13 perditesime
18:26

Kuvendi dështon të miratojë rezolutën për rishqyrtim të masave anti-COVID

Kuvendi nuk i miratoi rekomandimet e iniciuesit të seancës së jashtëzakonshme të mbajtur të enjten në Kuvend

Me 21 vota pro, 41 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë rezolutën për rishqyrtimin e masave anti-COVID, derisa të pranishëm në sallë ishin 62 deputetë.

Në përfundim të seancës së sotme, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka propozuar një rezolutë me disa pika.

“Ne paraqesim një rezolutë Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat, Të hartojë strategji në kohë për masat. Qeveria të prezantojë para Kuvendit planin e vaksinimit. Qeveria të ofrojë testimin masiv edhe në shkolla. Qeveria në konsultim me profesionistë shëndetësore të hartoj strategjinë për menaxhimin e pandemisë. Keqpërdorimet me para për produkte të ndalet. Të sillet ligji për paga. Masat të koordinohen me shtet të rajonit”, ka thënë ai.

Pas tij edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është deklaruar rreth rezolutës, duke thënë se rreth saj është munduar të devijohet çdo gjë, për këtë arsye nuk do ta votojë këtë rezolutë.

“Këtu kërkohet që të sillet ligji i pagave e që më herët është refuzuar, tentohet të devijohet duke folur për hetime e abuzime me çmime. Nëse ka pasur ide konkrete që do të lidheshin me situatën aktuale me pandeminë, e me procesin e vaksinimit, e me masa ne do ishim aty. Grupi parlamentar i LVV-së, për një rezolutë, që nuk përmban pika të temës, ne nuk do e votojmë një rezolutë të tillë”.

Ndërkohë që për seancën e paraparë, të mbahet në orën 15:00, është thënë se do mbahet gjatë javës së ardhshme.

18:07

Ministri Murati e Haxhiu i PDK-së përplasen për vendosjen e maskave në Kuvend

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur sot verbalisht me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, për çështjen e mbajtjes së maskave në Kuvend si pjesë e masave anti-COVID.

Pasi i është kërkuar ekzekutivit të ketë më shumë rigorozitet në kërkesën për vendosjen e maskave në ambiente të brendshme, ministri Murati tha se kjo është një hipokrizi, pasi në sallën e Kuvendit asnjëri prej deputetëve të PDK-së nuk e ka të vendosur maskën.

“Shumë e lehtë të thuhet që në ambiente të brendshme të kërkohen maskat me rigorozitet. Por po mendoj që kjo pikërisht e vërteton atë që e thash. Këtu ka shumë hipokrizi, i gjithë grupi parlamentar i PDK-së nuk keni maska, asnjëherë s’keni. Kjo është hipokrizia që po flas”, tha ai gjatë seancës së sotme të Kuvendit.

Ndaj këtyre deklarimeve të Muratit ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili thotë se për pandeminë flet ministri i Financave, ndërsa ai i Shëndetësisë rri ulur.

“Prandaj kemi pasur katastrofën shëndetësore gjatë verës. Duket se katastrofën shëndetësore do ta kemi edhe në dimër. Pasi për pandeminë po flet ministri i Financave, ministri i Shëndetësinë rri ulur. Ministri del në foltore pa maskë dhe mundohet t’i jep këshilla deputetëve”, tha ai. /KSP

17:13

Nagavci: 6684 nxënës dhe 1489 mësimdhënës janë pozitivë me COVID-19

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se aktualisht pozitivë me COVID-19 janë 6684 nxënës dhe 1489 mësimdhënës.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet për pandeminë COVID-19, ministrja Nagavci tha se rreth 90 shkolla po punojnë në mësimin në distancë (online).

“Nga 775 institucione edukative-arsimore janë 90 shkolla që punojnë sipas skenarit C. Ndërsa sa i përket rasteve aktive, sipas raportit të sotëm janë 1489 mësimdhënës që janë pozitivë me virusin COVID, janë 187 persona që janë personel tjetër dhe janë 6684 nxënës që janë pozitivë dhe aktualisht janë të izoluar”, tha ajo.

Ajo tha se situata nuk është e njëjtë në gjitha shkollat dhe komunat, prandaj kanë vendosur kriteret se kur një shkollë mund të shkojë në mësim online.

“Dallon situata nuk është njëjtë gjendja në gjitha shkollat dhe gjitha komunat. Kjo ka qenë arsyeja pse ne kemi marrë këtë vendim që të shqyrtohen rastet bazuar në evidencat që kanë në shkolla, duke bazuar edhe në kriteret. Nëse në një shkollë 5 për qind e nxënësve identifikohen si pozitiv atëherë e tërë shkolla kalon në mësimin nga distanca. Ndërsa nëse në një klasë janë një apo dy raste në një klasë atëherë ajo kalon në mësimin nga distanca”, tha ajo./kp


Deliu-Kodra kërkon nga presidentja Osmani të deklarohet për zhvillimet e fundit në Kosovë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, në fjalën e saj para deputetëve të Kuvendit, ka folur për gjendjen me pandeminë në Kosovë. Për këtë gjendje të krijuar së fundmi në vend, Deliu tha se gjendja e klinikave në nivel vendi është e rëndë dhe nuk ka investime e as menaxhim në to.

Ajo tutje i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani, që të deklarohet rreth gjendjes së rëndë në të cilën është Kosova, duke thënë se qytetarët kanë nevojë që të dëgjojnë një deklarim nga ajo.

“Ka një kohë të gjatë që zonja osmani nuk është deklaruar në lidhje me gjendjen në të cilën janë qytetarët e Kosovës, në lidhje me shëndetin publik, shtrenjtimin e çmimeve, me paralajmërime për rritjen e çmimit të rrymës”, ka thënë ajo, duke kërkuar nga shefja e shteti të mos heshtë. “Për shkak të pozitës së saj kushtetuese, por edhe si nënë e grua, i bëj thirrje që të deklarohet për zhvillimet e fundit në Kosovë, ashtu siç ka folur edhe për zhvillimet në Ukrainë, e të mos heshtë si tash e një kohë të gjatë”, tha ajo.

Deklaratës së Deliut për gjendjen e klinikave në Kosovë, i është përgjigjur ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka sqaruar çështjen e buxhetit për shëndetësinë, duke bërë krahasime nga viti 2018 deri tani, që sipas tij është shënuar rritje në të.

“Çështja e buxhetit për shëndetësinë po përmendet dhe po e sqaroj edhe një herë. Nëse e shohim buxhetin për vitin 2018 për dy institucione që janë Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja, më 2018 buxheti ka qenë 143 milionë euro, në viti 2019 150 milionë euro, në vitin 2020 176 milionë euro dhe në vitin 2021, 175 milionë euro. Megjithëse parashihej të blihej vaksina, është planifikuar buxhet 1 milion më pak. Në vitin 2020 buxhetin i SHSHKUK-së ka qenë 126 milionë euro, ndërsa në vitin 2021, 104 milionë euro, pra ka pasur zvogëlim prej 20 milionë eurosh për SHSKUK-në. Për vitin 2022 buxheti për këto dy organizata shëndetësore është 186 milionë euro, kurse në mbledhjen e fundit të Qeverisë, aprovuam shtesë prej 5.6 milionë euro. Aktualisht buxheti për këto dy institucione shëndetësore është 192 milionë euro dhe do të rritet për aq sa ka nevojë e jam i sigurt se do të kalojë mbi 200 milionë euro”, ka thënë ai.

Deliu-Kodra mori reagime edhe nga deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica dhe Jeta Statovci, të cilat thanë se situata e tanishme sa i përket pandemisë është shumë më stabile në lidhje me mortalitetin dhe me nivelin e vaksinimit, krahasuar me atë se ç’ishte në vitin 2020 kur është votuar buxheti për këtë vit e që nuk janë votuar dy amendamenti në lidhje me maska nuk janë përkrahur në Kuvend.

16:27

Deputetët e LVV-së kërkojnë lehtësim të masave anti-COVID

Sikurse deputetët nga opozita, edhe ata të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ndajnë mendimin e njëjtë se kufizimet e ashpra dhe mbyllja si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19, nuk është zgjidhje.

Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se kufizimet e ashpra të kufijve nuk po ndikojnë në ulje, prandaj kërkon që masat brenda Kosovës të jenë të ngjashme sikurse të vendeve tjera përreth.

“Andaj do doja të kishim masa të njëjta me vendet e rajonit, e jo kaq të ashpra sa janë”, ka thënë ai në fjalën e tij gjatë seancës së sotme plenare.

Derisa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, thotë se mbyllja vetëm se po e rëndon situatën për qytetarët e Kosovës.

“Mbyllja nuk është zgjidhje. Ne me mbyllje jemi duke e rënduar situatën, në mendim psikologjik, fakti se me 3 vaksina duhet të kenë njerëzit me hy në Kosovë është e papranueshme. As tre vaksina, nuk garantojnë se nuk sëmuret personi përsëri, andaj ku është poenta të ndalojmë njerëzit? Sot me masa të Covid ne krijojmë ndarje e mbyllje në lëvizje, sa studentë vijnë nga Lugina e Preshevës, e që në vikend kanë qëlluar në shtëpi”, ka thënë ajo.

Se lehtësimi i masave për qytetarët të cilët kanë marrë dy dozat e vaksinës, është i nevojshëm, e thotë edhe deputeti tjetër i LVV-së, Visar Korenica, i cili ka kërkuar nga Komiteti që të lehtësohen masat antiCOVID.

“Ora policore, aktualisht prodhon efekte negative për bizneset e aspektin psikik për qytetarët, një masë e tillë nuk prodhon efekt”, ka thënë ai.

Sipas Korenicës, pas dy vitesh të pandemisë dhe menaxhimit të deritanishëm të saj, është koha për masa të moderuara duke marrë shembuj nga Bashkimi Evropian dhe duke u bazuar në rekomandimet e OBSH-së.

“Konsideroj që duhet të lejohen me kapacitet të plotë ngjarjet sportive dhe kulturore, hyrja t’iu lejohet vetëm të vaksinuarve me dy doza dhe maska të jetë obligative. Fitneset poashtu të jenë të lejuara për të vaksinuarit me dy doza”, tha ai.

15:50

Hoti: Kushtet në qendrën e vaksinimit në Emshir imponojnë marrjen e virusit

Është duke vazhduar seanca e jashtëzakonshme në Kuvend për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kushtet në qendrën e vaksinimit në Emshir në Prishtinë nuk janë adekuate për vaksinim. Sipas tij, këto kushte lënë hapësirë që pacientët apo stafi të infektohen.

“Zhvendosja e qendrës së vaksinimit në Emshir në QMF ku kushtet nuk janë adekuate dhe ata që e kanë marrë dozën e tretë e kanë parë çfarë kushte janë aty dhe mund të imponojnë edhe marrjen e virusit brenda aty, edhe për stafin edhe për pacientët”, ka thënë ai.

Hoti ka theksuar disa çështje të tjera që duhet të rregullohen sipas tij, që situata me pandeminë të jetë me e mirë.

“Është shqetësuese që nuk ka përgjegjësi për hedhjen e vaksinave. Ka edhe mungesë të koordinimit në mes të komunave. Udhëzimet e protokollet e tjera, duhet të koordinohen edhe me komunat. Duhet të krijohen kapacitet afatgjata për tu përballur me këtë pandemi. Ne të gjithë kemi fëmijë që janë në shkollë fillore e të mesme, është lënë në përgjegjësi të arsimtarëve e të shkollave se kur të shkohet në mësim online, kjo nuk duhet të ndodhë nuk duhet të bëhet. Duhet të ndiqen protokolle të qarta nga niveli qendror”, shtoi Hoti.

13:29

Kurti: Rritja e rasteve me COVID-19 edhe për një kohë është e pashmangshme, pavarësisht masave

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me masat e reja që Qeveria ka aprovuar kundër COVID-19, synohet që të ngadalësohet rritja e numrit të rasteve me koronavirus.

Ai tha se për shkak të vaksinimit, numri i të hospitalizuarve është i ulët, por theksoi se numri i rasteve të reja nuk mund të ndalet.

“Si qëllim kryesor i masave është që së paku ta ngadalësojmë rritjen enorme të rasteve të reja sepse nuk mund ta ndalim, por të paktën ta ngadalësojmë. Ne na duhet medoemos ta reduktojmë sa më shumë shpejtësinë e përhapjes së virusit dhe një ngadalësim i tillë u jep mundësi qytetarëve të vaksinohen. Interesimi për tu vaksinuar po shtohet, qytetarëve po u përgjigjen thirrjeve”.

Kurti bëri thirrje edhe nga foltorja e Kuvendit ku po diskutohet për pandeminë, që qytetarët të vaksinohen.

“Për shkak të natyrës ngjitëse të Omicron pritet që numri të rritet edhe në vazhdim. Pra është si qëllim kryesor i masave te miratuara ta ngadalësojmë rritjen enorme të rasteve se nuk e ndalim dot. Ngadalësimi do bëjë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet menjëherë”.

Ai shtoi se mbi 80% e rasteve të vdekjeve kanë qenë te pavaksinur, dhe me variantin Omicron kanë qenë grupmosha 10-19 në javën e fundit,

“Përkundër numrit të madh të të vaksinuarve, nuk na ofrojnë siguri për ditët dhe muajt në vijim. Rritja eksponenciale e rasteve të paktën për një kohë do të jetë e pashmangshme çfarëdo kufizime që vendosim”.

Kuvendi shkoi në pauzë deri në ora 15:00.

13:06

Latifi arsyeton masat e reja anti-COVID

Image

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i ka arsyetuar masat e reja anti-COVID në Kosovë, të cilat janë kritikuar zëshëm nga opozita e shoqëria civile.

Latifi thotë se masat anti-COVID merren pas diskutimeve të gjata me profesionistët shëndetësorë.

“Ashtu siç kemi pritur, dje kemi arritur mbi 4 mijë të infektuar e numri i të vdekurve e ka kaluar 3 mijë. Ashtu siç kam thënë dje, numri është diçka e re. Pavarësisht numrit të infektuarve, numri i atyre që kërkojnë ndihmë në spitale, është i ulët e i menaxhueshëm në sistemin e brishtë te ne. Jemi duke e trajtuar situatën epidemiologjike. Edhe unë mendoj sikur Dreshaj se mjekët e infermierët që po merren me kujdesin për të parandaluar shpërndarjen e virusit, janë heronjtë tonë. Të gjitha vendimet që merren për çfarëdo mase janë diskutime të gjata, edhe me profesionistë shëndetësorë, edhe nga IKSHPK-ja, edhe nga grupi këshilldhënës i MSH-së. Masat që i kemi marrë për parandalimin janë rezultat i balancimit të faktorëve te situatës në vend e rajon. Një, sipas situatës epideomiologjike në vend. 1.508 raste është mesatarja javore për 1 milion banorë në Kosovë, 1.900 është në Evropë. Kosovën nga vendet e tjera e dallon edhe numri i madh i testimeve, pas Sllovenisë. Mesatarja javore e vdekjeve është 0.5/0.6, më e vogla në rajon. Janë 130 mjekë e 160 infermierë të infektuar me COVID-19, të cilëve iu kemi shkurtuar karantinimin në pesë ditë në rast se nuk kanë simptoma”, deklaroi Latifi në Kuvend.

12:42

Haxhiu: Pati përpjekje nga Qeveria për të paraqitur shifra të rrejshme me COVID

Image

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Qeverinë për dështimin në menaxhimin e pandemisë.

Haxhiu ka thënë se në dhjetor e në fillim të janarit ka pasur përpjekje nga Qeveria për të paraqitur shifra të rrejshme me COVID, duke i zvogëluar ato.

“Brenda 6 muajve Qeveria për të dytën herë përsëriti të njëjtin gabim në keqmenaxhimin e situatës me pandemisë. Si verës kur ishim buzë katastrofës shëndetësore, po e shohim edhe tash në dimër paaftësinë e njëjtë. As pas dy vjetëve pandemi Qeveria nuk po dallon variantet e COVID-it, po sillet me neglizhencë e papërgjegjësi. Gjatë muajit dhjetor e në fillim të janarit, kishte përpjekje nga Qeveria për të paraqitur shifra të rrejshme me COVID, duke i zvogëluar ato, duke i kamufluar me grip sezonal, për faktin se simptomatologjia e Omicron dhe gripit sezonal ishte e njëjtë. Kemi me dhjetëra raste kur pacientëve me Omicron iu është dhënë terapia pa i udhëzuar të testohen për COVID. Këta kanë lëvizur lirshëm dhe janë shndërruar në shpërndarës”, ka thënë Haxhiu në Kuvend.

Haxhiu ka thënë se masat e vendosura nga Qeveria janë të palogjikshme. 

“Testimi i bërë sot në Kuvend dëshmon rëndësinë e testimit dhe duhet praktikuar kudo. Është dashur të praktikohet në shkolla e institucione, para se të praktikohej në Kuvend. Masat që ka marrë Qeveria janë të padiskutuara me akterët shëndetësorë. Pandemia do duhej të kishte bashkërendim me të gjithë e jo nga një Komitet politik. Beteja jonë, e të gjithëve, është me virusin, prandaj nga fillimi kemi qenë të gatshëm për të bashkëpunuar e Qeveria nuk i ka marrë në konsideratë këto. Kemi masa të palogjikshme nga Qeveria”, tha Haxhiu.

12:17

AAK-ja rekomandon që vaksinimi të bëhet obligativ

Image

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që ta bëjë vaksinimin të obligueshëm, sidomos në institucionet publike.

Dreshaj ka thënë se masat e reja anti-COVID nuk janë të qëlluara, dhe sipas tij, duhet bërë dallimi mes të vaksinuarve dhe atyre të pavaksinuar.

“Numri i rasteve të reja të hospitalizimeve pritet të rritet. Sëmundja parandalohet me respektimin e masave parandaluese, maskën distancën e higjiena, nëse këto nuk respektohen nga qytetarët, shteti duhet të shikojë se si po respektohen këto masa e jo të ketë masa të ashpra shtesë. Shumë ma i arsyeshëm është kërkimi i pasaportës së vaksinimit në qendra tregtare shkolla e lokale, e kjo nuk po bëhet në Kosovë. Kërkimi i dozës së tretë nuk është i qëlluar se virusin e kemi brenda. Ministër hapni kufirin, sidomos me Shqipërinë. Moshën deri në 12 vjeç nuk i kemi te futur as në planin e vaksinimit. Masat që duhet të merren tash e tutje duhet të jenë të marra nga gjendja në vend me situatës, andaj nga këto masa shtrënguese nuk pritet qe të kenë efekt. Ju rekomandoj të testoni sa më shume, vaksinoni sa me shume jo vetëm në një pike por në shumë pika, e me ekipe mobile. Dalja nga kjo situatë është vaksinimi i sa më shumë personave. Duhet me i dallu të vaksinuarit nga të pavaksinuarit. Ju rekomandoj që vaksinimin ta bëni obligativ, sidomos në institucione publike”, ka thënë Dreshaj.

E zv/kryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, ka thënë se pandemia ka shkaktuar shumë pasoja dhe se rezultat i kësaj po ka edhe rritje të numrit të dhunës nëpër familje.

“Kjo pandemi ka shumë pasona, si rezultat i kësaj kemi edhe një paraqitje më të madhe të dhunës nëpër shkolla, familje e në shoqëri. Të nderuar qytetarë, që nga konstituimi i Qeverisë prioritet i yni ka qenë dhe ka mbetur që të ofrohet mbrojtje e barabartë për të gjithë qytetarët dhe këtë po e bëjmë çdo ditë, se COVID nuk ka as komb e as fe, nuk është i ngjyrosur dhe na ka prekur të gjithë ne invidualisht. Në këtë luftë duhet të gjithë të jemi të bashkuar e ta kalojmë sa më lehtë”, ka thënë Rexhepi.

Ajo ka shtuar se Kosova është shembull në rajon për vaksinim. 

12:07

Krasniqi: Barazimi i të vaksinuarve me të pavaksinuarit, stimulon mosvaksinimin

Image

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për masat e marra për luftimin e pandemisë.

Krasniqi ka thënë se edhe varianti i ri i koronavirusit e ka zënë Qeverinë në befasi, siç e zuri edhe vala e kaluar.

Krasniqi nga foltorja e Kuvendit i ka quajtur absurde masat e marra nga Qeveria. Ai ka thënë veçanërisht është e rrezikshme barazimi i të vaksinuarve me të pavaksinuarit në këto masa, pasi që thotë se me këtë stimulohet mosvaksinimi.

“Kjo Qeveri ka bërë dy gabime themelore në kohën e pandemisë. Ka hezituar për ta lexuar situatën duke injoruar atë apo e ka lexuar gabimisht. Kur heziton ta lexosh atëherë nuk vepron në kohë, e kur e lexon gabimisht veprojn në mënyrë kuturu e jo me plan, por me impuls. Vetëp për një muaj kemi rreth 20 mijë raste më shumë të infektuarve. Çfarë ndodhi me masat parandaluese. Çfarë efekti dhanë masat e Qeverisë. Po shihet qartë efekti, është regresiv. Janë vendosur barriera lloj lloj për të pavaksinuarit, por atyre u janë nënshtruar edhe të vaksinuarit. Çfarë stimulon kjo. Nëse u themi qytetarëve vaksinohnu për ta mbrojtur shëndetin e në fund nuk i bën të dallueshëm prej të pavaksinuarve, atëherë stimulon mosvaksinimin”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se nuk ka logjikë të ketë kufizime për gastronominë, e kur sipas masave të Qeverisë aty duhet të jenë vetëm persona të vaksinuar që nuk përbëjnë potencial për shpërthim virusi.

E po ashtu ai ka thënë se ora policore është e palogjikshme.

“Kufizimi i lëvizjes me orar e operim me orë policore, i jep konotacion mitik virusit thuajse ai del natën e bën kërdi në Kosovë e ditën e ka pushim”, tha Krasniqi.

Ai e ka akuzuar Qeverinë se po vendos masën dhe nuk po i mbikëqyrë ato, duke ia lënë qytetarëve.

Ndërkohë e ka quajtur skandaloz masën e fundit të Qeverisë që në Kosovë të mundësohet hyrja vetëm me tri doza të vaksinës apo dy doza dhe testin PCR.

11:57

Kollçaku i përgjigjet Zemajt: Këtë teatër e ka përgatitur që dje

Image

Deputetja e GP të Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, iu kundërpërgjigj deputetit të LDK-së Armend Zemaj, duke thënë se opozita është e pakënaqur me gjithçka që bën Qeveria. Sipas saj, kjo sjellje po bëhet nga partitë opozitare për qëllime politike, jo për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Më vjen keq se gjithmonë sa herë e përgatisë një fjalim, parafolësit na ndryshojnë. Që dje në takimin e komisionit ku raportoi ministri i shëndetësisë e drejtori i SHSKUK-së, të cilët erdhën të na informojnë por deputeti parafolës duke e nënvlerësuar dy zyrtarë kur ministri me arsye detyrohet ta lëshojë takimin pas një ore takimi, ngritën të njëjtit opozitar dhe deputetin që e mori mundon me na mbledh e lëshon takimin e mbeti i painformuar për shumë çështje. Sikur të qëndronte dje, sot do ishte më i përgatitur dhe nuk do ta bënte këtë gjë pasi i thash edhe dje vazhdo për teatrin nesër që e ke përgatitur, sepse për pjesën profesionale dhe situatën epidemiologjike nuk ishte i interesuar. Është për keqardhje, se si i nënçmoj dy zyrtarë. Dy vite me herët ne ketë sallë, në kohen kur ekspertët sugjeronin masa, kujtoheshin që të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në mesin e një situate të panjohur”.

“Këta janë të pakënaqur në çdo situatë, kjo tregon një tendencë politike. Brenga e parafolësit në tërë fjalimin ishte tendencë politike”.

Kollçaku ka përmendur rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 dhe ka thënë se opozita e rrezikoi shtetin dhe shëndetin e të gjithëve për ta ndërruar pushtetin në një situatë të rëndë shëndetësore. Ndërkaq, foli edhe për shtesat e mjekëve.

“Vazhdimisht përmenden shtesat e mjekëve. Këtu ishin të ulur këta që tani janë në anën e majtë, kur votuan kundër propozimit që deri në fund të pandemisë të votohet shtesa prej së paku 50% nga paha e profesionistëve shëndetësorë”.

11:42

Zemaj: Kush i mashtroi, largoi shqiptarët i pari? I pari Albin akrobati e jo magjistari

Image

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka pasur kritika të ashpra ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, për gjendjen me pandeminë dhe masat e reja anti-COVID.

Zemaj ka pasur kritika për masën e hyrjes në territorin e Kosovës me tri doza të vaksinës anti-COVID. Ai e ka pyetur kryeministrin Kurti se “kush po i obligon që t’i largojnë shqiptarët nga njëri-tjetri”, pas problemeve që kishte në pikat kufitare pas hyrjes në fuqi të masave të reja.

“Debati parlamentar për gjendjen e pandemisë është me arsye se vendi ynë po kalon gjendje të rëndë së bashku me qytetarët , dhe kjo kërkon adresim të menjëhershëm. Gati 30 mijë raste me COVID-19 vetëm gjatë këtij muaji, ky është rezultati i menaxhimit online të pandemisë. Ky është rezultat i qeverisjes së paaftë, e që nxjerr masa jo adekuate, i neglizhon testimet masive e vaksinimin masiv dhe kujdesin në shkolla. E ulë buxhetin për Ministrin e Shëndetësisë, e lejon të ketë mungesa të barnave esenciale, nuk ka koordinim me komunat e me shtete përreth. Nuk e ka problem t’i hedhë në plehra vaksinat kur ka më së shumti nevojë. Arroganca, mosveprimi, propaganda janë pjesë e kësaj qeverie. Duke reaguar gjithmonë vonë, e na bënë imun në situata alarmante, dhe zgjidhjen e vetme e ka izolimin, shpresojmë që nuk na çojnë edhe në izolim politik. Kryeministri së fundmi del thotë se nuk jam magjistarë, po i bën qytetarët fajtor se kanë besuar në të sa ishte në opozitë. Edhe sot e kësaj dite ne e kemi ditur se magjistar nuk është, por është arrogant dhe me veprimet e tij duket se është magjistar politik. Me ardhjen e kësaj qeverie u rritën të gjitha çmimet, ato ushqimore e deri tek energjia elektrike. Kush i mashtroi, largoi shqiptarët i pari? Albin akrobati apo magjistari. I mashtruat qytetarët sa për t’ia marrë votën për bashkim kombëtar. Kush po iu obligon t’i largoni shqiptarët nga njëri-tjetrit, kush po iu obligon të punoni kundër interesave të tyre. Rishqyrtoni masat për variantin e ri dhe variantet e reja e mundshme. Bëni vaksinime masive mobile, hartoni planin për të mbikëqyrur ata që janë pozitivë me COVID-19”, deklaroi Zemaj.

11:30

Nis seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës, debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në vend, të thirrur nga opozita.

Në nderim të holokaustit izraelit, deputetët e pranishëm e nisën seancën me një minutë heshtje.

Ndërkohë, në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 15:00, Kuvendi do të mbajë seancë të re, ku do të diskutohen disa pika të rendit të ditës.

08:07

Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvend për pandeminë

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës, debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Seanca e jashtëzakonshme do të zhvillohet duke filluar nga ora 11:00.

Ndërkohë, në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 15:00, Kuvendi do të mbajë seancë të re, ku do të diskutohen disa pika të rendit të ditës.

Kjo është agjenda për seancë e re:

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit ne.08/L-035 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-017 për ndihmën Juridike Falas,

Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118,

Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb,

Raportimi i Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth “Progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të Qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet”,

Debat parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021,

Zëvendësimi i anëtarit të GP LS në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim. ​