Arbëri

Heta: Fermerët në Kosovë kanë përdorur antibiotik për rritje të prodhimtarisë

Në Kosovë ka pasur raste kur fermerët kanë përdorur antibiotik për ushqimin e kafshëve, përmes të cilëve, ata kanë stimuluar prodhimin e produkteve të caktuara, ka thënë Sadik Heta, drejtor për Shëndetin e Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK).

Në “60 Minuta” të KTV-së, Heta ka thënë se meqë janë shtuar kontrollet e AUVK-së, përqindja e antibiotikëve të përdorur për këto qëllime ka rënë shumë.

“Situata ka ndryshuar shumë. Është shtuar kontrolli dhe është rritur edhe vetëdija e fermerëve pasi ka pasur raste kur është përdorur edhe antibiotik për ushqimin e kafshëve. Antibiotikët e stimulojnë prodhimin e vezëve, e stimulon dhe rritjen. Meqë kontrollet tona kanë qenë të vazhdueshme, edhe marrja e masave në mënyrë të vazhdueshme, kemi parë se përqindja e antibiotikëve në vezë ka rënë shumë. Me legjislacionin në fuqi, marrim masa në asgjësimin e produkteve”, ka thënë Heta.

Ai ka deklaruar se ka raste kur AUVK-ja ka dërguar fermerë në gjykata për këto raste, e po ashtu u janë mbyllur edhe fermat.

Sipas tij, ushqimi që fermerët në Kosovë përdorin për kafshët, në të kaluarën ka qenë ushqim i koncentruar, të cilin e kanë marrë kryesisht nga arat e tyre, mirëpo me kalimin e kohës, siç ka thënë, si në të gjithë botën, ka filluar të përdoret edhe ushqim i koncentruar që rrit prodhimtarinë tek kafshët.

Heta ka thënë po ashtu se importi i ushqimit të koncentruar për kafshët vjen kryesisht nga vendet e BE-së dhe se ka kërkesa që të licencohen fabrika të ushqimit të kafshëve edhe në Kosovë.

Ndërkohë sa i përket thertoreve, Heta është shprehur se shumica e tyre plotësojnë standardet ndërkombëtare te therjes dhe se AUVK-ja bën kontrolle të rrepta ndaj tyre.