Arbëri

Miratohet Projektligji që i hap rrugë Agjencisë së Akreditimit për kthim në ENQA dhe EQAR

Komisioni parlamentar për arsim ka miratuar sot Projektligjin për Agjencinë e Akreditimit për t’i hapur rrugë Kosovës që të aplikojë për rikthim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe regjistrimin në Regjistrin Evropian për Rritjen e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Kosova ishte përjashtuar nga këto dy organizata më 2019 si pasojë e ndërhyrjeve politike në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

Gjatë ditës së martë, ky Projekligj u votua me shtatë vota për dhe asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ministrja Arbërie Nagavci është shprehur se kthimi i këtij projektligji në ligj, do të mundësojë që askush të mos ndërhyjë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim siç ka ndodhur më herët. “Finalizimi i këtij ligji do të garantojë dhe do të mundësojë që askush në të ardhmen nuk mund të ndërhyjë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim”, tha ajo.

Sipas saj, kjo Agjenci do të ketë objektin e vet me mbi 1000 metra katrorë te Pallati i Drejtësisë me pajisje moderne si dhe do të shtohet numri i stafit. Aktualisht janë 9 persona të punësuar.

“Si Ministri e Arsimit kemi qenë pjesë e të gjitha grupeve punuese në Agjencinë Kosovare të Akreditimit duke dhënë kështu një përkrahje të plotë për rregullativën e brendshme dhe për standardet e cilësisë”, u shpreh ministrja Nagavci.

Ky Projektligj, së pari është miratuar në Qeveri më 11 dhjetor 2021, por që ka dështuar të miratohet nga komisioni përkatës për shkak të përplasjes së deputeteve në mbledhjen e javës së shkuar. /M.B.