Ndonëse viti i ri nisi me fishekzjarrë, në sheshet e kryeqytetit as sivjet nuk kishte shumë njerëz, ashtu si ishte rasti para pandemisë.
Shkaku i Covid-19, kremtimet e natës së ndërrimit të moteve, për të dytin vit me radhë, ishin të kufizuara në ambiente familjare.
E ata qytetarë, që kishin dalë për të festuar, thanë se presin zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballen. Kishte edhe të tillë që kishin ardhur nga vende të tjera.
E nëpër ambientet familjare, atmosfera ishte më festive. Familja gjashtë-anëtarëshe Cena nga Prishtina tash e tri vjet, natën e parë të Vitit të Ri e pret në shtëpi, në një ambient më të ngushtë familjar.
“Uroj që viti 2022 të sjellë sa më pak sëmundje të koronës. Deri më tani, të gjitha vitet e ri i kemi festuar jashtë Kosovës, tani ka tri vjet që festojmë në Kosovë. Megjithatë, po e shoh që Viti i Ri nuk e ka atë kënaqësinë qysh e ka pasur më herët, për shkak se më herët ka qenë një harmoni më e madhe”, ka thënë Anton Cena.
Ata thonë se pas vetes lënë një vit plot me sfida, duke filluar nga pandemia Covid-19, teksa shpresojnë në përfundimin e saj.