Rreth 700 milionë euro që Bashkimi Evropian ka investuar në përmirësimin e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit kanë qenë pak të dobishme.
Sipas Gjykatës Evropiane të Audituesve, ka pasur mungesë vullneti politik nga ana e vendeve të Ballkanit dhe mungesë përkushtimi ndaj BE-së, shkruan NOS, transmetuesi publik i Holandës.
“Në vendet e Ballkanit, gjyqtarët janë shpesh pamjaftueshëm të pavarur. Korrupsioni dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë gjithashtu të zakonshme. Edhe pse në shumicën dërrmuese të rasteve paratë e BE-së ishin shpenzuar mirë, projektet e subvencionuara shpesh kishin pak efekt”, thuhet në konstatimin e Gjykatës Evropiane të Audituesve, përcjell NOS.
Në Kosovë ka një mision të posaçëm të BE-së për Sundimin e Ligjit që njihet si EULEX.
"Përparimi modest i bërë gjatë dy dekadave të fundit kërcënon qëndrueshmërinë e përgjithshme të ndihmës së BE-së të ofruar në procesin e anëtarësimit", tha Juhan Parts, anëtar i Gjykatës Evropiane të Audituesve.
NOS kujton se kjo nuk është hera e parë që Gjykata Evropiane e Audituesve kritikon ashpër mënyrën se si BE-ja investon në sistemet e drejtësisë në vendet jashtë bllokut. Vitin e kaluar, rregullatori publikoi një raport mbi paratë e BE-së për Ukrainën. Edhe atje u investuan shumë para në projekte të ndryshme që në fund çuan në pak përmirësim.
Sipas Parts, në 10-15 vjetët e fundit, nuk ka asnjë shembull të një vendi ku sundimi i ligjit është përmirësuar falë parave të BE-së.
"Në një moment ju duhet të pyesni veten nëse ka ende kuptim të shpenzoni paratë e BE-së në këtë mënyrë", thotë Parts.
Gjykata e konsideron këtë një zhvillim shumë shqetësues që mund të dëmtojë besueshmërinë e BE-së.
Gjykata Evropiane e Audituesve këshillon Komisionin Evropian që kryesisht të shpërblejë progresin e shteteve të së drejtës dhe të ndalojë investimin e parave te ato shtete ku nuk ka përparim.
“Përveç kësaj, sundimi i ligjit duhet të promovohet shumë më gjerësisht, për shembull duke ofruar më shumë mbështetje për organizatat e shoqërisë civile dhe mediat e pavarura”, thuhet në raport.
Megjithëkëtë, NOS shkruan se paratë e BE-së do të shkojnë te vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Shumë vende të BE-së nuk janë të gatshme për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, por ato duan të parandalojnë vende si Kina ose Rusia që të rrisin ndikimin e tyre atje”, shkruan NOS.