Arbëri

Koalicionet në komuna – sinjal i shkrirjes së vijave të kuqe

Ndikim të qasjes ndaj koalicioneve me parti të caktuara në nivelin qendror, vlerësohet se do të kenë bashkëpunimet në qeverisjen lokale. Derisa disa koalicione me parti të caktuara kritikohen në kryeqytet, të njëjtat bëhen në komunat e tjera. E një gjë e tillë ka nxitur reagime të shumta. Por, ndonëse e kritikojnë koalicionin e LDK-së me PDK-në në Prishtinë, nga Vetëvendosje në anën tjetër e arsyetojnë koalicionin që e kanë bërë në Gjilan

Në Prishtinë vazhdimisht kritikon Lidhjen Demokratike të Kosovës për koalicionin me Partinë Demokratike, por Vetëvendosje ka marrëveshje bashkëpunimi me këtë parti në së paku dy komuna: në Gjilan e Podujevë.

Koalicionet kanë nxitur reagime të shumta, edhe për shkak të kundërshtimeve të vazhdueshme që partia në ekzekutiv ka pasur ndaj PDK-së edhe në nivelin qendror, derisa Vetëvendosje vazhdon të mos pajtohet me atë të arritur në Prishtinë, duke thënë se një i tillë nuk u sjellë asnjë të mirë qytetarëve dhe se është bërë për interesa të caktuara.

Arianit Beqiri, asamblist i VV-së, pretendon se me koalicionin në kryeqytet, PDK-ja do të bëjë “kapjen edhe në Prishtinë”.

“Sigurisht që nuk është pritur mirë për shkak se sot kur e sheh dhe prej asaj që përflitet, PDK-ja tash i merr drejtoritë që dëshiron të ndërtojë klientelë dhe ne çfarë shohim është se duke e parë që PDK-ja ka eksperiencë të madhe në kapjen e institucioneve, atëherë ne e shohim se PDK-ja në Prishtinë ka ardhur vetëm si zgjatim i mentalitetit të tyre të kaluar që ka qenë”, ka thënë Beqiri, duke shtuar se koalicioni mes këtyre dy partive ka ekzistuar edhe para balotazhit.

“Ne nuk shohim asgjë produktive që do t’i sjellë ky koalicion Prishtinës, LDK dhe PDK në fakt Prishtinës do t’i ofrojnë jo zgjidhjet e ofruara të kryetarit Rama, por ne shohim që tash e tutje Prishtina do të vazhdojë të degradohet edhe më shumë duke pasur gjithmonë parasysh çfarë ka bërë PDK-ja në të kaluarën në pushtet dhe jo vetëm PDK-ja, por edhe LDK-ja”.

Por, njëjtë sikurse në Prishtinë, asamblisti i Vetëvendosjes nuk mendon edhe për PDK-në në Gjilan, ku partia e tij ka bërë koalicion me të.

Sipas Beqirit, koalicioni LDK-PDK në Prishtinë dallon me atë që ka bërë Vetëvendosje në Gjilan.

“Problemi për mua është se duke e ditur se kush është PDK-ja në Prishtinë është shumë problem më i madh se PDK-ja në Gjilan”, ka thënë ai, derisa ka insistuar se një koalicion me PDK-në nuk do të bëhet në ekzekutiv.

“Për mua është problem i madh në nivel qendror, VV-ja me PDK-në që nuk do të bëhet ndonjëherë, por problemi tjetër është që në Prishtinë njerëzit të cilët garojnë, njerëzit të cilët janë pjesë e strukturave të PDK-së janë njerëz të cilët nuk kanë asgjë parimore për qytetarin”, ka thënë ai.

Koalicionin në Gjilan e ka arsyetuar edhe kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni. Në një intervistë të dhënë për KTV-në të premten, ai ka thënë se numri i pamjaftueshëm i asamblistëve në Kuvend ka bërë që t’u duhet të hyjnë në koalicion.

“Nëse i sheh numrat matematikisht e kupton se në Gjilan nuk mund të qeverisësh vetë. Situata e Gjilanit është pak më specifike. Lëvizja në këto zgjedhje nuk ka dalë edhe shumë mirë për nga numri i komunave që kemi fituar, sepse me vota nuk është se jemi keq. Në Gjilan, për nga numri i asamblistëve, jemi më keq, prej 18-ve sa na duhen për të bërë shumicën jemi 10 dhe kjo në një formë ose tjetrën na ka imponuar që ose të shkojmë vetë, ose të bëjmë koalicion me një nga subjektet e tjera atje”, ka thënë Hyseni. “Për dy mandate kemi pasur kryetar nga LDK-ja, që nënkupton në një formë ose tjetër të imponohet koalicioni me PDK-në për shkak të mesazhit të ndryshimit në qytet. Ndryshim është fitorja jonë sigurisht, por qeverisja me LDK-në nuk do të ishte ndryshimi që njerëzit e kishin pritur ndërkaq me PDK-në që ka qeverisur me Gjilanin më herët. PDK-ja edhe për nga koha e qeverisjes nuk po them që të shfajësohet plotësisht, nuk dua ta shfajësoj ose amnistoj për ato gabime që ka bërë në të kaluarën, por tash për tash ndryshim unë mund të them që edhe me PDK-në mund të bëjmë”.

Kryetari i ri i Gjilanit, ka konfirmuar se PDK-ja në Gjilan do të udhëheqë katër drejtori: të Financave, të Shëndetësisë, të Bujqësisë dhe të Zhvillimit Ekonomik.

Koalicioni me PDK-në ka mundësuar zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Gjilan, e që ishte shansi i vetëm i Vetëvendosjes për të mos e çuar këtë komunë në zgjedhje.

Situatë e njëjta ka qenë edhe në Prishtinë, e për një gjë të tillë, shefi i asamblistëve të PDK-së në këtë komunë, Leutrim Retkoceri, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se i janë përgjigjur ftesës për konstituimin e Kuvendit pasi nuk e kanë për qëllim bllokimin dhe sabotimin e proceseve demokratike.

“Ta kritikojmë qeverisjen kur duhet, por jo të bllokojmë, para inateve dhe tekeve partiake duhet të na bashkojë Prishtina, obligim yni është që të kujdesemi për zhvillimin e qytetit dhe t’u shërbejmë qytetarëve në Prishtinë. Për vendimet që do t’i marrim në ditët në vazhdim do t’ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Retkoceri.

E koalicionet e tilla në nivelet lokale, analisti Artan Muhaxhiri thotë se do të ndikojnë edhe në ato qendrore. Sipas Muhaxhirit, vijat e kuqe të vendosura nga partitë kanë qenë artificiale e asnjëherë nuk kanë qenë realiste.

“Në një vend si Kosova, me një sistem politik të këtillë, është e pamundur që të mos ketë koalicione, të mos ketë aleanca edhe ky demonizim që u është bërë disa aleancave ka qenë krejtësisht i pakuptueshëm dhe i dëmshëm”, ka thënë Muhaxhiri, teksa ka shtuar se bashkëpunimet e tilla janë ndryshim pozitiv për qytetarët dhe zhvillimin e politikës në Kosovë.

“Në fakt, këto koalicione aktuale që po bëhen janë një shenjë e normalizimit të politikës kosovare, sepse të gjitha ato ndarje kanë qenë një lloj hipokrizie pasi nuk kanë pasur asnjë bazë në politikën realiste dhe pragmatike që iu duhet qytetarëve të Kosovës”, ka thëne Muhaxhiri.

Ai ka thënë se votuesi kosovar “është i emancipuar dhe e di saktë kur një parti politike vepron në dobi të tij dhe në dëm të tij”.

Për koalicionin në Prishtinë me PDK-në, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje të premten e as të shtunën.