Arbëri

Zëvendëssekretarja e shkarkuar e MPJ-së kishte tejkaluar shpenzimet për qira

Rreth 6 mijë euro është shuma që ish-zëvendëssekretarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e kishte tejkaluar në qiratë mujore, në kohën sa ka shërbyer diplomate në Londër. Elmaze Pireva këtë muaj u shkarkua nga posti i sekretares, si pasojë e rokadës nëpërmjet së cilës një ish-zyrtar i Ministrisë së Diasporës u sistemua në MPJ, pa ekzistuar baza ligjore.

Tejkalimi i shpenzimeve në qira nga ana e diplomatëve vazhdon të përbëjë problematikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Zëvendëssekretarja, Elmaze Pireva, e cila së fundmi u shkarkua nga kjo pozitë, në katër vjetët e shërbyer në Londër kishte tejkaluar shpenzimet për qiranë.

Sipas një udhëzimi administrativ të MPJ-së, qiraja e banesës për gradën Këshilltare, të cilën e mbante Pireva në shtetet që janë në grupin e parë, nuk duhet të jetë më shumë se 1500 euro.

Kurse Pireva çdo muaj ka paguar rreth 2100 euro, që i bie rreth 600 euro më shumë.

Ajo ka qëndruar 4 vjet e gjysmë me mision në Londër, me dy herë zgjatje të mandatit.

Sipas udhëzimit, shpenzimet për banim mbulojnë koston e banimit për personelin diplomatik dhe konsullor.

“Kur shuma e qirasë e tejkalon limitin deri në 10 për qind, në këto raste kërkohet aprovim nga sekretari i përgjithshëm. Nëse anëtari i personelit diplomatik apo konsullor vendos të marrë banesë me qira mbi limitin e lejuar, diferencën e paguan nga mjetet vetanake”, shkruhet në udhëzim.

Kur në shtetin pritës, kostoja e jetesës është më e lartë se kriteret nëpërmjet të cilave janë përcaktuar limitet e qirave të banimit, udhëzimi mundëson që Sekretari të miratojë tejkalimin e këtij limiti vetëm për Ambasadorët në vendet në grupin e parë, deri në shumë prej 700 eurosh. Ndërsa në vendet në grupin e dytë deri në 300 euro.

Për më tepër, pas vendimit për kthim, Pireva nuk e ka lajmëruar pronarin tre muaj me herët për shkëputje të kontratës. Kësisoj, MPJ është detyruar t’i shlyejë shpenzimet e qirasë për objektin që ka qëndruar bosh. Sipas një burimi brenda MPJ-së, Pireva nuk e kishte shkëputur kontratën më herët me shpresën se “do të gjejë mënyra për ta zgjatur mandatin”.

Pireva, por as MPJ-ja, nuk kanë ofruar sqarime për tejkalimin e shpenzimeve.

Pireva këtë muaj u shkarkua nga posti i sekretares, si pasojë e rokadës nëpërmjet së cilës një ish-zyrtar i Ministrisë së Diasporës u sistemua në MPJ, pa ekzistuar baza ligjore. Në vend të Pirevës u emërua Behar Isma, i cili vjen nga një pozitë shumë e ulët, që nuk mund të konsiderohet ekuivalente me postet që mban tani. Nga koeficienti 8, ai është ngritur në koeficient 16, gjë që ka nxitur edhe reagimin e Shoqatës Sindikale, e cila ka kërkuar ndërhyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Isma është bashkëshorti i Vjosa Ismas, kryetare e njërës prej pikave të VV-së në Rahovec, njëkohësisht këshilltare komunale nga ky subjekt.

Krahas diplomatëve, shuma të mëdha paguhen edhe në qiratë e objekteve të misioneve diplomatike e konsullore. “KOHA” ka raportuar më herët se mbi 270 mijë euro në muaj Ministria e Punëve të Jashtme jep për qiratë e godinave diplomatike.

Në mesin e 51 misioneve, sa janë hapur deri më tani, ka edhe objekte që janë të papërshtatshme për një mision diplomatik, e për të cilat paguhen shuma të mëdha. Rekordin e mban Konsullata e Kosovës në New York, për të cilën Ministria paguan 20 mijë e 412 euro për një muaj.