Muaji janar ka sjellë rritje të dukshme të rasteve me COVID-19 në Kosovë.
Në dhjetëditshin e parë të këtij muaji në Kosovë janë shënuar 1429 raste të reja, 236 prej tyre kanë rezultuar pozitivë në 24-orëshin e fundit.
Shkalla e pozitivitetit këto ditë është ngritur në rreth 3 për qind në raport me testimet, e gjatë muajit dhjetor kjo shkallë nuk e kalonte vlerën prej 1 për qind.
Përkundër rritjes së rasteve me COVID-19, të hënën në shkolla fillore dhe të mesme janë rikthyer nxënësit.
Bekim Sylejmani , drejtor i shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë, ka thënë se mësimdhënësit e një pjesë e nxënësve janë të vaksinuar, ndërsa si zgjidhje të vështirë për ta e konsideron mësimin online, nëse do të jetë i nevojshëm.
“Ministrja ka deklaruar ashtu siç është Udhëzuesi. Ne kur kemi filluar mësimin me prezencë fizike kemi filluar në bazë të Udhëzuesit, i cili i parasheh të gjithë skenarët e mundshëm. Varësisht nga shkollat, komunat dhe rastet atëherë mund të kalohet nga A me prezencë fizike në mësim të kombinuar ose të ndarë në grupe ose edhe online”, ka thënë Bekim Sylejmani, drejtor i shkollës “Elena Gjika”.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të hënën përmes një komunikate për media ka thënë se ka rrezikshmëri të rritjes edhe të mëtejme të rasteve.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.
Këtë institucion të hënën e vizitoi ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ka thënë se nga zbatimi i masave në fuqi varen edhe vendimet në të ardhmen.
Po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
“Ministri Latifi theksoi se nga zbatimi i masave në fuqi varen edhe vendimet në të ardhmen, prandaj ai theksoi se shëndeti i qytetarëve është prioritet i parë për MSh-në, pa lënë anash edhe funksionimin e veprimtarive të tjera të rëndësishme ekonomike, sociale, kulturore…, të cilat janë të ndërlidhura me zbatimin e masave kundër COVID-19, thuhet në komunikatën e MSh-së.
Në fund të dhjetorit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë konfirmuar praninë e variantit Omicron të koronavirusit. Ky variant, i cilësuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është identifikuar për herë të parë në Afrikë të Jugut në muajin nëntor dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës, duke u bërë dominues në disa.