, pikërisht Prokuroria ka kërkuar shkresën e Prokurorisë në Gjermani në të cilën ngrihen dyshimet për falsifikimin e certifikatave.

Ministria e Drejtësisë në dijeni të denoncimit që ka bërë kompania gjermane

Pronar i “Beni Dona Plast” është Ragip Mustafa. Sipas Agjencisë Kosovare për Regjistrimin e Biznesit, ai është pronar edhe i kompanisë “Olti Traising”. Aktivitetet kryesore të kompanisë së parë, sipas ARBK-së, janë: Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuar, ku mbizotërojnë ushqimi, pijet dhe duhani; Tregtia me pakicë e tekstileve në dyqane të specializuara; Tregtia me pakicë e mobilieve, pajisjeve të ndriçimit dhe artikujve të tjerë shtëpiakë, në dyqane të specializuara e të tjera.

Ndërsa, sipas kësaj agjencie, kompania “Olti Traising”, si aktivitete kryesore ka: Ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore; Përpunimin dhe konservimin e mishit; Prodhimin e produkteve të mishit dhe mishit të shpezëve.

Me kompaninë “Beni Dona Plast”, Ragip Mustafa ka fituar tender në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Sipas dokumenteve në e-prokurim ku paraqiten dokumentet e të gjithë tenderëve, më 19 dhjetor 2019 është publikuar njoftimi se kontrata i është dhënë “Beni Dona Plast”, me çmim prej 8.417.800.00 eurosh.

Siç kanë thënë burime të përfshira në hetim, kompanitë konkurrente kishin denoncuar në Task Forcën Kundër Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës dyshimet për falsifikim të certifikatave të kësaj kompanie. Burimet i kanë thënë KOHËS se në veçanti njëra nga kompanitë kishte kontestuar ISO certifikatat, të deponuara nga “Beni Dona Plast”.

Këto certifikata figurojnë si të lëshuar nga “Royal Cert International”. Fjala është për certifikatën ISO 22000 dhe për certifikatën ISO 9001, të cilat janë përdorur edhe në tenderin për furnizim me ushqim në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, për të cilin rast KOHA ka raportuar dje.

Për të konfirmuar nëse janë ose jo të falsifikuara këto certifikata, hetuesit e Policisë së Kosovës kishin kërkuar konfirmimin nga sistemi prokurorial në Gjermani, vendi prej nga kompania “Beni Dona” pretendonte se ka siguruar certifikatat.

Task Forca ka marrë përgjigje për këtë çështje përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Burimet kanë thënë se përmes kësaj përgjigjeje, Prokurorisë i është konfirmuar që kompania në fjalë i ka falsifikuar certifikatat, por zyrtarisht ky institucion nuk e ka treguar përmbajtjen e përgjigjes.

“Meqenëse bëhet fjalë për kërkesë të Prokurorisë, ju lutem që këto pyetje t’ia parashtroni prokurores së çështjes, pasi që Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar nuk mund të japë asnjë informacion rreth përmbajtjes, por vetëm t’iu konfirmojmë se përgjigja e autoriteteve gjermane së bashku me materialet përcjellëse posa është pranuar, e njëjta është përcjellë menjëherë te prokurorja e çështjes”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim Publik të Ministrisë së Drejtësisë.

Por, në një shkresë të kompanisë “Royal Cert International”, që e posedon KOHA, dëshmohet që kjo kompani nuk e ka certifikuar cilësinë e “Beni Dona Plast”, madje tekstualisht kanë deklaruar që këto certifikata janë të manipuluara.

“Ne kemi gjetur dy certifikata që i ka përdorur kompania juaj, që deklarojnë që ju jeni certifikuar nga ne për ISO 190001: 2015 dhe ISO 22000: 2005, të dyja të vlefshme deri më 22.05. 2019. Këto certifikata nuk janë lëshuar nga ne dhe prandaj janë të falsifikuara dhe jovalide. Ju duhet menjëherë të ndaloni përdorimin e tyre dhe t’i largoni përndryshe ne do të ndërmarrim veprime ligjore. Na informoni në 7 ditët e ardhshme në lidhje me hapat që ju keni bërë për largimin e këtyre certifikatave”, thuhet në shkresën që mban datën 7 janar të vitit 2020. Kjo shkresë është e nënshkruar nga Carolin Hofner, menaxhere operacionale në këtë kompani, ndërsa i është drejtuar kompanisë “Beni Dona Plast”.

KOHA e ka kontaktuar përmes emalit zyrtar këtë kompani, ndërsa e ka telefonuar pronarin Ragip Mustafa. Ai nuk është përgjigjur ndaj këtyre pretendimeve.

Prokuroria Themelore ka rihapur rastin më 2020 - deri tash vetëm hetim parapenal

Prokuroria Themelore fillimisht e kishte mbyllur lëndën, por e kishte rihapur sërish.

Kjo bëhet e ditur edhe nga komunikimi i një organizate joqeveritare me Prokurorinë përmes një kërkese për qasje në vendimin për mbyllje të hetimeve. Këtë komunikim e ka siguruar KOHA.

“Sa i përket rastit ‘Beni-Dona’, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka riiniciuar për ta trajtuar, kështu që ndaj të njëjtit rast janë duke u ndërmarrë veprime hetimore nga ana e prokurorit të çështjes”, thuhej në këtë përgjigje të tetorit të vitit 2020.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, edhe në janar të këtij viti ia ka konfirmuar KOHËS, që ndaj këtij rasti nuk janë mbyllur hetimet. Por, nuk kanë dhënë asnjë detaj se në çfarë faze është ky rast.

“Rastit të cilit ju keni referuar, mund t’ju njoftojmë se ndodhet në procedurë hetimore. Aktualisht, nuk mund të japim informata të tjera lidhur me këtë çështje, pasi mund ta cenojnë integritetin e hetimeve”, ka thënë përmes një përgjigjeje me shkrim, me datë 20 janar, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

E një burim i ka thënë KOHËS që para disa ditësh është ndërruar prokurorja e rastit, Mirushe Llugiqi. Prokuroria Themelore është pyetur për këtë ndryshim, por ata nuk janë përgjigjur.

KOHA e ka telefonuar Llugiqin, por as ajo nuk ka pranuar të komentojë.

“E kam një urgjencë, mos më shqetësoni”, ishte përgjigja e vetme e saj.

Nga hetuesia i kanë thënë gazetës se Ragip Mustafa është intervistuar në Policinë e Kosovës në cilësinë e të dyshuarit. Ai gjatë intervistës ka qenë i shoqëruar sipas burimeve nga avokati i tij Besnik Berisha.

Gjithë punën e këtij hetimi hetuesit e kanë përmbledhur në një kallëzim penal, të cilin e kanë dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Ky institucion nuk ka treguar nëse ende është vendosur për adresimin e këtij kallëzimi.

Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës parasheh 30 ditë kohë që të vendoset për nxjerrje të vendimit për fillim të hetimeve ose hedhjen e kallëzimit penal. Një gjë e tillë thuhet në nenin 82.

“Hedhja e kallëzimit penal të policisë: Prokurori i shtetit me aktvendim e hedh kallëzimin penal të pranuar nga policia apo burime të tjera brenda tridhjetë (30) ditëve, nëse nga raporti është i qartë se: Nuk ekziston dyshim i arsyeshëm se është kryer vepër penale, ka kaluar afati i parashkrimit për ndjekje penale; vepra penale është përfshirë me amnisti ose me falje, i dyshuari gëzon imunitet dhe heqja e tij nuk është e mundur ose nuk është miratuar nga organi kompetent; ose ekzistojnë rrethana të tjera të cilat e përjashtojnë ndjekjen”, thuhet në Kodin e Procedurës Penale.

Përderisa Prokuroria e Shtetit konfirmon këto hetime, por nuk nxjerrë aktvendim zyrtar ia mundëson kompanisë që të fitojë tenderë në vazhdimësi. Kjo meqë njëri nga kriteret që operatori ekonomik të mos përjashtohet nga procesi i tenderimit është që kundër pronarit të mos ketë hetime. E kundër pronarit të “Beni Dona Plast” tash e dy vjet ka vetëm hetim parapenal.

KOHA ka raportuar se këto certifikata, që dyshohet se janë të falsifikuara, janë përdorur edhe në një tender me vlerë të rreth 3 milionë eurove të Agjencisë Qendrore të Prokurimit.

Siç ka thënë një sinjalizues, hetuesit e Policisë së Kosovës edhe për këtë rast kanë kërkuar vendim nga Prokuroria Speciale që rasti të hetohet, por kjo prokurori ende nuk e ka dhënë një autorizim të tillë.

“Për punën e AQP-së, hetuesit e Policisë së Kosovës kanë dërguar raport informues në Prokurorinë Speciale dhe janë në pritje nëse kjo prokurori do të vendosë ose jo për hetim”, ka deklaruar ky burim.

KOHA ka një javë që e ka pyetur Prokurorinë Speciale për këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur. Fillimisht i ka drejtuar pyetje Zyrës për Informim në këtë institucion, por nga kjo zyrë kanë thënë që prokurori i rastit ende nuk është përgjigjur.

E kur KOHA e ka telefonuar drejtpërdrejt prokurorin Milot Krasniqi, ai ka thënë se nuk i ka pranuar fare këto pyetje nga Zyra për Informim.

Në mënyrë të përgjithshme, për të dyja hetimet ka folur Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Secili që ka shkelur ligjet e këtij shteti do të ballafaqohet me drejtësinë. Ndërsa përgjigja e plotë në pyetjet tuaja do të ishte e mundur pasi që të përfundojnë hetimet”, ka thënë Astrit Kolaj, zëdhënës në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Por ky institucion nuk ka treguar për zvarritjen e rasteve edhe pas konfirmimeve që certifikatat ishin të falsifikuara.

Mashtrimi në prokurim publik nuk është i rrallë. Mosefikasiteti i hetuesisë dhe gjyqësorit pati bërë që në vitin 2019, kur ishte në amendamentim Kodi Penal i Kosovës kjo të futej si vepër penale e veçantë.

“Kushdo që me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, marrëveshje të fshehtë kundërligjore apo ndërmerr ndonjë veprim tjetër të paligjshëm me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, dënohet me gjobë dhe burgim deri në pesë (5) vjet”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 415 të Kodit Penal.

E në rast që mashtrimi bëhet për vlera mbi 5 mijë euro, siç pretendohet të këtë ndodhur edhe në këta dy tenderë, që së bashku mbërrijnë shumën e 11 milionë eurove, në paragrafin 3 të po njëjtit nen parashihet dënimi deri në 8 vjet.

NSTITUCIONET SHPËRFILLËN DENONCIMIN E KOMPANISË GJERMANE PËR MANIPULIMIN E ISO CERTIFIKATAVE TË SAJ (I):