Në 24 orët e fundit Kosova ka shënuar rekord të infektuarish me koronavirus. Numri i madh i rasteve ka rritur edhe interesimin për vaksinim e testim, gjë që ka shkaktuar ngarkesë në këto institucione. Disa qytetarë kanë kërkuar përmirësim të kushteve dhe zvogëlim të ngarkesës, e Komuna e Prishtinës ka thënë se do të hapen qendra të reja të vaksinimit nëse ka mbingarkesë
Rekord rastesh është shënuar gjatë së shtunës në Kosovë, teksa 3 mijë e 206 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Krahas rritjes së numrit të infektimeve, ka vazhdar të rritet edhe shkalla e pozitivitetit, që ka arritur në 26.97 për qind.
Grupmosha me më së shumti të infektuar, sipas të dhënave të IKSHPK-së, është ajo prej 10 deri në 19 vjeç, me 1 mijë e 12 raste. Numri mund të jetë edhe më i lartë, pasi në barnatore nëpër Kosovë për çdo ditë ka blerës testesh rapide. Farmacistë në qendër të Prishtinës, që kanë folur në kushte anonimiteti, kanë thënë se prej 6 deri në 20 është numri i testeve rapide që i shesin brenda një ndërrimi të punës.
Teksa gjendja pandemike po rëndohet vazhdimisht, numër i madh qytetarësh janë parë këtë të shtunë në qendra testimi e vaksinimi.
Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, e caktuar si qendër vaksinimi, e dukshme ka qenë ngarkesa dhe pritja e qytetarëve. Disa prej tyre janë shprehur të kënaqur me organizimin, e disa të tjerë kanë kërkuar organizim më të mirë dhe vende më të përshtatshme për vaksinim.
Sahit Sahiti që po e priste gruan e tij për të dalë nga qendra e vaksinimit ka thënë se kishte pritur më shkurt kur e kishte marrë vaksinën.
“Para tri javësh kur e mora (vaksinën) pritja ka qenë shumë e shkurtër 2-3 minuta. Sot është 15-20 minuta, por kjo nuk duhet të bëjë që njerëzit të ngurrojnë të vijnë ta marrin vaksinën. Është në dobi personale, familjare dhe shoqërore”, ka thënë Sahiti.
E pakënaqur u shpreh një qytetare tjetër, Tahire Govori, 70-vjeçare, e cila është ankuar për tollovinë dhe mungesën e hapësirës e privatësisë.
“Pritja, organizimi, jo sa duhet i mirë. Sikur mungon hapësira, mund ta shihni edhe ju vetë të gjithë jemi njëri pranë tjetrit. Brenda vendit ku merret vaksina: katër tavolina, ulesh në karrige, s’ke ku të zhvishesh e vishesh, s’ke ku pret... Sikur po bëhet diçka shpejt e shpejt. Nuk është në rregull organizimi”, ka thënë ajo.
Në pyetjet e KOHËS lidhur me këtë qendër të vaksinimit, Komuna e Prishtinës është përgjigjur se lokacioni është i përshtatshëm për vaksinim dhe se do të caktojë edhe vende të tjera për vaksinim, në rast të ngarkesës.
“QMF 7, është qendra me hapësirën më të madhe, oborrin, parkingun e mjaftueshëm, si dhe qasje në trafikun urban. Kjo qendër është e gatshme të ofrojë deri në 2000 vaksinime brenda 24 orëve. Tash për tash qendra për vaksinim u përgjigjet kërkesave dhe në rast të rritjes së kërkesave për vaksinim, ne do t’i adresojmë këto çështje dhe do të hapen edhe pika të tjera”, shkruhet në përgjigjen e Zyrës për Media të komunës.
Derisa për të marrë vaksinën në këtë qendër shumica e qytetarëve ngjiten shkallëve, sipas komunës, zgjidhje u bëhet edhe personave që nuk mund t’i kalojnë ato, duke përfshirë vaksinimin në kat të parë dhe ekipet mobile për persona që kanë nevojë për to.
“Qasja për personat me aftësi të kufizuara dhe ata që nuk munden teknikisht të ngjiten lart e kanë një hapësirë në katin përdhes, ku iu mundësohet marrja a vaksinës. Një ekip mobil është në (qendrën tregtare) ‘Albi Mall’, një ekip në aeroport dhe ekipi mobil për pacientët e lidhur me shtratin, të cilën qytetarët mund ta kontaktojnë përmes numrit të shfaqur në www.qkmf-pr.org. Në rast se do të ketë kërkesa për ekipe mobile, ne do t’i përgjigjemi kësaj kërkese”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Radhë të gjata ka pasur edhe në qendrën e testimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ku disa qytetarë kanë pritur shumë më gjatë sesa për vaksinim. Deri në 40 minuta ka shkuar pritja pranë tendës që ndodhet në hyrjen e objektit të testimit në IKSHPK. Nën presionin e qytetarëve që deshën të testoheshin gjatë së shtunës punëtorët që kryejnë testet për COVID e kanë zgjatur orarin e tyre për 15 minuta.
Në qendrën e testimit të IKSHPK-së, prioritet për testim u dha atyre me udhëzime nga mjekët familjarë. Gjatë fundjavës, testimet kryhen prej orës 9 deri në 14, ndërsa vaksinimi prej orës 8 deri në orën 15.