Visar Ymeri ka refuzuar takimin që Ramush Haradinaj sot e ka kërkuar përmes një letre dërguar liderit të Vetëvendosjes.
Ymeri përmes Facebookut ka njoftuar se sot ka marrë një letër nga lideri i AAK-së Ramush Haradinaj me të cilën kandidati për kryeministër i PANI-t e ka ftuar në takim, transmeton Koha.net.
Ymeri në përgjigjen e tij ka theksuar se takimi që e ka ftuar Haradinaj nuk ka një qëllim të qartë. Ai pasi ka kërkuar sqarim për takimin ka saktësuar se ftesa për takim mund të bëhet nga kryetari i AAK-së vetëm pasi kjo pasi të dalë nga PAN-i.
Ky është reagimi i Ymerit për këtë ftesë të Haradinjat:
“Sot kam pranuar një letër prej kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt. Prej letrës së tij, kuptohet që Haradinaj dëshiron takim, por nuk është i qartë qëllimi i këtij takimi. Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit ky nuk është roli e as detyra e Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit per mbledhjen e parë.
Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi të dalë prej PAN-it”.