Ambasada Britanike është shprehur e befasuar me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), që të mërkurën shpalli konkurs për kryeprokurorin e ri të shtetit.
Ambasada përmes një njoftimi në llogarinë e saj në Facebook, ka treguar se ka ofruar mbështetje edhe për këtë proces, porse është anashkaluar.
“Ambasada britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK-ja, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën (konkursin v.j.) pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK-ja të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.
Kryeprokuror aktual është Alelsandër Lumezi, por atij në prill i përfundon mandati.
Në të vërtetë, kjo ambasadë dhe Kuvendi e Qeveria e Kosovës, në qershor të vitit të shkuar firmosën Memorandum mirëkuptimi për mbikëqyrjen e rekrutimit të pozitave të larta.
Memorandumi ka për qëllim të sigurojë emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmjet proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit.
Këso lloj bashkëpunimi me këtë ambasadë ka pasur edhe në vitet paraprake.