Arbëri

Borrell për referendumin e Serbisë: Të lejohen njerëzit të votojnë në Kosovë

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka folur për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe se në të kaluarën mbledhja e votave në Kosovë është bërë përmes lehtësimit nga OSBE-ja.

“Dje fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin lidhur me mbledhjen e votave në Kosovë për referendumin kushtetues të së dielës në Serbi. Mbledhja e votave në Kosovë në të kaluarën është bërë përmes lehtësimit nga OSBE. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka njoftuar për bisedën me Borrellin.

Kurti ka thënë se Borrellit ia ka përcjellë qëndrimin në lidhje me mundësinë e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovës. Ai ka ripërsëritur se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në Zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.

“Në një telefonatë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, ia përcolla qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në refereundimin e Serbisë nëpërmjet postës apo në Zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Një referendum në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar në asnjë vend demokratik”, ka shkruar Kurti në Twitter.