Arbëri

Shqiptari në ushtrinë e Ukrainës i gatshëm për luftë me Rusinë

Emanuel Bazanji ka shërbyer për disa vjet në ushtrinë e Shqipërisë në batalionin e këmbësorisë.

I dha fund karrierës ushtarake në Tiranë, por prej dy vitesh e vazhdon atë si pjesë e ushtrisë të Ukrainës.

Në një intervistë për Tch, ai tregon përse e mori vendimin të rreshtohet me ushtrinë e këtij vendi, i cili plot ankth pret nga momenti në moment të sulmohet prej Rusisë.

“Jemi gati edhe me ndihmën e aleatëve të përballojmë çdo sulm të rusëve”, tha Bazanji.

Ai tregon se është pjesë e rregullt e ushtrisë së Ukrainës, përkatësisht forcës tokësore, brigadës së motorizuar.

Bazanji tregon se në radhët e ushtrisë së Ukrainës ka pjesëtare nga 27 vende të botës. Na Ballkani, ka prej shteteve si Kroacia, Sllovenia e Mali i Zi.

Atij i ka rënë të takohet në ushtri edhe me shqiptarë, të lindur e të rritur në Ukrainë. Në këtë vend jeton një komunitet i madh me origjinë shqiptare.

“Dua të nënvizoj faktin që ne jemi në një repart i rëndësisë së veçantë, pjesë elitare e ushtrisë së Ukrainës. Është klasifikuar si repart i operacioneve speciale, pasi është ndër repartet më të vjetra që ka Ukraina. Tani pjesa më e madhit e grupit janë nga forcat speciale amerikane, britanike përfshi Navy Seals, Say apo Green Berets”, shtoi ai.

Sipas tij, është çështje orësh apo ditësh deri te sulmi rus mbi Ukrainën.

Ka folur edhe për frikën që po mbretëron te popullata ukrainase.

“Është një frikë shumë e madhe. Nuk flas këtu për aspektin e ushtarakëve. Ne jemi këtu. Kemi një detyrë. I kemi dhënë një premtim qeverisë ukrainase, sepse jemi të gjithë me dokumentacion, kontrata. Jemi një pjesë e këtij vendi për ta ndihmuar”, u shpreh ai.

Bazanji vlerëson se ushtria ukrainase është shumë më e fortë se që mendohet. Ai ka bindjen se ky vend mund të mbrohet nga një agresion i mundshëm rus.

“Sot që flasim, Ukraina dhe ushtria e saj i ka kapacitetet për t’u mbrojtur. Jam shumë i sigurt që me ndihmën e amerikanëve, britanikëve dhe aleatëve të tjerë, përmes të cilëve jemi ndihmuar kohët e fundit, përfshi mbështetje politike përmes sanksioneve ndaj Rusisë nga vendet e Evropës dhe SHBA-së, Ukraina është e aftë ta përballojë një sulm të plotë. Kjo duke marrë në konsideratë se çfarë asetesh kemi, vend strehime moderne për popullsinë. Është një strukturë e mirë-organizuar për këtë luftë, sepse ka përgatitje gjatë këtyre 8 viteve të fundit për më të keqen. Është diçka shumë e mirë që i kemi këto asete dhe aftësi për t’u mbrojtur”, pohoi ai.

Image