Ka vdekur në moshën 81-vjeçare shkencëtari i famshëm shqiptar dhe pedagogu Rifat Gjota.
Ai vdiq sot në Prishtinë si pasojë e një sulmi në tru.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët në rrjetet sociale.
Gjota u lind më 5 maj të vitit 1939 në Pejë.
Ai shkollën fillore e gjimnazin e kreu në Kosovë, ndërsa në vitin 1965 diplomoi në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Shkupit. Në vitin 1977 kreu magjistraturën në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Zagrebit, kurse në vitin 1985 doktoroi në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës. Ai me vite ka punuar profesor në Fakultetin e inxhinierisë elektrike në Prishtinë.
Mbi njëzet vjet punoi në zbulimin e elektromotorit me veti shumë më të përparuara se ai i gjertanishëm, i cili kursen energjinë elektrike në përqindje të konsiderueshme, sikurse edhe sasinë e bakrit të nevojshëm për ndërtimin e tij. Zbulimet e veta i regjistroi në SHBA me emrin “US Patent 4710661 - Winding arrangement of a stator and/or rotor of a three-phase generator or electromotor ëith improved performances”, kurse mënyra e ndërtimit të këtyre elektromotorëve quhet “rifatizim”.
Në vitin 2005 botoi librin “Makinat Elektrike Komplementare-Komplekse“.