Arbëri

Personave me aftësi të kufizuara përballen me vështirësi, presin mbështetje

Descriptive Text

Personat me aftësi të kufizuara në vend po përballen me paragjykime, përjashtim nga korniza ligjore dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Organizatat që merren me trajtimin e këtyre personave kanë paraqitur vështirësitë financiare duke u shprehur të zhgënjyer me institucionet në vend. Edhe vet Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se vështirësia në lëvizjen e këtyre personave paraqet diskriminim. Ky i fundit gjatë se enjtes ka vizituar shoqatën e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovë-Handikos.

Faruk Kukaj, për herë të parë para katër vitesh kishte paditur një institucion për diskriminim në qasjen infrastrukture. Ai tregon se që nga fëmijëria është përdorues i karrocës, por që gjithmonë ka hasur në vështirësi dhe rrezik gjatë lëvizjes në rrugë.

“Gjithmonë kam pasur vështirësi në lëvizje apo qarkullim ku para luftës ka pasur barriera gjithkund, madje edhe në trotuare. Pas luftës ka një lëvizje të vogël, por as për afërti nuk ka sipas standardeve që duhet të respektohet dhe të krijohet mundësia e lëvizjes të lirë. Prandaj unë kam vendosur edhe në mbështetjen e Handikos me padit institucionin, komunën jo kryetarin. Madje, gjithmonë kur lëvizi unë hasi në barriera, në rrugë, në objekte ku qarkulloj dhe përfundimisht ka dhënë edhe një mendim gjykata dhe ka dhënë ekspertizën dhe kanë thënë se traseti ku kam unë nevojë me lëviz do të krijojmë mundësi e qasjes”, tregon ai.

Për këtë padi, Kukaj po pret tash e katër vjet ani pse ekspertiza ka përfunduar.

“Unë e kam ngrit padinë në 2018-ën edhe që do të thotë tani jemi në vitin 2022 dhe ende është në proces dhe besoj që nuk është askund gati. Besoj që do të zgjas shumë, sa po e shoh unë”, ka shtuar ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit e ka mbështetur këtë padi dhe pret që të fitohet ky rast.

“Në mbështetje të padisë së Farukut, pasi që është padia e parë e këtij lloji e iniciuar në Kosovë, Avokati i Popullit ka marrë dhe ka vlerësuar krejt pretendimet që janë paraqitur në padi. Ka ardh në përfundim se duhet të jepet një opinion mbështetës për këtë padi në gjykatë me qëllim që të ndihmohet edhe gjykata në marrjen e vendimit. Ne kemi konsideruar që kufizimi i lëvizjes së Farukut paraqet diskriminim dhe kjo është e papranueshme për shoqërinë tonë”, ka thënë Naim Qelaj.

Drejtori i shoqatës “Handikos”, Afrim Maliqi tha se qytetarët me aftësi të kufizuara duhet të kenë të drejtë në arsim, shërbime të duhura shëndetësore, sociale, punësim dhe përfshirje në jetë publike si çdo banor i vendit.

"Nuk kemi qëndrueshmëri financiare fare prej asnjë institucioni, por gjithmonë do të kërkojmë dhe presim thirrje për projekte edhe nga institucionet por edhe nga organizatat tjera ndërkombëtare. Në mungesë të tyre, jeta e fëmijëve si dhe familjarëve të tyre edhe të rriturve vështirësohet edhe më tepër... Ne këto shërbime i ofrojmë qysh nga vitet e 90-ta dhe gjithmonë e prezantojmë organizatën tonë që punon në dy drejtime” ofrimi i shërbimeve, i cili do të duhej të mbështetej nga institucionet edhe njëkohësisht avokimi dhe lobimi për të drejtat e tyre”, ka thënë ai.

Ai ka listuar tre shkaktarët të cilët ndikojnë në përjashtimin e personave me aftësi të kufizuara.

“Janë tre shkaktarë të cilët i përjashtojnë personat me aftësi të kufizuara. Ato janë paragjykimet për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, e të cilat shkaktojnë komplekse, frikë dhe izolim të tyre. Është korniza ligjore apo ligjet të cilat nuk i marrin për bazë të drejtave të tyre dhe zbatimin e tyre. Gjithsesi është qasja si një fushë e ndishme, diskriminuese apo direkt edhe shkelje e të drejtave të njeriut e cila nuk ju krijon mundësi personave me aftësi të kufizuara që të krijojnë jetë publike apo politike apo që të jenë të barabartë në raport me qytetarët e tjerë”, ka deklaruar Maliqi.

Gjatë vitit të shpallur për personat me aftësi të kufizuara, ai pret mbështetje të institucioneve. Sipas tij, këta qytetarë në te gjitha vendet e rajonit kanë të drejta dhe jetë më të mirë se në Kosovë./ KP