Prej të shtunës kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID, por për disa qytetarë ato po konsiderohen të vonshme. Infektologët kanë thënë se mbrojtja e vetme nga infektimi është vaksinimi dhe respektimi në përpikëri i masave. Kundër masave të Qeverisë ka reaguar Oda e Hotelerisë dhe Turizmit
Prej të shtunës, në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID. Kjo pasi që nga fillimi i këtij viti ka nisur të shtohet dukshëm numri i të infektuarve me koronavirus apo edhe me variantet e tij. Kësisoj, me qëllim të parandalimit të përhapjes së variantit Omicron, Qeveria ka miratuar disa masa të reja. Ndër to është zhvillimi i veprimtarive biznesore vetëm deri në orën 21:00 dhe kufizimi i qarkullimit të qytetarëve prej orës 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit. Përveç tyre, çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza apo certifikatën me dy doza të vaksinës dhe testin PCR negativ të 48 orëve të fundit. Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, bizneseve private, organizatave, e subjekteve të tjera, duhet të posedojnë dëshmitë e vaksinimit me dy doza që t’u mundësohet hyrja në ambientet e punës. Gjithashtu, pavarësisht numrit të personave, do të ndalohet organizimi i dasmave, fejesave e ahengjeve të tjera.
Por, për disa qytetarë masat që janë marrë nga Qeveria po konsiderohen të vonshme, madje ata dyshojnë se ato do të mund të kenë ndonjë efekt tash pas përhapjes së madhe të COVID-it.
“Mua po ma merr mendja që janë të vonshme, është dashur më herët pak bile, një javë apo dy javë përpara. Ama bash hiç s’po ma merr mendja që kanë me pasë efekt”, thotë një qytetar nga Prishtina. Njëjtë mendon edhe qytetari Ilami Maqastena. Ai vlerëson se Kosova është tepër vonë në parandalimin e përhapjes së variantit Omicron.
“Jo që jemi vonuar, por kisha thënë që jemi tepër vonë, sepse ky Omicroni si duket që po përhapet me shpejtësi marramendëse dhe këto masat është dashur të hynë në fuqi shumë më herët. Kur i kemi 3 mijë raste në ditë dhe numri total i rasteve aktive e ka kaluar 10 mijëshen, mundësitë për përhapje janë shumë më të mëdha, sesa që do të ishin po të ishin marrë masat me kohë”, ka thënë ai.
Por ka edhe nga qytetarët e tjerë që konsiderojnë se masat do ta tregojnë efektin po që se do të kishte respektim të tyre nga qytetarët.
“Çfarëdo mase që merret me vendim prej Qeverisë duhet me iu përmbajtë, por nëse nuk përmbahemi atëherë kot merr vendime”, ka thënë qytetari Jeton Kabashi.
Sipas infektologut Hamdi Ramadani, janë disa faktorë që kanë ndikuar në përhapjen e virusit e ndër ta ai thotë se është edhe mosrespektimi i masave nga qytetarët.
“Omicron-COVID-19 erdhi para vitit të ri në vendin tonë, e dyta mërgata me një numër të madh të ardhjes, e treta koncentrimi i madh në fundvit, viti i ri e festa të ndryshme me tubime në restorante ishin faktorë të mjaftueshëm që situata në vendin tonë të ngarkohet”, ka thënë ai.
Sipas Ramadanit, nëse do të ketë respektim dhe zbatim rigoroz të masave do të duhen së paku 4-5 javë që Kosova të dalë nga kjo situatë dhe të kalojë në një gjendje më stabile.
“Masat të cilat janë miratuar dje, lëvizin pak në nga masat e mëparshme, por do ta japin efektin e vetë në qoftë se do të jenë të zbatueshme, në qoftë se ato janë të respektueshme nga qytetarët dhe popullata dhe institucionet përkatëse e monitorojnë”, ka thënë ai.
Kundër këtyre masave ka dalë Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, të cilat ka thënë se janë marrë pa konsultim me shoqatat që i përfaqësojnë bizneset. Oda ka bërë thirrje që institucionet të konsultohen me bizneset para marrjes së vendimeve për masa.
“Masat asnjëherë nuk janë lehtësuar për sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë, kufizimet për këto sektorë kanë qenë gjithmonë prezente, nuk u është lejuar të punojnë me kapacitete të plota, janë përballur me masa të rrepta dhe me dënime të shumta të paarsyeshme. Si çdoherë, edhe kësaj here masat e reja janë marrë pa asnjë konsultim me organizatat apo shoqatat që përfaqësojnë bizneset, e këto masa si zakonisht i kemi kuptuar vetëm përmes rrjeteve sociale apo mediave tona”, thuhet në komunikatën e Odës.
Masat që janë marrë nga Qeveria do të vlejnë deri më 4 shkurt.