Haradinaj: Ardhjen e dokumenteve të Speciales e morëm si shantazh

- 19:15Haradinaj: Ardhjen e dokumenteve të Speciales e morëm si shantazh
- 16:46Haradinaj heq përgjegjësinë nga OVL-ja, fajëson gazetarët për manipulim
- 16:24Haradinaj: Në dosjet e Speciales kam parë tmerr, falënderoheshin prokurorët serbë
- 13:04Haradinaj: Jam pro zbulimit të të gjitha krimeve, prokuroria po e sulmon UÇK-në
- 11:50Haradinaj thotë se ka hasur në “Kosova Metohija” në dokumentet e Speciales
- 10:30Nis seanca gjyqësore ndaj Gucatit e Haradinajt
Haradinaj: Ardhjen e dokumenteve të Speciales e morëm si shantazh
Fitim Gashi
Frika nga shantazhi dhe dyshimi për vërtetësinë e dokumenteve janë përmendur si arsyetim për publikimin e dosjeve të supozuara të Dhomave të Specializuara nga nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Në dëshminë tij para Dhomave të Specializuara, Nasim Haradinaj ka ngritur dyshime se Prokuroria e ka provokuar qëllimshëm OVL-në e UÇK-së.
“Menduam se ishte shantazh ato që na erdhën, kështu që vendosëm të mos i mbanim fshehtë. Prandaj ishte me rëndësi që t’i qesim sa më shpejt, megjithëse kemi pasur dyshime për autenticitetin e atyre dokumenteve”, ka thënë Haradinaj.
“Mua nuk më brengos fati personal, as i imi, as i kurrkujt, nëse individualisht përgjigjem për diçka dhe duhet të përgjigjem nëse e kam bërë. Por jo me këtë të na sulmoni diku më keq, që pastaj me u bë pishman edhe bota pse na paska ndihmuar. Këtu është esenca për çka unë është dashur të jem transparent dhe ka qenë në interes të publikut. Kjo është esenca jonë e kundërshtisë, që Gjykata Speciale është monoetnike, selektive dhe arbitrare dhe vazhdimisht ka krijuar precedent që ne të reagojmë”.
Haradinajt i janë dorëzuar në formë të shkruar disa emra për të cilët gjykatësi i ka kërkuar të përgjigjet pa ua zbuluar identitetin. Për njërin prej tyre, zyrtari i OVL-së ka thënë se ka qenë emisar i Milosheviqit për t’i ndjekur ekzekutimet e shqiptarëve në Kosovë.
“Qenka shumë emër i njohur dhe që ka bazë për me qenë në bankë, nëse jo si i akuzuar, atëherë si dëshmitar i pjesës së vet. Por ja që ky ka arritur dhe është bërë koordinator këtu. Kjo është ajo që e shqetëson opinionin kosovar. Mendoj që është shqetësuese për vetë këtë prokurori, është turp me e pasë atë si referencë. Si mund ta kesh referencë e koordinator një kriminel të njohur, nuk është që po e them unë”, ka theksuar Haradinaj. Ai ka komentuar edhe përmbajtjen e dokumenteve, duke thënë se kanë qenë letra falënderuese për zyrtarët serbë.
“Pamë që kanë qenë më shumë korrespodenca të kryeprokurorit, zëvendëskryeprokurorit, korrespodenca me Vukqeviçin, me numrin katër, se nuk latë me ja përmend emrin, do të thotë koordinatorin. Përveç korrespodencës ka pasur edhe fletëfalënderim për bashkëpunimin e mirë që po e bëjnë dhe kontributin që po e japin për këtë zyrë të prokurorit. Për mua ka qenë dëshpëruese, është shumë dëshpëruese edhe sot”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka shprehur shqetësim se edhe dokumentet që i janë vënë në dispozicion nga Specialja janë me termin “Kosova dhe Metohija”.
Në pjesën e parë të seancës, Haradinaj është përgjigjur në pyetjet rreth biografisë së tij, pjesë kjo që është kundërshtuar nga Prokuroria.
“Një pjesë të jetës jam rritë në Kosovë deri në moshën 17-vjeçare e gjysmë, ndërsa pjesën tjetër të jetës jam rritë në Serbi në burgjet serbe, derisa në vitet ‘90 kam kaluar si klandestin në Suedi. Ma kanë burgosur vëllanë tjetër Agronin, 16-vjeçar, dhe e kanë dënuar tre vjet e gjysmë”, ka thënë ai.
Dëshmia e Nasim Haradinajt, që filloi të martën, pritet të zgjasë tri ditë, ndërsa është bërë e ditur që avokati kosovar Tomë Gashi nuk ka mundur të udhëtojë për të dëshmuar në Hagë, për shkak të infektimit me koronavirus.
Haradinaj dhe kreu i OVL-së, Hysni Gucati, akuzohen për shpërndaje të informacioneve sekrete në lidhje me hetimet e Task Forcës hetimore speciale. Sipas Prokurorisë, të dy janë përgjegjës për pengim të personave zyrtarë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Haradinaj heq përgjegjësinë nga OVL-ja, fajëson gazetarët për manipulim
Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se gjithçka që përmbanin dosjet të cilat u lanë para derës së organizatës, ishin informacione që diheshin. Në pyetjet e drejtuara nga mbrojtja, Haradinaj ka thënë se kishte lajmëruar mediat për dokumentet kur erdhën, dhe sipas tij, në to ishte ajo “çka është folur para dy muajsh dhe dukej si draft-akuza ndaj Thaçit”.
Më tej, ka treguar se në dosje kishte parë emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ndërsa shtoi se nuk ka përmendur asnjë emër tjetër.
Ai ka thënë se të tjerë njerëz futnin emra të tjerë nga ata që ishin në dokumente, por këmbënguli se OVL-ja nuk kishte dhënë emra tjerë. Këtu përfshiu gazetarë e media, për të cilat tha se kanë dhënë mendimin e vet për të bërë lajm, jo të bazuar nga informacionet e sakta që jepeshin nga OVL-ja.
“Jo, ata emra që kanë qenë të shkruar, nuk kam mundur të cekë të tjerë emra. Ka pasur emra të fshatrave, si Radoniqi e të tjerë, ato që kanë qenë të cekura. Informacioni ka qenë jo vetëm kombëtar por ndërkombëtar, sepse ka qenë atë ditë presidenti që është kthyer nga Amerika. Nuk ka qenë asgjë e fshehtë, asnjë gjë, është diskutuar dy muaj kjo çështje. Bile njerëzit futshin emra të tjerë, që nuk i kam parë aty, secili gazetar dilte me mendimin e vet me bë lajm, kinse po di diçka. Është kulturë e disa mediave të pakontrolluara në Kosovë, me bë lajm, sidomos portalet, por edhe gazetarë që paguhen që e dinë vetë kush i paguan”.
Haradinaj ka thënë se dosjet u dorëzuar mediave për ta hequr barrën nga organizata, kurse shtoi se, gazetarët kanë manipuluar me to.
“Kemi dashtë ashtu siç kanë qenë me ua dorëzua gazetarëve, qëllimi ynë ka qenë të jemi transparent dhe me e heqë si barrë prej nesh. do ishte shumë më keq sikur t’i mbanim aty dhe të manipulohej me to. Edhe aq sa është manipuluar, është manipuluar nga gazetarët, që nuk është përgjegjësi e jona. Të vetmin gabim nëse e paskemi bërë, është se e kemi marrë prej zyrave tona dhe i kemi dërguar një kat më lartë zyrës sonë. Asgjë tjetër nuk kemi bërë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mediat kanë marrë shumë dokumente dhe se organizata nuk i ka mbikëqyrë.
“Kanë marrë shumë. Nuk e kemi këqyrë më. Kanë qenë të shpërndara ato”.
Foli edhe për kontaktin me ZPS-në. Haradinaj tha se ZPS-ja nuk ka qenë fort e interesuar t’i merrte menjëherë dokumentet.
“Nuk kanë qenë fort të interesuar të ngjiten aty lartë. I kam thënë ka gazetarë dhe nëse je interesuar hip dhe merri. Ka thënë bisedojmë ne njëherë dhe pastaj ngadalë është ngjitë, i ka marrë dhe i ka sjellë poshtë. Ka thënë po i marrim dhe e ka marrë një fletë, dhe meqë kemi qenë përballë të ulur e di që ia ka zgjatë kryetarit për ta nënshkruar. Kryetari është invalid dhe distanca ishte e lartë, i thash a bën unë ta marr, e mora dhe e nënshkrova. E ka marrë atë çantë dhe ka dalë. Këto të tretat i kam nënshkruar unë, por në këtë formë i kam nënshkruar. Pastaj nuk e di më a ia ka dorëzuar kryetarit apo çka”, ka thënë Haradinaj.
Seanca do të vazhdojë të mërkurën.
Haradinaj: Në dosjet e Speciales kam parë tmerr, falënderoheshin prokurorët serbë
Nasim Haradinaj ka thënë se në dokumentet që kishin arritur në organizatë, kanë parë korrespodenca të kryeprokurorit të ZPS-së me prokurorë të Serbisë ku ndër të tjera ka thënë se ishte edhe një letër-falënderim që ZPS-ja u kishte drejtuar atyre. Haradinaj po vazhdon dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës rreth paketave që ishin sekuestruar në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se dosjet nuk i kanë kopjuar dhe as nuk kanë pasur interesim për emra të dëshmitarëve apo për publikimin e tyre.
Sipas tij, ngjarja me dokumentet e arritura nga një person i panjohur në OVL-UÇK, ishte në interes për publikun dhe organizata e ka bërë të ditur për shkak të transparencës.
“Pamë që kanë qenë më shumë korrespodencë e kryeprokurorit, e zëvendës-kryeprokurorit, korrespodencë me Vukçeviçin, me numrin katër, se nuk latë me ja përmend emrin do të thotë koordinatorin, përveç korrespodencës ka pasur edhe fletë-falënderim për bashkëpunimin e mirë që po e bëjnë dhe kontributin që po e japin për këtë Zyrë të prokurorit. Për mua ka qenë dëshpëruese, shumë dëshpëruese është edhe sot. Nuk e kam parë asnjë falënderim të ndonjë organizmi të shtetit tonë, as prokurorisë sonë, as ndonjë shqiptar. Ndoshta ka mundur me qenë se unë të gjitha faqet nuk i kam shikuar, por në ato që i kam shikuar nuk e kam parë. Kam parë kërkesa, që kishin thirrur t’ua sigurojnë vendet në Serbi, personave të caktuar, tmerr kam parë, për aq pak që kam parë, tmerr kam parë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se konferencat i kanë thirrur për shkak të interesit publik.
“Mbi bazën e transparencës, ka qenë i ngulfatur opinioni me lloj-lloj thashethemesh, ka qenë i ngulfatur, replika, mendime të ndryshme, spekulime, nuk ka pasur send më të nevojshme se sa me qenë transparent me publikun me u pa se çfarë janë këto, çfarëdo qofshin, qofshin provokim, qofshin kurth, qofshin vet të tyre, ka qenë interes kjo me u ditë çka po bëhet. Ne do të kishim bërë në një farë mënyrë thyerje të ligjit të demokracisë, transparencës dhe interesit publik po të mos e kishim bërë këtë punë”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se Zyra e Prokurorit të specializuar nuk i ka kontaktuar pas daljes publike përmes konferencës.
“Zotëri avokat sa për dijeni, dy orë prej Prishtinës derisa më kanë sjellë këtu, këta e kanë pasur 15 minuta zyrën deri në zyre tonë, këta të kishin dashur, hajde mirë të parën herë, por dytën herë e të tretën herë kurrë nuk kishin mundur të mbërrijnë gazetarët para tyre, se informata ka qenë publike. Dhe potencial kanë pasur boll se e pamë atë ditë kur arrestuan, mbi 50 forca të armatosura me maska, pa maska, pushkë e të gjatë e snajperë, kështu që edhe potencial kishin pasur boll t’i rrethojnë të gjitha me i marrë, edhe kush nuk ua kish ndalë, sepse nuk ua kemi ndalë kur kanë ardhur t’i marrin, ua kemi dhënë”, ka thënë Haradinaj.
Nasim Haradinaj ka treguar që një ditë pas datës 7 shator 2020 kur kishin arritur dosjet e para në OVL-UÇK, ai kishte udhëtuar për në Shqipëri në një pushim të planifikuar paraprakisht me familje.
Sipas tij, pas disa ditëve derisa po kthehej në Kosovë, të zona e kufirit, ai është përcjellë nga një veturë të cilën fillimisht ka thënë se nuk i ka kushtuar mjaft vëmendje por më vonë ka ardhur në përfundim se mund të ketë qenë nga hetuesit e Speciales.
“Shqetësimi i madh i parë ishte tentimi për të na sabotuar neve ose të na montohet diçka, sepse dikujt nuk i shkonim për qejfi, në fakt nuk i shkonim për qejfi as qeverisë, as Dhomave të Specializuara. Shqetësimi i dytë ishte nëse janë të vërteta, ishte skandal se asnjëherë nuk kemi guxuar ta besojmë që kanë rrjedh prej tyre, ishte e pabesueshme sepse krejt arsyeja që ne u bë me dalë këto gjykata jashtë Kosovës ka qenë mbajtja e sekretit, kjo ka qenë, mos mundësia e keqpërdorimit të dokumenteve dhe dukej e palogjikshme të vinin prej atje tek ne, ky nuk është shqetësim i vogël as sot”, ka thënë Haradinaj.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./KSP
Haradinaj flet për pakon e tretë të dokumenteve
Ish-nënkyretari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, në seancën e sotme në Speciale, ka folur lidhur me dosjet që janë sjellë në zyrat e organizatës.
Haradinaj ka treguar se në momentin e tretë kur janë sjellë dokumente, personi që i sillte vetëm i ka hedhur ato në korridor grumbull, i ka bërtitur sekretares së organizatës që të mos e pengojë dhe se herën e ardhshme do të sjellë CD.
“Nuk ishin paketë hiq. Këto kanë qenë si fletushka të gjuajtura, kur kemi parë në monitor i ka gjuajtur më larg në fillim të korridorit, i ka nxjerrë prej trupit. Nuk kanë ardhur këto në paketë, ndryshe nga dy të parat. Edhe me Taiben ishte sjellë ndryshe, i kishte thënë mos më pengo, tjetër herë ju sjelli CD”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka treguar për praninë e oficerëve të KFOR-it dhe se kur ata kanë pyetur nëse mund të shohin se çfarë janë ato dokumente, ka menduar se ishte provokim.
“I pamë ishin tri tuba me përmbajtje diku të njëjta, 100-120 faqe. Nuk i kam numëruar saktë. Por flitej për një akuzë ndaj presidentit Thaçi. Më kanë thënë oficerët e KFOR-it a bën me i fotografu, e kam marrë si provokim. Dyshova se po duan të bëjnë kinse nuk po dinë. Thash i keni këto. Më thanë jo, jo”, tha Haradinaj.
Haradinaj: Jam pro zbulimit të të gjitha krimeve, prokuroria po e sulmon UÇK-në
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se janë pro zbulimit të të gjithave krimeve, mirëpo jo të selektohen ato "sepse në Kosovë ka edhe serbë që kanë jetuar, ka romë, boshnjakë, turq e shumë nacionalitete". Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes, Haradinaj potencoi se prokuroria është duke e sulmuar Kosovën përmes UÇK-së.
Ai tha se Specialja është monoetnike dhe se ZPS-së qëllimshëm e ka provokuar Organizatën e Veteranëve të Luftës.
“Mua nuk më brengos fati personal, as i imi, as i kurrkujt nëse individualisht përgjigjem për diçka dhe duhet të përgjigjem nëse e kam bërë, por jo me këtë të na sulmoni diku më keq që pastaj me u bë pishman edhe bota pse na paska ndihmuar. Këtu është esenca për çka unë është dashur të jem transparent dhe ka qenë në interes të shërbimit publik, kjo është esenca jonë e kundërshtisë, që është monoetnike, selektive dhe arbitrare, dhe vazhdimisht ka krijuar precedent që ne të reagojmë, sikur të kemi dashur ta bëjmë me qëllim, sikur kur kemi pushuar ne pas thirrjeve, këta nisën precedentin tjetër, në njëfarë mënyre na kanë provokuar qëllimisht dhe ne nuk kemi mundur me qëndruar aty si naiv”, ka thënë ai.
Para trupit gjykues, Haradinaj ka përmendur thirrjet që Specialja u bënte personave në Kosovë të cilat, sipas tij, nuk ishin legjitime, meqë përdoreshin metoda jo të zakonshme për t’u dërguar ftesat atyre./KSP/
Haradinaj thotë se ka hasur në “Kosova Metohija” në dokumentet e Speciales
Duke u intervistuar nga mbrojtja, Nasim Haradinaj ka deklaruar se në dokumentet e Gjykatës Speciale ka parë dokumente të përkthyera si "Kosova Metohija". Ai tha se nëse Gjykata është e Kosovës dhe e themeluar nga institucionet vendore, kjo gjuhë nuk duhej të lejohej.
“Unë jam arrestuar padrejtësisht pra pasi Gjykata s’ka pasur mandat. Kam parë në dokumentet e Speciales të përkthyer ‘Kosova Metohija’. Nëse kjo është gjykatë e Kosovës, ajo fjalë s’duhet të jetë hiç”, deklaroi ai.
Haradinaj është duke u intervistuar nga avokati i tij Toby Cadman. Aktualisht seanca gjyqësore ka shkuar në pauzë.
Nis seanca gjyqësore ndaj Gucatit e Haradinajt
Ka nisur seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Në seancën e sotme pritet që mbrojtja të fillojë me paraqitjen e provave.
Seanca e fundit ishte mbajtur më 15 dhjetor të 2021-s, ku mbrojtja e Haradinajt kishte thënë se ky i fundit s'i kishte penguar hetimet e as punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Berisha për sulmin terrorist: Skenar i përbashkët i Kurtit, Vuçiqit dhe ndërmjetësve

Kosovës e Serbisë u bëhet thirrje t’u kthehen bisedimeve dhe zbatimit të marrëveshjes

Sulmuesit e vrarë në Banjskë vlerësohen “të pafajshëm” nga kryekuvendari i Republika Sërpskas

Drejtori i Policisë viziton Banjskën, siguron që qytetarëve do t’u ofrohet ndihmë sipas nevojave të tyre

Sulmi në Banjskë, KFOR-i thotë se ishte i gatshëm për të ndërhyrë nëse kërkohej

Osmani në takim me Hovenierin: Shpresoj të ketë sanksione për Serbinë pas sulmit në veri

Rreth 60 të dyshuar për sulmin në Banjskë, 10 morën trajtim mjekësor në Serbi

Chollet: Palët t’i kthehen dialogut dhe ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit

Bolton: Negociatat qe disa dekada dëshmojnë kompleksitetin e krizës në Kosovë

Pikëpamje të ndryshme nëse Lista Serbe duhet shpallur organizatë terroriste

Kurti-Abbottit: Pati skenar për gjakderdhje në Kosovë
