Arbëri

Të kthyerit nga lufta e Sirisë dhe Irakut, sfidë për Kosovën

Të kthyerit nga lufta e Sirisë dhe Irakut vazhdojnë të përbëjnë sfidë për Kosovën dhe shteti i ka marrë të gjitha masat që të merret me këtë grup, ka thënë Ferdinand Nikolla, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshëm.

Në emisionin “Desku” në KTV, Nikolla ka thënë se Kosova i trajton me seriozitet të lartë këtë grup qytetarësh. Sipas tij, fenomeni po vihet në kontroll me punën e vazhdueshme.

“Ajo periudhë ka qenë më sfiduesja për Kosovën, rajonin e botën sepse është përballë me formë të paparë të terrorizmit. I ka sfiduar gjitha shtetet. Nga ky fenomen është prekur edhe Kosova. Ka pasur numër relativisht të madh që kanë udhëtuar. Kosova ka marrë masat që ta vërë në kontroll. Sa i përket kërcënimeve, terrorizmi është kërcënim për të gjithë, por të kthyerit përbëjnë sfidë. Kosova sigurisht se i ka marrë të gjitha masat të merret me këtë grup”, ka thënë ai.

Image

Sipas Nikollës, sfidë tjetër për këtë fushë përbën vota vituale. “Në të persona me ideologji ekstreme gravitojnë e shërbejnë platformat për të vënë kontakte me grupe të ndryshme për të filluar komunikimet e tyre dhe ajo përbën një rrezik, por edhe institucionet janë në hap sepse përcjellin botën online dhe merren masa në atë drejtim”, ka shtuar Nikolla.

Për ekstremizmin nacionalist e politik në Kosovë, ai ka thënë se veriu i vendit mund të konsiderohet më i cenueshëm.

Image

Ndërkohë, Metija Ademi nga Shërbimi Sprovues i Kosovës ka thënë se 32 persona të kësaj kategorie janë liruar me kusht nga burgu dhe janë mbikëqyrur nga ky shërbim, por nuk kanë shfaqur sjellje të këqija.

“Shërbimi Sprovues i Kosovës bën ekzekutimin e masave dhe dënimeve alternative, dhe mbikëqyrjen e personave me kusht nga burgu. Ka qenë një sfidë kur na kanë ardhur për herë të parë të akuzuarit për terrorizëm. Për herë të parë më 2015, kemi pas personat e parë që janë liruar me kusht nga burgu dhe kanë ardhur te na. SHSK-ja vepron në shtatë regjione. Aty ku vepron Gjykata dhe Prokuroria Themelore, veprojmë edhe ne. Herën e parë kur jemi sfiduar me persona të tillë, ka qenë sfidë e vështirë sepse nuk kemi qenë të trajnuar. Kemi një staf shumë profesional, të përgatitur. 32 persona janë të liruar me kusht nga burgu në këtë kategori dhe i mbikëqyrim përderisa zgjat dënimi nga Gjykata. Zyrtari provues harton një plan veprimi për secilin person. Nuk kanë shfaqur sjellje të këqija këta persona, kanë ardhur me rregull në trajtime të ndryshme, por sigurisht dallon personi prej një personi”, ka thënë ajo në “DESKU”.

Image

Besar Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se aktualisht në vend janë 27 të burgosur për vepra që kanë lidhje me terrorizmin. 11 prej tyre janë të paraburgosur e 16 të dënuar. Sipas tij, dënimet sillen nga 3 deri në 10 vjet burgim.

“Kemi me dhjetëra që kanë kryer veprën atje e janë kthyer, ka ndërhyrë shteti i Kosovës dhe jemi ndër të vetmit vende me të kthyer shumë. Shërbimi Korrektues sikur të burgosurve tjerë edhe këtyre u kushton të njëjtën rëndësi. Është tretman i njëjtë sikur të gjithë të tjerët. Ofron kushte të njëjta pa dallime”, ka thënë ai.

Teksa ka bërë të ditur se të burgosurit që kanë kryer vepra që lidhen me terrorizëm qëndrojnë bashkë në pavijone të ndara në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe në Qendrën në Dubravë, Gashi ka thënë se sjelljet e të burgosurve janë korrekte si me stafin ashtu edhe të burgosurit tjerë.

Ai ka thënë se me punën e këtyre të burgosurve është rinovuar tërësisht pavijoni ku janë të vendosur.

Image

E Luljeta Berisha nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka thënë se shqetësimi i organizatave joqeveritare e shoqërisë civile është se çka do të ndodhë me personat e dënuar për terrorizëm pasi ata të lirohen nga burgu.

Berisha shtoi tutje se duhet bashkëpunim si në nivel qendror ashtu edhe lokal për t’i dalë në ndihmë këtij komuniteti, pasi kapacitetet shtetërore nuk janë të mjaftueshme.

“Organizatat joqeveritare e shoqëria civile dhe ne si KRCT e shohim shqetësimin çfarë do të ndodhë me ta pas lirimit nga burgjet, çka do të ndodhë me këta persona. Çka do të shërbejnë programet e riintegrimit dhe rehabilitimit për këtë grup. Po flitet për programet që ekzistojnë, por konkretisht nuk kemi informacione se çfarë është zhvilluar në burgje. E dimë se disa trajnime për menaxhimin e zemërimit, saldimit dhe disa të tjera, por shqetësimi është çka do të bëhet me ato. A do të vazhdojnë t’i praktikojnë ato çka i kanë mësuar në burgje, a do të ketë punë për ta. Institucionet po përpiqen me iu ofru gjithçka, por ka mundësi për përmirësim. Kërkohet të punohet më tepër, por kapacitetet shtetërore nuk janë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave të këtij komuniteti. Bashkëpunimi i të gjithë institucioneve, nga niveli qendror deri te ai lokal e shoqëria civile, është i domosdoshëm për riintegrimin e komunitetit”, ka thënë ajo në “DESKU” të KTV-së.

Nikolla ka bërë të ditur se aktualisht në vatrat e krizës në Siri e Irak kanë ngelur më shumë se 80 kosovarë nga rreth 450 që kanë shkuar.

Sipas tij, mbi 250 janë kthyer, ndërsa për mbi 80 ende s’dihet ku janë saktësisht, apo janë në burgje atje.

Çështjen e shifrave ai e ka parë si komplekse duke thënë se këta persona atje kanë krijuar familje dhe kanë ndërruar edhe identitet e është vështirë informimi për ta.

Edhe fushën e rikthimit të tyre ai e ka cilësuar sensitive e jo të lehtë.

Ndërkaq, Ademi ka shtuar se ka pasur fokus të madh të shtetit për riatdhesim të tyre e sidomos edhe te gratë e kthyera. Ajo ka kërkuar bashkëveprim edhe më të mirëfilltë për këta persona dhe trajtimin e tyre.