Arbëri

Masakra e Reçakut – homazhe për viktimat, në pritje të drejtësisë

Të përvitshme janë homazhet për viktimat e masakrës së Reçakut, njashtu siç janë edhe kërkesat për drejtësi e akuzat ndaj Serbisë, e cila ende vazhdon të mohojë krimet si në këtë ngjarje, ku më 15 janar 1999 u vranë 45 civilë shqiptarë, përfshirë gra e fëmijë. Pos liderëve të Kosovës, të shtunën edhe përfaqësues diplomatikë kanë bërë thirrje që kjo ngjarje të mos harrohet kurrë

Për çdo vit Zylfie Mujota, e mbijetuar e masakrës së Reçakut, viziton varret e familjarëve të saj. Plagët i ka të freskëta e kujtimet e ditës së 15 janarit 1999 i përjeton sikur të kishin ndodhur sot.

“Kemi qëndruar gjithë ditën aty në ngjarje me të plagosur e me të vrarë. Kam babanë, xhaxhain, vjehrrin, kunatën (të vrarë), burrin e plagosur dhe sot ma kujton si atë ditë që ka ndodhur masakra e Reçakut”, ka thënë Mujota, njëra nga qindra qytetarët anekënd Kosovës që të shtunën kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Masakra e Reçakut” në 23-vjetorin e ngjarjes makabre ndaj shqiptarëve të Kosovës, ku u vranë 45 civilë, përfshirë këtu gra e fëmijë.

Te varret e viktimave të masakrës kanë qëndruar familjarë të tjerë që kanë kujtuar ngjarjet e para dy dekadave, edhe se si autoritetet serbe i tërhoqën trupat për obduksion për në kryeqytet nga xhamia e fshatit.

“Këtu e kam xhaxhain, djalin e xhaxhait, që i kanë masakruar, i kam kushërinjtë, katër kushërinj me mbiemrin Jakupi janë aty të shkruar. Ka qenë tmerr në atë kohë. Jo vetëm se i kanë bërë masakrat, por edhe i kanë marrë kufomat dhe nuk i kanë lejuar të varrosen me dinjitet”, ka thënë Afrim Jakupi, familjar i viktimave të masakrës.

Një nga vizitorët ishte edhe Imer Zogaj nga Malisheva që kishte marrë rrugë vetëm për t’i bërë nderime Reçakut në përvjetorin e ngjarjes së tmerrshme.

“Kam ardhur me dy vajzat nga Prizreni, megjithëse unë jam nga Lladrovci i Komunës së Malishevës, kam ardhur me gjithë krenari për t’i kujtuar të gjithë dëshmorët e heronjtë e Reçakut të cilët ranë për lirinë tonë”, ka thënë Zogaj.

Liderët institucionalë e përfaqësuesit ndërkombëtarë nga ana tjetër, i kanë bërë thirrje Serbisë që të mos i mohojë krimet e luftës. Të gënjeshtërt së fundi e kishte quajtur masakrën ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Theks në mohimin e krimeve të luftës patën liderët institucionalë dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier.

“Askush të mos e harrojë e mohojë atë që ndodhi këtu dhe arsyen për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe aleatet tanë erdhën për të mbrojtur popullin e Kosovës... Si përgjigje ndaj këtij krimi dhe krimeve të tjera, ShBA-ja dhe aleatët tanë të NATO-s vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit”, ka thënë Hovenier gjatë fjalimit të tij në ceremoninë përkujtimore për masakrën, e mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Shtime. Në mbështetje të kësaj deklarate është shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rhode, i cili e ka shpërndarë si citat me fotografinë e Hovenierit në Twitter.

Zotim që s’do të harrohet Reçaku ka dhënë edhe ambasadori i Britanisë, Nicolas Abbot.

“Këtë mëngjes iu bashkova kujtimit dhe nderimit të viktimave të masakrës së Reçakut. 23 vjet më parë, 45 civilë u vranë pa dallim dhe janë ende në pritje të drejtësisë. Ne nuk do ta harrojmë kurrë”, ka shkruar Abbot në një postim në Facebook.

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se mohimi i Serbisë paraqet edhe tendencë për akomodim të kriminelëve të luftës.

“Iu shua jeta mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, atë ditë Kodra e Bregushit siç njihet nga banorët lokalë, ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim i krimit kundër shqiptarëve, pasqyrim i synimit shfarosës e gjenocidal të regjimit të Millosheviqit. Tendencat për ta mohuar masakrën e Reçakut janë përpjekje e qartë për rehablilitimin e atyre që kanë kryer krime”, ka thënë Osmani.

E kryeministri Albin Kurti, ka thënë se një sërë faktorësh e bënë Reçakun të veçohej si masakër, duke përfshirë edhe informimin e mediave ndërkombëtare përmes fotografive dhe xhirimeve të kamerave, por edhe përkushtimi i diplomatëve të huaj lidhur me të.

“Vetëm kur çështja si masakër e fiton dinjitetin mediatik, vetëm atëherë viktima e një dhune të caktuar mund të mbërrijë të çajë drejt një publiku më të gjerë në botë. Çka nënkupton kjo? Duhet të shtohen aty edhe vëmendja edhe ndjeshmëria e disa personaliteteve diplomatike që mund ta ngrenë zërin. Duhej edhe imazhi edhe kamerat, duheshin pra një mori faktorësh për ta sjellë masakrën në skenën e gjithanshme ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, që solli vëmendjen ndërkombëtare në Kosovë në janarin e 1999-s, në ceremoni ka dhënë mesazhin e tij nëpërmjet një videoje.

“Çdo vit që nga 1999 ka pasur ceremoni përkujtimore për Reçakun. E kam parë që çdo vit është rritur rëndësia e tij. E kam parë që është rritur rëndësia e të kuptuarit të asaj që ka ndodhur në Reçak dhe se çfarë ka sjellë ai”, ka thënë Walker

“Human Rights Watch” kishte konkluduar që sulmi ishte i planifikuar nga niveli i lartë i Qeverisë Serbe. Në një raport të organizatës ndërkombëtare joqeveritare për të drejtat e njeriut shkruhet se fshati i Shtimes ishte sulmuar edhe më herët, madje me bomba në gusht 1998, duke bërë që shumica e banorëve të largoheshin. Nga rreth 2000 vetë që nga atëherë Reçaku kishte mbetur me rreth 400 vetë. Si shkas i sulmit HRW-ja përmend një aksion të UÇK-së më 8 janar, ku siç thuhet në raport, tre policë serbë u vranë dhe një u plagos. Të shtënat filluan që nga mëngjesi i hershëm, në 5 të mëngjesit siç do të raportonte asokohe “KOHA Ditore”. Në orën 7, fshatin e kishin rrethuar dhe shtëpitë sulmoheshin edhe me artileri të rëndë. Hanumshahe e Bajram Mehmeti u vranë me granata. Në mënyra makabre e monstruoze u vranë edhe të tjerët.

“Shtatëmbëdhjetë kufoma të grumbulluara në një vend, me duar të shtrënguara, gojëhapura, kokëshpuar nga plumbat e shtënë nga afërsia, ishin vetëm disa nga më se 48 viktimat e sulmit të djeshëm të policisë e ushtrisë serbe kundër fshatit Reçak të Shtimes”, kishte shkruar “Koha Ditore” më 17 janar 1999.

Rasti i masakrës së Reçakut qe i përfshirë edhe në gjykimin e Slobodan Millosheviqit, i cili vdiq pa u dënuar për krime lufte.