Arbëri

Mustafa: Kompania Bilfinger ishte e painteresuar për rindërtimin e Kosovës A

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint. Sipas tij, kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend.

“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të i informonin brenda 15 ditëve, por nuk i kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit të tij.

“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrikenë Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka shkruar ai.