Arbëri

Haradinaj prokurorit të Speciales: E keni kapur drejtësinë

Është duke vazhduar intervistimi i Nasim Haradinajt nga mbrojtja e tij në Dhomat e Specializuara. Deri më tani ai ka rrëfyer momentin kur ishte arrestuar nga EULEX-i në Prishtinë, më 25 shtator 2020, derisa replika të ashpra ka pasur edhe me zyrtarin e Zyrës së Prokurorisë Speciale (ZPS).

Haradinaj deklaroi se deputetët që e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale, e kanë fajin që “prokurori ta uzurpojë drejtësinë”.

“82 parlamentare që e kanë çuar gishtin pa e ditur se çka po bëjnë, fajin e kanë deputetët e Kosovës që ta kanë mundësuar ty zotëri prokuror t’i uzurposh kompetencat edhe të Gjykatës Kushtetuese, edhe të Avokatit të Popullit edhe të drejtësisë. Nuk pyetet askush më në Kosovë”, deklaroi ish-zyrtari i Organizatës të Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Prokuroria shpesh fjalët po i spekulon, ose duhet pranuar që nuk dinë dhe po referohet kësaj. Spiunët e dimë krejt bota se kush janë, spiunët janë bashkëpunëtorët e regjimit komunist në atë kohë që më kanë përcjellë dhe që vazhdojnë fatkeqësisht ende të jenë në krye të qeverisë sime, nuk ka të bëjë me spiunë të këtyre. Bashkëpunëtorët janë ata të cilët edhe gjatë kohës së luftës, fatkeqësisht edhe shqiptarët që unë po lypi që dhe ta kjo prokurori t’i hetojë, kanë kryer krime së bashku me forcat serbe”, ka thënë ai.

Prokurori ka vijuar me pyetjet rreth rastit të dëshmitarëve dhe dosjeve që kanë dalë në publik.

Haradinaj tutje potencoi se nuk i komenton deklarimet e dëshmitarëve të tjerë që kanë dëshmuar para trupit gjykues.

Aktualisht seanca ka shkuar në pauzë.