7 perditesime
21:28

Isufaj s’e përjashton mundësinë se do të kandidojë për kryeprokuror të shtetit

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, nuk ka dhënë një përgjigje definitive nëse do të jetë kandidat për kryeprokuror të shtetit.

Në DESKUN e KOHËS, Isufaj ka thënë se “me gjasë do të jetë”.

“Për të qenë korrekt, as nuk do ta mohoj, as nuk do ta pohoj. Me gjasë do të jem kandidat”, ka thënë ai, duke shtuar që përgjigja e tij të mos merret si definitive.

21:07

Haxhiu-Zogajt: Asnjë profil i lartë me afera kriminale s‘ka mbajtur përgjegjësi

Derisa kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka bërë një krahasim të vendit dhe rajonit në lidhje me standardet e ndërtuara për emërimin e gjyqtarëve në shkallë të parë, duke thënë se po që se vendet e rajonit kanë një standard më të lartë se i Kosovës, do të japë dorëheqje nga sistemi gjyqësor, kësaj deklarate i ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“224 mijë dosje ka sistemi gjyqësor aktualisht në sistem që punohen nga rreth 400 gjyqtarë. Le të krahasojmë rajonin, nëse ka ndonjë vend që ka standard të ndërtuar për emërimin e gjyqtarëve në shkallë të parë në nivelin që e kemi ne, unë nesër deklaroj dorëheqjen nga sistemi gjyqësor”, ka thënë Zogaj.

Të ftuar në një debat në Desku të KTV-së, Haxhiu e ka pyetur Zogajn nëse ka ndonjë figurë të profilit të lartë që sipas saj, është i përfshirë në afera korruptive e kriminale që kanë mbajtur përgjegjësi penale, duke i dhënë vetë përgjigje kësaj pyetjeje.

“A kemi ne ndonjë profil të lartë që e dimë se është përfshirë në afera të shumta kriminale, e që mbanë përgjegjësi penale? Jo kryesues, të paktën mua nuk më kujtohet”, ka thënë ajo.

Pas pyetjes së shtruar nga drejtuesja e dikasterit të Drejtësisë, Hoxhaj iu përgjigj duke paralajmëruar një performancë të mirë të gjyqësorit gjatë këtij viti, që do të demantojë çdo vlerësim politik.

“Unë jam shumë i sigurt që performanca e gjyqësorit në vitin 2022 do të demantojë cdo vlerësim politik që është bërë. Shumicën e iniciativave të gjyqësorit, Ministria e Drejtësisë është duke i përkrahur”, ka thënë ai.


Haxhiu: S’mund të ketë drejtësi të cilën e synojmë pa veting

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk mund të ketë drejtësi të cilën Qeveria Kurti e synon, pa proces te vetingut.

Haxhiu ka thënë se kritikat që Qeveria i bën në drejtim të sistemit të drejtësisë kanë për qëllim që zyrtarët e këtij sistemi t’i thërrasin mendjes dhe të mos i neglizhojnë rastet.

“Nuk mund të ketë drejtësi të cilën e synojmë pa veting. Rrethanat i kemi të tilla dhe prandaj edhe jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim mirëpo duhet thënë edhe një gjë. Uroj që përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë nuk mendojnë që ne i gëzohemi dështimeve, kritikat që bëjmë kanë për qëllim që t’i thërrasin mendjes dhe të mos i neglizhojnë rastet që po i adresojmë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se i është krijuar besimi se në shumë raste, qëllimshëm aktakuzat nuk janë bërë siç duhet.

“Nëse një gjyqtar e prokuror nuk e ka guximin, kot e ka profesionin”, është shprehur ministrja e Drejtësisë.

Isufaj: Në tre vjetët e fundit na janë pranuar mbi 90% e aktakuzave

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se viteve të fundit është shtuar dukshëm numri i aktakuzave të Prokurorisë nëpër Gjykata.

Isufaj ka thënë se vetëm në tri vitet e fundit, Prokurorisë i janë pranuar mbi 90% të aktakuzave.

“Në tri vitet e fundit na janë pranuar mbi 90% të aktakuzave”, ka thënë Isufaj, duke shtuar se Prokuroria e përjeton rëndë momentin kur u refuzohet ndonjë aktakuzë.

Kjo deklaratë e tij ka ardhur pas asaj të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në “DESKU” të KTV-së, e cila ka thënë se Gjykatat, Prokuroria dhe Policia nuk bashkëpunojnë.

Sipas saj, Prokuroria shpesh deklarohet se po dërgon aktakuza në gjyqësor për lëndë të ndryshme por që po u refuzohen.

20:57

Isufaj: S’jemi kundër Vetingut por duhet respektuar standardet dhe integriteti ynë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se nuk janë kundër reformave në sistemin e drejtësisë e as kundër Vetingut, por kjo sipas tij duhet bërë duke i respektuar standardet.

Sipas tij, janë të gatshëm të marrin pjesë në të gjitha reformat, por zyrtarët duhet trajtuar me dinjitet.

“S’jemi kundër reformave, vetingut, e as konfiskimit të pasurisë së paligjishme, por duke i respektuar standardet, integritetin tonë. Ne marrim pjesë në të gjitha reformat, por duhet të trajtohemi me dinjitet”, tha Isufaj në DESK-un e KTV-së.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se qytetarët po vuajnë nga mungesa e drejtësisë, dhe për çështjen e Vetingut, nuk është e detyruar ta pyesë as Këshillin Prokurorial e as Këshillin Gjyqësor.

“Qytetarët po vuajnë nga mungesa e drejtësisë, vetëm në periudhën prill-dhjetor, kemi takuar 650 qytetarë në Këshill, shumica janë ankuar për zvarritje të proceseve nëpër gjykata”, shtoi ajo.

20:50

Zogaj: Do të kemi performancë të jashtëzakonshme në gjyqësor, që nuk është parë në 20 vjet

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, shprehet me siguri se për tre muaj sistemi gjyqësor dp të ketë rezultate të jashtëzakonshme.

Ai ka thënë se deri në fund të vitit do të ketë gjyqtarë të rinj në Gjykatën Supreme dhe të Apelit, dhe kjo shtoi ai, nënkupton se kapaciteti i gjykatave është në rregull që çështjet t’i trajtojë në kohë më të shkurtë.

“Për shumë vite në gjyqësor ka pasur shumë fenomene, pafundësisht njerëz që janë akuzuar për vjedhje rryme, njerëz për aksident në trafik, etj. Këto kanë ndikuar në grumbullimin e lëndëve dhe kanë ndikuar me parashkrimin e çështjeve. Jam i sigurt që prej muajit prill deri në qershor ne do të kemi rezultate të jashtëzakonshme në performancen e gjyqësor. Do kemi rezultate që nuk janë parë në 20 vjet në gjyqësor, me luftimin e korrupsionit, adresimin e çështjeve serioze që kanë impakt në liberalizimin e vizave dhe agjendën e reformës evropiane dhe çështje që qytetarit do t’ia japë një drejtësi të barabartë”, ka thënë Zogaj.

Ai te DESKU ka thënë se deri në mars do të miratojnë edhe strategjinë për zvogëlimin e lëndëve.

20:42

Haxhiu: S’kam pritur kaq shumë rezistencë për reformat në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk e ka pritur që do të ketë kaq shumë rezistencë për reformat që synohen në sistemin e drejtësisë.

Haxhiu ka thënë se reformat në drejtësi, përfshirë këtu edhe vetingun, nuk po bëhen kundër emrave të përveçëm, por kanë për qëllim që ta kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Unë nuk kam pritur që do të ketë kaq shumë rezistencë për reformat në drejtësi. Nuk është vetëm vullnet i imi individual, apo i partisë që unë përfaqësoj, mirëpo është edhe kërkesë qytetare. Nëse ne detyrohemi me prit 10-15 vjet për një lëndë në gjykatë, ose mbetet në prokurori, ose diku në polici, kjo nuk është drejtësi. Kemi njerëz shumë të zotë brenda sistemit të drejtësisë, që në kohët e fundit kanë adresuar lëndë me ndikim të madh në shoqëri. Janë disa prej rasteve që edhe publiku e ka mbështet punën e Policisë e Prokurorisë”, ka deklaruar Haxhiu në “DESKU” të KTV-së.

Haxhiu po ashtu ka thënë se qeveria Kurti e ka hequr presionin politik mbi sistemin e drejtësisë, duke shtuar së shumë përfaqësues të këtij sistemi kanë thënë se janë shliruar.

“Vetë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë na kanë thënë se jemi shliruar edhe ne sepse nuk ka më raste kur bëhet presion në forma të ndryshme për t’ia bërë dikujt një favor, për ta mbyllur syrin diku. Qeveria Kurti e ministrat e kabinetit qeveritar Nuk ka raste të tilla kur institucionet tentojnë të ndërhyjnë në lëndë. Ne kritikohemi pse po flasim kur ka skandale në sistemin e drejtësisë”, ka shtuar Haxhiu.

20:33

Isufaj: Raporti i Transparency International nuk ka qenë i papritur

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, konsideron se raporti i Transparency International, që së fundmi Kosovën e ka renditur 17 vende më lartë se ç’ka qenë, nuk është rezultat befasues dhe i papritur.

I ftuar në Desku të KTV-së, Isufaj thotë se nuk do të duhej që suksesi sa i përket këtij raporti t’i dedikohej dikujt, dhe do të duhej të cilësohej si sukses i Kosovës.

“Konsideroj se raporti i TI-së duhet të vlerësohet dhe respektohet. Për mua nuk ka qenë raport befasues dhe që se kemi pritur, korrupsioni do kohë për t’u luftuar. Para pak vitesh i kemi pasur rreth 40 mijë lëndë ndërsa sot kemi rreth 4 mijë lëndë. Fenomeni i luftimit të korrupsionit nuk bëhet për periudhë të shkurtër kohore. Suksesi nuk duhet t’i dedikohet dikujt, është sukses i Kosovës”, ka thënë ai.

Duke thënë se janë disa faktorë që kanë ndikuar deri në ardhjen e këtij rezultati, Isufaj thotë se këtij raporti i kanë paraprirë edhe shumë të tjerë.

Arrestimet e shumë zyrtarëve me profile të larta, si rasti i Subvencioneve, e akuzat ndaj disa profileve të tjera, ndër ta ish-kryeministra, ministra e kryetarë komunash, janë disa nga punët të cilat, sipas Isufajt, kanë ndikuar në përmirësimin e renditjes në këtë raport.

 

20:30

Zogaj: Edhe gjyqësori ka pjesën e meritës në luftimin e korrupsionit

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka deklaruar se edhe gjyqësori ka pjesën e meritës në përparim e luftës kundër korrupsionit. Sipas tij, edhe institucionet e zbatueshmërisë së vendimeve kanë kontribuuar për ta sjellë këtë rezultat pozitiv të Indeksit së Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021.

“Nëse e shikojmë sfondin e kësaj çështjeje, ka pasur edhe reformë ligjore edhe krijim të mekanizmave brenda gjyqësorit. Duhet kuptuar të gjithë që në 2004-tërtn ka filluar një reformë në legjislacionin penal, edhe vazhdon edhe sot, dhe për herë të parë këtë tentuar të bëjmë një shkëputje. Në shumë raste mund të kemi edhe perceptimin se ka dështuar gjyqësori, sepse ka dështuar të nxirret një aktgjykim që është dënuar dikush. Mendoj që kur shikohet kapaciteti i gjyqësorit në luftim të korrupsionit, duhet shikuar tjerë parametra”, tha ai në DESK-un e KTV-së.

Sipas tij, në ditët e sotme ka ndërruar edhe vlerësimi për drejtësinë, pasi sipas tij, sot kërkohet që jo vetëm të vendohet drejtësia, por edhe të bindet publiku që gjykata ka vepruar drejtë.

20:23

Haxhiu: Në qeveritë e kaluara ka pasur vazhdimisht skandale të mëdha korruptive

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se Kosova për vite me radhë është renditur ndër vendet më të korruptuara.

Ajo në Deskun e KOHËS ka thënë se gjatë qeverive të kaluara ka pasur vazhdimësi të korrupsionit.

“Edhe qytetarët për herë të parë e kanë një qeveri të pakorruptuar, kur ka pasur ndryshim të qeverive ka pasur vazhdimësi. Sikur qeveri Kurti 1, sidomos qeveria Kurti 2 janë parë më së afërmi veprimet e drejta, të ligjshme që i ka marrë Qeveria dhe Kuvendi dhe institucioni i presidencës. Ne kemi premtuar se do ta luftojmë krimin e korrupsionin, atë që kemi bërë është që veprimet e paligjshme që kemi gjetur i kemi adresuar në institucionet përkatëse”, ka thënë ajo.

Haxhiu shtoi se gjatë gjithë qeverisjes së Qeverisë Kurti nuk ka pasur asnjë skandal dhe kjo për të është e rrallë, pasi thotë se qeveritë e kaluara janë përballur vazhdimisht me skandale.

“Kanë kaluar, nuk mund të themi një vit të qeverisjes, por as një vit dhe nuk kemi asnjë skandal qeverisës. Kjo nuk ka ndodhur me qeveritë tjera ku ka pasur në vazhdimësi skandale të mëdha korruptive. Shoh një mendësi tjetër edhe te stafi i administratës. Ka disiplinë, ka transparencë”.