Ish-kandidati për asamblist në Deçan i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, Musa Lekaj, ka bërë të ditur se ka marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale në Hagë, që të intervistohet këtë muaj.
Lekaj e ka quajtur të çuditshme ftesën, duke thënë se në kohën kur ka filluar lufta në Kosovë, ai ishte vetëm 6 muajsh.
“Çuditërisht dje kam mare ftese nga Zyra e Prokurorit te Specializuar ne Hage qe te intervistohem me daten 18.01.2022, ani pse ne kohen kur filloi lufta ne muajin Mars 1998 une kam qene vetem 6 muajsh!!”, ka shkruar Lekaj në Facebook.
Çuditrisht dje kam mare ftese nga Zyra e Prokurorit te Specializuar ne Hage qe te intervistohem me daten 18.01.2022, ani pse ne kohen kur filloi lufta ne muajin Mars 1998 une kam qene vetem 6 muajsh!!
Posted by Musa Lekaj on Saturday, January 15, 2022
Gjykata Speciale po gjykon krimet e kryera në luftën e fundit në Kosovë. Disa prej ish-komandantëve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin e Kadri Veselin janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë, që nga viti 2020, nën dyshime për krime ndaj njerëzimit gjatë luftës.
Arrestimet e ish-komandanteve erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.