Arbëri

Qeveria jep tri argumente pse është kundër referendumit të Serbisë në Kosovë

Tri argumente i ka përmendur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, se pse institucionet e Kosovës janë kundër organizimit të referendumit të Kushtetutës Serbe, brenda territorit të Kosovës.

Në Interaktiv të KTV-së, Kryeziu ka përsëritur qëndrimin e prerë të Qeverisë kundër këtij referendumi. Ai ka thënë se argumentimi është bërë edhe në mbledhjen e së premtes që tre krerët e shtetit patën me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.

Për argument të parë ai ka thënë se Serbia me këtë kërkesë për të mbajtur referendum kushtetues po mundohet të shtrijë sovranitetin brenda territorit të Kosovës. “Kjo s’ka të bëjë fare me përfshirjen e qytetarëve serbë të Kosovës, por më shumë shtrirje të Kushtetutës mbi Kosovën. Mbështesim këtë në faktin se s’po synohet të organizohet referendumi në asnjë shtet tjetër fqinj të Serbisë, ku ka serbë”, ka thënë ai.

Si argument të dytë, Kryeziu ka thënë se Serbia me referendum po mundohet t’i riaktivizojë strukturat ilegale. “E dimë se ato tashmë do të duhej të ishin shuar në bazë të marrëveshjeve të dakorduara në dialog. Për rolin e OSBE-së në këtë mes e dimë se është goxha i kufizuar. Reduktohet vetëm në grumbullimin e fletëvotimeve. Të gjithë organizimin tjetër logjistik do ta kishte bërë struktura ilegale. Prandaj nëse i themi po referendumit, u themi po strukturave ilegale”, ka vazhduar Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se si argument të tretë Qeveria e përmend që mbështetja në kërkesën e Serbisë që të organizojë referendumin duke u bazuar në praktikat e mëhershme nuk e plotëson domosdoshmërinë për ta realizuar. Ai ka thënë se Kosova ia ka ofruar praktikat e reja dhe demokratike Serbisë, që qytetarët me dy shtetësi të votojnë me postë apo nëpërmjet zyrës ndërlidhëse.