Arbëri

Pensionistët kërkojnë rritje të pensionit varësisht prej inflacionit

 

Sekretari i organizatës komunale të pensionistëve në Prishtinë, Asllan Asllani, ka thënë se rritja e bërë nga Qeveria nuk e mbulon rritjen e çmimeve. Më këtë, sipas tij, as kjo qeveri e as ato para saj nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor. “Pensionet që jemi duke i marrë ne, si ne kontributpaguesit, si ata që po u thonë pension bazë, nuk mjaftojnë për të jetuar. Ato janë lëmoshë. Nuk ka mundësi që të jetohet me një pension që i thonë këta pension. Është lëmoshë që i jepet një fukaraje”, është shprehur Asllani

Pensionistë e përfaqësues të tyre kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që rritja e pensioneve të bëhet ashtu siç e parasheh Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti. Bazuar në këtë ligj, pensioni duhet të përcaktohet varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual. Varësisht prej këtyre faktorëve, në fund të çdo viti, Qeveria, me vendim të veçantë, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj.

“Harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës do të bëhet një herë në vit, duke rritur shumën e pensionit që duhet paguar me të njëjtën përqindje bazuar në indeksin e kostos së jetesës të vitit paraprak”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 14 të këtij ligji.