Arbëri

Dy gazetarë të KOHËS, fitues të çmimeve të KOMF-it

Gazetarët e Grupit KOHA, Fitim Gashi dhe Dilaver Polisi, kanë marrë çmimet për gazetari të Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, për fokusin në të drejta dhe mbrojtje të fëmijëve, për vitin 2021.

KOMF-i, në një ceremoni në të mbajtur të shtunën, ndau gjashtë çmime vjetore në fushën e gazetarisë dhe katër mirënjohje vjetore me titull “Mik i Fëmijëve”.

Gashi e mori çmimin për artikullin “Të pastrehët e pandemisë”, ndërsa Polisi për “Tregimi inspirues i futbollistit gjilanas, Enis Xhemaili”.

Pos Gashit e Polisit, çmime kanë marrë edhe Arbisa Shefkiu e Valon Fana nga “Kallxo.com”, Ardita Rashiti nga “T7” dhe Blerta Ahmeti nga “Albanian Post”.

“Sot u shpërbleva edhe me një çmim nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, për artikullin e publikuar në ‘Koha Ditore’. Prej rastit tragjik, ku kryefamiljari jeton me frikën se mund ta humbasë edhe fëmijën tjetër për shkak pamundësisë që t’i ofrojë kushte elementare për jetesë, storia hedh dritë edhe për problemet e tjera që rëndojnë mbi fëmijët – sikurse janë punët e rënda dhe pamundësia për arsimim cilësor”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Kolegu i tij, Dilaver Polisi, ka shkruar se nëpërmjet tregimit inspirues të Enis Xhemailit, ka arritur “të paraqesë një sportist të ri në moshë, por me zemër të madhe e plot vullnet”.

“Kronika tregon se si nëpërmjet sportit, mund të kalohen të gjitha sfidat. Enis, je frymëzim për shumë gjenerata!”, ka shkruar Polisi.

Mirënjohjet iu ndanë familjes strehuese të Myrvete dhe Liman Qarrit për strehimin e mbi 40 fëmijëve pa kujdes prindëror në shtëpinë e tyre, për 16 vjet, Floriana Bajramit për mbështetjen e ofruar për nevojat shëndetësore të fëmijëve, Art Qelajt për ndihmën dhe mbështetjen ndaj fëmijëve me sindromën Down dhe këngëtares Dafina Zeqiri për ndihmën dhe mbështetjen ndaj fëmijëve me autizëm.