Arbëri

Ibrahimi: Ligji për Inspektoratin Administrativ, cenim i demokracisë lokale

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se sikurse ky institucion, as kryetarët e komunave nuk janë konsultuar fare nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Ligjit për Inspektoratin Administrativ. Me këtë rast, procedimin e mëtutjeshëm të këtij projektligji, ai e quan cenim të demokracisë lokale.

Në një intervistë për 60 Minuta të KTV-së, Ibrahimi ka shtuar se në takimin e fundit të mbajtur me përfaqësuesit e komunave, përveç atij të Podujevës, të gjithë të tjerët njëzëri janë shprehur kundër procedimit të mëtutjeshëm të këtij projektligji, që sipas tyre ka shkelje kushtetuese.

“Ne si Asociacion i Komunave, por edhe kryetarët e komunave nuk kanë qenë të konsultuar fare sa i përket hartimit të këtij projektligji edhe pse prek kompetencat e komunave me këtë rast. Kryetarët e komunave kanë diskutuar sot sa i përket këtij projektligji dhe të gjithë njëzëri, përveç përfaqësuesve nga komuna e Podujevës, sot ishin 27 përfaqësues komunash në takim, që të gjithë i votuan qëndrimet që u përcollën nga kryetarët e komunave dhe kërkuan nga Asociacioni që të bëjë kërkesë zyrtare drejtuar nivelit qendror që ky projektligj të mos procedohet më tutje dhe të ndalohet sepse ka shkelje kushtetuese sipas disa kryetarëve komunash”, ka thënë ai.

Ibrahimi theksoi se kryetarët e komunave thonë që me zbatimin e këtij ligji në të ardhmen do të ketë ndërhyrje në kompetencat e prokurorisë së shtetit, të gjyqësorit e të hetuesisë.

“Qëllimi i themelimit të këtij ligji është kontrolli në shërbimin publik dhe disiplinimi përmes disa neneve që parashihen në këtë projektligj. Inspektorët kanë jashtëzakonisht fuqi dhe do të mund të hyjnë në secilën zyrë të zyrtarëve publikë, përfshirë kryetarët e komunave. Mund t’i marrin kompjuterët për inspektim publik. Kontrollimin e dokumentacionit, intervistimit të palëve, dëshmitarëve, kopjimi i audio-incizimeve që parashihen në këtë projektligj, nuk e di nëse kanë mundur t’i bëjnë më parë inspektorët e tjerë”, ka thënë ai.

Ai më tej theksoi se këtë e ka thënë në takim edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili ka qenë kryeinspektor i Punës.

“Ai deklaroi se nuk ka parë ndonjë eksperiencë që në ndonjë shtet demokratik të ketë një agjenci të tillë. Ka cenim të demokracisë lokale në këtë rast. Çdo veprim duhet të shkojë në përpjestueshmëri me interesin publik që është parim në kartën evropiane për qeverisjen lokale. Nëse kemi nevojë për ta krijuar një agjenci të tillë është mirë të ulemi e ta diskutojmë dhe jo të themelohet në takime të kabinetit të qeverisë pa diskutuar me ne fare”, u shpreh më tej Ibrahimi.

Siç shpjegoi ai, ky projektligj i lejon inspektorët që të kenë kompetencë që t’ja ndërprejnë punën një zyrtari publik pa vendim të gjykatës.

“Pra, i është dhënë kjo kompetencë pa asnjë proces. Kjo është shkelje shkelje në kompetencat e autoriteteve lokale. Nuk kemi nevojë për disiplinim”, tha ai duke e quajtur këtë vendim politik.

Qëllimi sipas Ibrahimit, është të ketë disiplinim dhe të ketë një kontroll.

“Me këtë, po shkelen parimet e funksionimit të shtetit ligjor dhe jo vetëm demokratik. Sot ishte vetëm një përfaqësues i Komunës së Podujevës në takim që ishte kundër. Në asnjë rast, që nga viti 2000 kur është themeluar Asociacioni i Komunave të Kosovës, një bashkëpunim i tillë minimal nuk ka ndodhur”.

Ai më tej ka njoftuar se si Asociacion kanë ngritur këtë shqetësim te Qeveria e Kosovës dhe do ta diskutojnë edhe me Avokatin e Popullit dhe me Agjencinë për Mbrojtjen e Privatësisë.