Arbëri

Miliona dokumente në Arkivin e Kosovës, më të vjetrat mbi 600 vjet

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka arritur të mbledhë me miliona dokumentacione që nga krijimi i saj, derisa dokumentacionet më të vjetra që gjenden në këtë agjenci, janë të vjetra rreth 600 vjeç.

Drejtori i kësaj agjencie, Bedri Zyberaj, i ftuar në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, tha se në periudhën 70-vjeçare, Agjencia “ka arritur të mbledhë dokumentacione me vlerë që shkojnë në thellësi kohore prej 600 vjetësh”. “Kemi edhe dorëshkrime që janë në gjuhën osmane dhe perse, derisa dorëshkrimin më të vjetër e kemi fjalorin persisht-arabisht që kërkon edhe disa vjet për t’i bërë 600 vjet”, shtoi ai.

Zyberaj më tej tregoi edhe për kohën kur është pasuruar më shumë Arkivi i Kosovës, për çka thotë se nga themelimi deri në vitin 1990, ishte koha kur ky arkiv është pasuruar më së shumti, derisa pas luftës nuk kanë arritur të mbledhin shumë dokumentacione për shkak se nevojiten 30 vjet kohë për të kaluar një dokumentacion në arkiv.

“Koha në të cilën është pasuar më tepër arkivi i Kosovës me dokumentacion është nga themelimi deri më 1990, në kohën e okupimit klasik, pasi që pas luftës nuk mund të themi se jemi pasuruar aq shumë për arsye se në bazë të Ligjit për Arkivat, dokumentacioni për t’u dorëzuar në arkiv duhet të kalojë moshën 30 vjeçare, qoftë dokumentacioni në pushtetin qendror apo komunal”, tha ai.

I pari i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës shtoi se gjatë viteve të pasluftës, “punëtorët apo përgjegjësit e arkivit, kanë qenë të interesuar, kanë marrë nga shoqata të ndryshme që kanë ushtruar veprimtari jashtë territorit të Kosovës, si në Gjermani Austri, SHBA, dhe me dokumentet që i kanë prodhuar ato që kanë të bëjnë më fatin e shqiptarëve, respektivisht me fatin e Kosovës, një pjesë e konsiderueshme vazhdon të mblidhet ky dokumentacion që ka pasur të bëjë me Kosovën. Jemi në pritje të z.Xhafer Shatrit, i cili na ka premtuar, por ende nuk e ka dorëzuar zyrtarisht në Kosovë një pjesë të konsiderueshme për ekzilin në vitet e 90-ta, ndërsa dokumentacioni që është prodhuar nga fontkrijuesit pas luftës së dytë botërore, ende nuk i përmbushë kushtet, nuk është maturuar ende ligjërisht, dhe do të fillojë Brenda pesë vitesh për t’u dorëzuar në arkiv”.