Arbëri

Haxhiu: Në qeveritë e kaluara ka pasur vazhdimisht skandale të mëdha korruptive

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se Kosova për vite me radhë është renditur ndër vendet më të korruptuara.

Ajo në Deskun e KOHËS ka thënë se gjatë qeverive të kaluara ka pasur vazhdimësi të korrupsionit.

“Edhe qytetarët për herë të parë e kanë një qeveri të pakorruptuar, kur ka pasur ndryshim të qeverive ka pasur vazhdimësi. Sikur qeveri Kurti 1, sidomos qeveria Kurti 2 janë parë më së afërmi veprimet e drejta, të ligjshme që i ka marrë Qeveria dhe Kuvendi dhe institucioni i presidencës. Ne kemi premtuar se do ta luftojmë krimin e korrupsionin, atë që kemi bërë është që veprimet e paligjshme që kemi gjetur i kemi adresuar në institucionet përkatëse”, ka thënë ajo.

Haxhiu shtoi se gjatë gjithë qeverisjes së Qeverisë Kurti nuk ka pasur asnjë skandal dhe kjo për të është e rrallë, pasi thotë se qeveritë e kaluara janë përballur vazhdimisht me skandale.

“Kanë kaluar, nuk mund të themi një vit të qeverisjes, por as një vit dhe nuk kemi asnjë skandal qeverisës. Kjo nuk ka ndodhur me qeveritë tjera ku ka pasur në vazhdimësi skandale të mëdha korruptive. Shoh një mendësi tjetër edhe te stafi i administratës. Ka disiplinë, ka transparencë”.