Arbëri

Kurti mbron ministrin e Shëndetësisë: Punon online nga SHBA-ja

Descriptive Text

Kanë kaluar më shumë se 30 ditë që kur Rifat Latifi është emëruar ministër i Shëndetësisë në Kosovë. Megjithatë, edhe pse në kohë pandemie, punën kryesisht po e koordinon online nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E për këtë është mbrojtur edhe nga shefi i tij, kryeministri Albin Kurti.

I pyetur në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë ku MSH-në e përfaqësoi zëvendësministrja Dafina Gexha, Kurti ka thënë se Latifi gjendet në SHBA për çështje të natyrës profesionale.

“Tash s’ka person që s’është online dhe ai i koordinon punët. Pas një karriere shumëvjeçare në SHBA, një çik si shpejtë i është dashur të përgatitet të vijë në Kosovë e direkt në pandemi. Prandaj nuk mund të them se është për qëllime personale, por për shkaqe të cilët kanë të bëjnë edhe me institucionet ku ka punuar ai atje. Meqenëse është person i cili ka shkruar 350 artikuj në revista shkencore dhe ka numër të pafundmë të studentëve që kanë magjistruar e doktoruar tek ai, janë disa çështje të vogla teknike që janë të natyrës profesionale, por ai më ka siguruar se duke i ndarë punët me kohë në ministri e duke qenë vazhdimisht online nuk do ta cenojë për asnjë moment bashkërendimin dhe funksionimin e MSH-së në këtë kohë pandemie”, ka thënë Kurti.

Latifi pati zëvendësuar në MSH Arben Vitinë që liroi detyrën për të garuar për të parin e Prishtinës në zgjedhjet lokale.