Në kuadër të nismës për këshillimin Kombëtar me qytetarët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë të diel ka kërkuar mendimin e qytetarëve nëse duhet të lejohet kultivimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri.
Kjo është pyetja numër 6 në pyetësorin e Këshillit Kombëtar, për të cilën Rama ka ftuar të gjithë qytetarët që të japin opinionin e tyre pa u ndikuar, ndërsa shton se ka ardhur koha që të lihen pas krahëve llogoret përçarëse.
"Ju ftoj të gjithëve të jepni opinionin tuaj në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudoqoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike", shkruan Rama.
Pyetësori i Këshillimit Kombëtar të qeverisë me qytetarët, nismë e njoftuar nga Rama disa javë më parë, përfshin 12 pyetje prej të cilave ka për tema të ndjeshme që diskutohen në opinionin publik.
Sipas Ramës, deri në mbrëmjen e së shtunës ky pyetësor është plotësuar nga 16.544 qytetarë.