Arbëri

Çeku: Po punojmë që “Zgjoi” të nominohet për “Oscar”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka deklaruar se është duke u punuar shumë për çmimin “Oscar”, derisa tha se shpreson shumë në arritjen e çmimit.

Ai deklaroi në DESK-un e KOHËS se për “Oscar” përpos artit dhe cilësisë, nevojitet edhe lobimi, dhe se ndaj ekipit janë kryer dy “infuzione financiare” në betejën e tyre.

“Po punojmë shumë për Oscar. Është angazhim i madh, kemi shpresë, e kam kuptuar në këtë angazhim që është lobim përpos art e cilësi. Kemi shumë njerëz të angazhuar, po na jep shumë shpresë. I kemi kryer dy ‘infuzione financiare’ ndaj ekipit në betejën e tyre. Jemi shumë më afër pas 15-shit që është mbërritur tash”, deklaroi ai.

Çeku tha se kritika dhe shkrimet e huaja, përfshirë edhe vlerësimit, e bëjnë Zgjoin film shpresëdhënës për përfshirje në 5-shen.

“Komuniteti artistik është shumë më përpara sesa niveli ku institucionet janë. Duhet të bëjmë shumë ta mbyllim këtë lloj hapësire. Sukseset që i kemi mbërri janë rezultat i një pune vetmohuese të artistëve e filmbërësve”, tha tutje.

Çeku potencoi se sukseset e arritura vitin e kaluar shpreson të vijojnë edhe sivjet.