Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë periudhës së festave të fundvitit dhe pjesës së parë të muajit janar, janë realizuar rreth 2,000 inspektime në nivel vendi, nga të cilat janë shqiptuar 300 gjoba ndaj operatorëve ekonomik, në kuadër të përpjekjeve për mbikëqyrjen e zbatimit të masave COVID.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë mbyllur 75 lokale të gastronomisë për shkak të mos respektimit të këtyre masave.
“AUV gjatë kohës së mbajtjes se festave të fund vitit dhe këtyre dy javëve të para ka rritur numrin e kontrolleve zyrtare, duke realizuar rreth 2000 inspektime në nivel vendi, gjatë të cilave janë shqiptuar 300 gjoba ndaj operatorëve ekonomik, e po ashtu janë mbyllur 75 lokale të gastronomisë. Janë ndryshuar planet operative të punës për kontrollet zyrtare në koordinim me Policinë e Kosovës. Në vazhdimësi po rrisim numrin e kontrolleve, e po ulim tolerancën ndaj shkelësve, për secilën pikë të vendimit do të pasoj masa ndëshkimore”, thuhet në njoftim.
Po ashtu është bërë e ditur se vetëm në rajonin e Prishtinës, mbrëmjen e së mërkurës janë shqiptuar 172 gjoba për mos respektim të masave anti-COVID.
Policia dhe AUV-i po kanë sqaruar ndërkohë rrethanat lidhur me një rast të inspektimit në komunën e Graçanicës.
“Me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik dhe mediave të cilat i referohen një veprimi të institucioneve në komunën e Graçanicës, ju informojmë se në lokacionin në fjalë sipas detyrës zyrtare Policia e Kosovës vetëm ka asistuar inspektorët e AUV-it në realizimin e detyrave të tyre, për mbikëqyrje të zbatimit të masave ndaj pandemisë COVID-19, veprime këto të cilat ndërmerren në nivel vendi, aty ku ka informacione për grumbullim apo mosrespektim të masave ndaj pandemisë”, thuhet në njoftim.
Gjatë muajit janar rastet ditore me COVID-19 po shkojnë duke u shtuar dita-ditës. Vetëm gjatë ditës së enjte, janë regjistruar dy raste të vdekjes e 427 raste pozitive me COVID-19.