Pritet të ketë rritje të faturave të energjisë për 30 deri 40 për qind
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se pritet të ketë një rritje të faturave të energjisë elektrike për 30 deri 40 për qind, në dy shqyrtimet që do t’i bëjë Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
“Gjatë këtyre ditëve presim ZRRE-ja të marrë vendimin nga aplikimi që kemi bërë për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor. Presim të ketë rritje të çmimit, pasi kemi bërë kërkesën bazuar në formulë. Në bazë të shpenzimeve që i kemi pasur e kemi bërë atë kërkesë. E presim të ketë refleksion. Duhet ta cekim se do të ketë edhe një shqyrtim të rregullt pastaj në pranverë. Për tarifat që hyjnë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti e deri më 31 mars të vitit vijues. Është proces i rregullt, pritet sërish të ketë rritje. Por, ne nuk jemi autoriteti që vendos është ZRRE-ja. Fatkeqësisht do të jetë rritje relativisht e lartë. Do të jetë rritje 30 deri 40 për qind në bazë të vlerësimeve që i bëjmë, për të dy herët them. Por ende nuk kemi as shqyrtimin e jashtëzakonshëm e pastaj duhet bërë kërkesë edhe për shqyrtimin e rregullt”, ka thënë Buzhala në emisionin SOT të KTV-së.
