2 perditesime
12:55

“Ata janë tërnakopa”, Haradinaj kërkon të ndërrohet përkthyesi në Speciale

Pak çaste pasi Nasim Haradinaj, i akuzuar nga Specialja, i quajti personat që ua ka dorëzuar materialet, “tërnakopa” (kazma), pati një kërkesë për trupin gjykues.

Derisa po dëshmon para Prokurorisë së Speciales për të dytën ditë rresht, Haradinaj kërkoi që të ndërrohet përkthyesi, pasi siç tha, nuk po e kuptojnë. Në fakt, ai u irritua me shumë pjesë gjatë marrjes në pyetje nga prokurori special, të cilit duke i kërkuar falje iu drejtua me një gjuhë të ashpër duke i thënë "mos e luaj rolin e budallës".

“S’kam publikuar asnjë dokument ku shihet asnjë emër, asnjë shkrim çka di unë të redaktoj? Je ka më ngarkon me kompetenca që i ke ti këtu për t’i bërë ato redaktime dhe mua po më ngarkon me kompetencat tuaja që është t’i ruash dokumentet tua. Unë nuk kam pasur nevojë të redaktoj asgjë sepse nuk kam publikuar asgjë dhe nuk kam dashur t’i hyjë asaj pune sepse s’ka qenë punë e imja. Ata që kam menduar që dinë dhe janë më profesionalistë dhe dinë se çfarë duhet bërë, ua kam dorëzuar, ashtu e kam menduar se janë profesionalë, unë nuk e kam ditë që janë tërnakopa. E vërteta është se atë çfarë është dashur ta bëjë unë e kam bërë, kam treguar se çfarë na ka ardhur”, u shpreh Haradinaj.

Derisa citoi përgjigjen e tij se nuk ka redaktuar dhe nuk ka dashur të redaktojë asgjë, prokurori e pyeti Haradinajn nëse me “nuk kam dashur të redaktojë asgjë” dëshiron të thotë se nuk ka dashur të redaktojë emra, Haradinaj u nervozua dhe replikoi duke thënë “z.Prokuror më vjen keq që duhet t’ju drejtohem me këto fjalë, mos e luaj rolin e budallës kishe nuk po e di se çfarë thashë, ose edhe një herë po them kërkoj të ndërrohen përkthyesit sepse nuk je ka e kupton se çfarë jam duke thënë”.

E gjithë kjo nisi kur prokurori e pyeti nëse dërgesat ua ka bërë të ditura njerëzve sepse nuk donte që të akuzohej për fabrikim apo falsifikim të dokumenteve.

“Unë po them se s’kam pasur nevojë as me redaktuar e as mos me i redaktu. Nuk ka qenë qëllim im me i publiku. Qëllimi im ka qenë më tregu çfarë ka ardhur. Ti mendo çfarë të duash në kokën tënde, mendimi im është ky”, ka shtuaqr Haradinaj. “Nëse e quan publikim lëvizjen e dosjeve nga një vend në tjetrën dhe atë brenda objektit atëherë jam fajtor. Këtë do ta them edhe 3000 herë nëse më pyet. Nuk ishte qëllim i imi me publiku. Kam ftuar konferencë për hir të interesit publik dhe transparencës me tregu çfarë na ka ardhur”.

Ai ka akuzuar ZPS-në se e ka bërë monstrum OVL-UÇK-në.

E keni bërë monstrum organizatën e veteranëve. Z. prokuror organizata e veteranëve nuk është ajo që mendoni ju. Është sindikatë. S’ka asgjë ushtarake. Nuk jemi ata që na paraqisni. Kemi qenë njerëz që jemi detyruar të luftojmë, na është imponuar lufta. Kemi kryer misionin tonë disa kanë vdekur, disa janë plagosur, disa po vdesin përditë. Edhe si specie, po e them në mënyrë biologjike, jemi në zhdukje e sipçër. Dhashtë Zoti që kurrë të mos ketë më veteranë të rinj në shtetin tim apo të dikujt. Kjo është dëshira ime si veteran, se nuk është e mirë, është vuajtje, është tmerr. Prandaj mos i paraqitni gogol veteranët”.

Më pas Haradinajt i është treguar një video gjatë një debati.

Haradinaj sërish ka kritikuar përkthyesit.

“Z. prokuror përbesë jam duke menduar përtej fatit tim në këtë Prokurori. Nëse e kuptoni kështu shqipen qysh e transmeton çfarë ka thënë këtu, të mjerët ata që ballafaqohen me ty e me ju. Të jetë vërejtje për të gjithë ose po e ndërroni qëllimshëm mendimin tim ose nuk është përkthyer esenca që flitet këtu”, ka thënë Haradinaj.

12:18

Haradinaj - ZPS-së: Me këtë qasje selektive po e fyeni një popull

Ish-sekretari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se nuk ka dashur qëllimshëm ta kapë personin që dorëzonte materialet në OVL-UÇK.

Haradinaj ka thënë se në vend se të ruanin objektin e OVL-UÇK, ata kanë përcjellë veteranët.

“Pse nuk erdhët me kap. Hera e parë ka mundur të jetë befasi për ju e për ne. Por, edhepse premtoi se do të sjellë prapë, nuk erdhët me kap. Na përcjellshi rrugëve, pse se përcjellshit ndërtesën. Prandaj dyshoj se ishte kurth. Kurrë s’keni nevojë me na përcjellë ne veteranët. OVL-UÇK është transparente. Kurrë s’keni nevojë me u frikësu as tash e tutje. Por, me na fyer s’pranon kërkush. Po e fyeni një popull me këtë qasje selektive. Vet momentin që nuk doni të zbuloni gjitha krimet e kryera në Kosovë është fyrje dhe është mbulesë e krimit”, ka thënë Haradinaj duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit. “Ne jemi të zbulohen të gjitha krimet z. prokuror. S’keni me pas problem kurrë me veteranët, as pengesë, veteranët kanë vetëm kërkesë që të shtohet volumi i punës. Të zgjerohet. Por e keni ngushtuar nuk doni të dilni përtej llupës që e keni vendosur qëllimshëm. E kjo pastaj sipas mendimit tim është politikë. Keni qëllim, ende pa na sjellë keni qëllim. Ky është mendimi im për ju, e i shumicës së veteranëve. Këtë mendim e kanë edhe shumica në Kosovë, kështu flitet në opinion në Kosovë”.

Seanca ka shkuar në pauzë. 

11:24

Haradinaj thotë se gazetarët duhet të mbahen përgjegjës nëse janë publikuar dosjet e ZPS-së

Ish-sekretari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se gazetarët duhet të marrin përgjegjësinë nëse janë publikuar dosjet e ZPS-së.

Haradinaj duke iu përgjigjur në pyetje të ZPS-së në seancën që po mbahet sot në Hagë, ka thënë se përgjegjësia e tij është vetëm se ka marrë dosjet nga zyra ku kanë ardhur dhe i ka sjellë në sallën ku është mbajtur konferenca për media.

“E këqyra listën e njerëzve Zekirija Shabani është këtu. Më vjen keq kur pash Halil Berishën, pasi ky është dashur të vijë këtu. Ky i ka bërë këto. Tash po bindna se ky e ka shti me marr komplet dosjen. Vetëm gazetari i tij e ka bërë këtë, nuk ka ndodhur në tri konferencat që me marr dikush komplet dosjet. E ka marrë me direktivë të tij dhe ju ka thirrur juve me provoku. Po them të drejtën më hetues ka qenë ky atë natë se gjithë inspektorët që ju i keni sjellë. Ka bërë punë të mirë për ju e të njëjtën anë mundohet të shtiret ndryshe. Ky e di çfarë ka bërë këtu. Është një prej gazetarëve që z. gjykatës unë thash se na kanë provokuar”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se ata që i kanë publikuar dokumentet duhet marrë përgjegjësi.

“Vetëm gazetari i tij ka kërkuar dokumentet komplet. Të tjerët kanë marrë ndonjë fletë apo vetëm kanë shleftuar. Ky e ka kryer porosinë e juaj. E keni porositur me ardhë me i marrë dhe ju ka lajmëruar pas 20 minutave. E kanë parë që kanë bërë gabim e janë munduar që me na kthyer vuajtjet e tyre tek ne. Detyra jonë, ka qenë 16 metra brenda lokalit ku i kemi mbajtur gjërat. Prej një dhome në tjetër i kemi bartur. Kjo është përgjegjësia jem që e pranoj se e kam bërë. Pavarësisht se kush i ka mbajtur, unë kam rreh gjoks e kam mbajtur konferencën. Këtë e kam bërë unë, por kaq përfundon veprimi jem. Por nuk e kam shti askënd me i publiku”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtura se ato që ka parë në materiale i ka ditur shumë kohë më parë dhe nuk ishte diçka e re për të.

Ndërkohë në pyetjen e prokurorisë se nëse ka parë shenjën top-sekret në materiale, ai ka thënë se ka materiale të tilla sheh në internet që janë top-sekret por publikohen me kalimin e kohës.

“E lexoj përditë në revista që qesin topsekrete të mëhershme. Mua nuk më është sqaruar se është top sekret. Jo mua por askujt. Si mundet me kon diçka topsekret e me ardhur publikisht në zyrat tona. Të lutem është turp të dëgjojë ndokush këtë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se e ka ditur që materiali nuk bën të shumohet e të shpërndahet në publik. Dhe se nuk e ka bërë asnjë nga këto.

“Po të doja do t’i bëja vet publike ato materiale. Këtë u kam thënë edhe gazetarëve. Nuk e kam bërë se nuk jam profesionist, ‘skam qenë gazetar e as nuk ishte e jemja kjo. E jemja ishte të mos na montoj dikush diçka. Shumë më keq do të na shihnit sot sikur t’i mbaja dosjet 3-4 javë e të mos dilja në ato konferenca. Se kemi bërë. Ka mundur asnjë flet të mos e marrë asnjë gazetar. Ka mundur edhe të mos vijë në konferencë, si ka bërë Halili e Zekirija, pas konferencës së parë”, ka thënë Haradinaj.