Këshilli drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës është i ndarë në dysh sa i përket qëndrimit për çështjen e rastit të Agonis Tetajt. Dorëheqje të kryesisë kanë kërkuar disa kryetarë të degëve rajonale të kësaj ode, pas vendimit të Qeverisë që të anulojë vendimin e kësaj ode që refuzon të caktojë avokat mbrojtës për Shaban Gogajn, i akuzuar për vrasje të rëndë
Dorëheqjen e kryesisë së Odës së Avokatëve të Kosovës po e kërkojnë disa nga anëtarët e këshillit drejtues të këtij organi. Kryetarë të degëve rajonale të OAK-së, thonë se ata që votuan pro vendimit, për moscaktim të avokatit mbrojtës për Shaban Gogajn, duhet të japin përgjegjësi.
Blerim Ademaj, kryetar i OAK-së, dega në Pejë, tha për KOHËN se do ta zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës, për shkak se vendimi i Odës është vendim i kundërligjshëm.
“Vendimi i qeverisë është vendim i drejtë dhe i arsyeshëm, duke u mbështetur në nenin 44 të Ligjit të Avokatisë. Po ashtu, kryetari, nënkryetari dhe të gjithë ata anëtarë të Këshillit Drejtues që kanë votuar pro këtij vendimi skandaloz duhet të japin dorëheqje të parevokueshëm me arsyetim se e kanë ulur imazhin e avokatisë dhe na kanë acaruar marrëdhëniet me Këshillin Gjyqësor dhe me Ministrinë e Drejtësisë”, thotë ai.
Qeveria e Kosovës, një ditë më parë, miratoi propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, që të ndalojë ekzekutimin e vendimit të OAK-së, për moscaktim të avokatit mbrojtës, pas përjashtimit të avokatit të mëparshëm.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë të enjten se ky vendim i Odës së Avokatëve të Kosovës është marrë në kundërshtim me ligjin.
“Ndalimin e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës, vendim ky që ka të bëjë me moscaktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në një çështje penale të caktuar. Për shkak të ndjeshmërisë nuk do të ndalem në çështjen penale... MD-ja ka analizuar dhe ka shqyrtuar të njëjtën dhe ka ardhur në përfundim se vendimi i lartcekur nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi. Andaj, duke pasur parasysh legjislacionin përkatës në fuqi në bazë të konstatimit të paligjshmërisë së këtij vendimi, propozoj ndalimin e ekzekutimit të vendimit”, ka thënë ajo.
Të drejtë po e cilësojnë vendimin e Qeverisë anëtarët e Këshillit Drejtues të kësaj ode, teksa thonë se pozicionimi i odës është bërë për arsye individuale.
Nasuf Hasani, kryetar i OAK-së, dega në Prishtinë, thotë se do të kërkojë që përveç dorëheqjes, anëtarët e Këshillit Drejtues që janë mbledhur për këtë çështje, t’i kthejnë mëditjet që kanë marrë.
“Në Odën e Avokatëve, për fat të keq, një pjesë e madhe e anëtarëve të këshillit drejtues, prezencën e tyre në mbledhjet e këshillit drejtues, e arsyetojnë vetëm sa për të përfituar një mëditje, pra vendimi si i atillë ka qenë absolutisht i kundërligjshëm”, ka thënë ai.
Por, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, duke mos dashur ta komentojë këtë, ka thënë se vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundur, në këtë çështje.
Ai tutje ka thënë se ende nuk e kanë pranuar vendimin e Qeverisë.
“Ne kemi pranuar një shkresë nga ana e ministres së Drejtësisë, më datën 9 dhjetor të vitit 2021, d.m.th është thirrur në nenin 44, ku në një afat prej 30 ditësh ne duhet ta njoftojmë për rrjedhën e kësaj procedure. Ndërsa të kërkohet nga data 9 dhjetor dhe të nxirret një vendim më datën 23 pa kaluar afati prej 30 ditësh, ne nuk do të komentojmë”, ka thënë ai.
Derisa edhe vetë avokati Besnik Berisha, i cili u përjashtua nga ky rast për shkak të sjelljes jo të mirë karshi trupit gjykues, e ka quajtur vendimin e Qeverisë shkelje kushtetuese.
“Edhe një shkelje kushtetuese, më flagrante sesa ajo me Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) qenka konsumuar sot nga Qeveria e Kosovës. Kësaj radhe, padituria dhe arbitrariteti qenkan manifestuar ndaj Odës së Avokatëve të Kosovës, duke bërë ndërhyrje flagrante në pavarësinë e saj. Një shkelje e tillë flet më shumë sesa pasoja që krijon një vendim i kundërligjshëm dhe arbitrar. Të paditurit që kanë ideuar dhe hartuar këtë propozim-vendim (tashmë vendim) i kanë bërë argatin më të keq drejtësisë dhe i kanë sjellë turpin më të rëndë qeverise”, ka shkruar Berisha në faqen e tij në “Facebook”.
Shaban Gogaj akuzohet për vrasjen e të riut, Agonis Tetaj, në vendin e tij të punës, derisa procesi gjyqësor, i cili u kthye në fillim, pas publikimit të këtyre pamjeve, ngeci pas përjashtimit të avokatit Besnik Berisha.
KOHA ditë më parë ka raportuar për dy letra që i janë drejtuar Odës së Avokatëve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga MD-ja, nëpërmjet të cilave i ishte thënë se kjo Odë po paraqet pengesë në këtë çështje të ndjeshme penale, dhe se nuk duhet ta kontestojë vendimin e Gjykatës së Pejës.