Arbëri

Fokusi te marrëveshja finale lë në hije zbatimin e atyre ekzistuese

Marrëveshja të shumta nga dialogu teknik mbi të cilat kanë vënë nënshkrimet Kosova e Serbia vazhdojnë të mos gjejnë zbatim, derisa palët i përdorin ato për akuza të ndërsjella sa herë që ngec dialogu. Derisa Brukseli ka shprehur synimin që marrëveshjet nga dialogu të trajtohen në kuadër të fazës finale, analistët nuk shohin vullnet të palëve për zbatimin e tyre.

Fokusi i palëve dhe ndërmjetësuesit të dialogut drejt arritjes së një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë ka zhvendosur në plan të dytë zbatimin e atyre ekzistuese. Janë një sërë ujdish të nënshkruara para 10 vjetësh që ende nuk janë implementuar.

Mungesa e një mekanizmi mbikëqyrës dhe autoriteti interpretues të marrëveshjeve, e ka bërë të vështirë matjen e nivelit të zbatueshmërisë së tyre.

Disa nga marrëveshjet janë bllokuar plotësisht e disa kanë ngecur në faza të ndryshme.

Simboli i ndarjes së qytetit të Mitrovicës vazhdon të mbetet i bllokuar për qarkullimin e automjeteve.

Kjo pasi Serbia, ka penguar hapjen e urës mbi Ibër, megjithëse punët janë përfunduar prej vitesh.

Historikisht Ura mbi Ibër ka qenë burim tensionesh e konfliktesh. Në shtator të vitit 2009 ishte rihapur pjesërisht për qarkullim. Ajo ishte përforcuar me forca policore vendëse e ndërkombëtare. Por ura u betonua me rërë e gurë nga banorët lokalë serbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat ndodhen në kufi me Serbinë. Një polic i Njësisë Speciale të Kosovës ishte vrarë në këtë aksion.

Pas largimit të gurëve e rërës, veriorët ndërtuan një të ashtuquajtur “Park i paqes”. Ky park, që zëvendësoi barrikadën, e la të lirë urën vetëm për disa orë. Por me marrëveshje tjetër, palët u dakorduan që barrikada park të largohet dhe rivitalizimin e urës ta bëjë Bashkimi Evropian.

Por nëpërmjet pushteteve komunale në veri, Serbia deri tani ka penguar hapjen e urës duke kërkuar që në sinkron të vihen edhe bazat e Asociacionit.

Për analistin, Dritëro Arifi mos zbatimi i këtyre marrëveshjeve dëshmon fragjilitetin e negociatave.

“Sa i përket marrëveshjeve teknike të arritura mes Kosovës dhe Serbisë rezultojnë të dështuara sepse nuk janë implementuar siç janë: marrëveshja për hapjen e urës mbi lumin Ibër, marrëveshja për diplomat, IBM-i. Pra kjo dëshmon fragjilitetin e negociatave teknike që janë zhvilluar për një dekadë. 10 vite të bisedohet vetëm për çështje dhe ato të mos zbatohen kjo e dëshmon në njëfarë mënyrë edhe seriozitetin e ndërmjetësuesit, këtë rast Bashkimi Evropian sepse nuk po ka mekanizma për t’i detyruar palët që të implementojnë marrëveshjet e nënshkruara”, ka thënë Arifi.

Mos hapja e Urës mbi Ibër u përmend edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën, duke kërkuar veprime për zhbllokimin e saj. Derisa Serbia fajësohet për pengesat në zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, Kosova është kritikuar nga BE-ja për mungesën e veprimeve rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Qeveria e ka përjashtuyar mundësinë e themelimit të këtij mekanizmi, në të cilin insiston edhe Serbia.

Pika më kundërthënëse rreth Asociacionit në marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 konsiderohet e pesta, e cila specifikon se ky mekanizëm do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Ndërkaq në marrëveshjen e vitit 2015, e cila ishte shpallur kundër kushtetuese specifikohet që kjo pikë të diskutohet sërish një vit pasi të hartohet statuti i asociacionit.

Angazhimet rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe patën kulmuar vënë në vitin 2016 nëpërmjet miratimit të një draft statuti që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në ish-qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti si dhe sqarimet shtesë për aktgjykimin e Kushtetuese, dokumente këto që për herë të parë i pati publikuar “KOHA”. Sipas ish-kryeministrit Mustafa draft statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk dëshironin Asociacion sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2015.

Si ngecje tjetër është evidentuar zbatimi i marrëveshjes për kadastrën dhe njohjen e ndërsjellë të diplomave.

Serbia po ashtu ende nuk e ka adresuar çështjen e strukturave doganore administrative serbe të vendosura me denominimine kosovare dhe të ndërpresë lëshimin e dokumentacionit ose vendosjen e vulave, të cilat bien ndesh me marrëveshjen përkatëse.

Po ashtu ka përparim të kufizuar në krijimin e gjashtë pikave të përbashkëta të kalimit të përbashkët kufitar mes Serbisë dhe Kosovës siç përcaktohet në marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit.

Serbia është pajtuar të kalojë në objektet e reja të financuara nga BE-ja në vendkalimin Merdare, në tetor 2020, por nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në fillimin e krijimit të pikave të kalimit në anën serbe- në Jarinje, Muçibabe dhe Konçul. Kjo ka çuar në pezullimin e fondeve të BE -së për këtë projekt, në korrik të vitit 2018.

Sa i përket çështjes së energjisë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përmendet hyrja në fuqi e një marrëveshje mes operatorit të sistemit të transmisionit të Kosovës dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit. Serbia ka paraqitur kërkesën për licencën e Elektrosever, e cila aktualisht është duke u shqyrtuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Pas rikthimit në krye të ekzekutivit, kryeministri Kurti iu përgjigj pozitivisht Bashkimit Evropian për tu ulur në tryezën e negociatave, por atyre nuk iu parapriu një rivlerësim i marrëveshjeve nga dialogu i mëhershëm, megjithëse u ankua se po ia marrin shumicën e kohës. Mes tjerash, përmendi marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshjen për Fusnotën, Marrëveshjet për Gjykatat e Universitetin paralel në Veri të Mitrovicës.

As në programin qeverisës nuk përmendet zhbërja e marrëveshjeve, por vetëm thuhet se ato do të trajtohen për të parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre.

Në anën tjetër, zyrtarë të Brukselit kanë deklaruar se mos zbatimin e marrëveshjeve synojnë ta trajtojnë në kuadër zgjidhjes finale.

Arifi thotë se, qeveria duhet të insistojë të mos rrëshqasë drejt një dialogu tjetër teknik.

“Kjo në njëfarë mënyrë është një mësim i mirë për Kosovë që të mos vazhdohet tutje me dialogun teknik por të insistohet dhe të bëhet një strategji se si ti qasemi partnerëve tanë që t’i bindim ta kemi një marrëveshje finale me Serbinë sepse dialogu teknik nuk po prodhon qetësi, paqe dhe bashkëpunim mes këtyre dy kombeve”, ka theksuar ai.

Tensionet që prodhoi zbatimi i reciprociteti zbehi gjasat për një marrëveshje të shpejtë.

e arritur tetorin e vitit të kaluar ishte e përkohshme dhe palët janë dakorduar që brenda gjashtë të arrihet një zgjidhje e përhershme. Por, ende nuk ka një datë se kur do të rinisin takimet mes ekipeve negociatore dhe ato të nivelit të lartë.