Arbëri

Qeveria ia kthen KOSTT-it dividentën në vlerë prej 20 milionë euro

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës ka vendosur që t’ia kthejë ndërmarrjes publike energjetike KOSTT dividentën që ajo ia ka paguar këtë vit ekzekutivit.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë gjatë mbledhjes, se vetë KOSTT-i ka kërkuar që t’i kthehet dividenta në mënyrë që të ketë likuiditet shtesë si pasojë e krizës së krijuar me energjinë elektrike.

“Kemi ndarë 20 milionë euro për të mbuluar një pjesë të mungesës së likuiditetit në tregun energjetik për ndërmarrjen publike KEK, ndërkaq KOSTT-i ka kërkuar që të ketë likuiditet shtesë dhe t’i kthehet dividenta të cilën e kemi pranuar në kuadër të ligjit të rishikuar të ndarjeve buxhetore këtë vit, në mënyrë që të ketë likuiditetin e nevojshëm të vazhdojë operimi. Kemi tejkalim të planifikimit të të hyrave për së paku sa është kërkuar që të kthehet dividenta, prandaj për ne si Qeveri nuk është se na paraqet ndonjë problem. I mbetet KOSTT-it që të rishikojë çështjen e deklarimit të pagesës së dividentës”, ka thënë Murati.

Dividenta që KOSTT-i i ka paguar këtë vit Qeverisë së Kosovës ka qenë në vlerë prej 20 milionë euro.

Ndërkohë, javën e kaluar Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë 20 milionë euro për subvencionim të importit të energjisë elektrike, për shkak të krizës së krijuar energjetike në vend.


Mbi 21 milionë euro nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike mbesin të pashfrytëzuara

Mbi 21 milionë euro mjete nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, të cilat kanë qenë të ndara kanë mbetur të pashfrytëzuara ose të pazbatuara, ka bërë të ditur ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë të së enjtes, Murati ka thënë se këto mjete kthehen në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Kthimi i mjeteve nga programi i Rimëkëmbjen Ekonomike të cilat kanë qenë të ndara por kanë mbetur të pashfrytëzuara ose të pazbatuara. Është shuma në vlerë prej 21.77 milionë euro. Nga Ministria e Financave dhe Transfereve kthehen 11,34 milionë ndërsa nga Ministria e Industrisë kthehet shuma prej 10.43 milionë euro”, ka thënë Murati.

Sipas tij, kthimi i këtyre mjeteve është i nevojshëm për vendime të radhës, ndarje të reja dhe rishpërndarje.


4,5 milionë euro ndihmë për pensionistët dhe familjeve me asistencë sociale për rrymë

Image

Qeveria e Kosovës ka ndarë 4,5 milionë euro për t’ua mundësuar pensionistëve dhe familjeve me asistencë sociale që të paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Propozimi i paraqitur nga ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, është miratuar me shumicë votash në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të enjten.

“4.5 milionë euro ndahen në kuadër të masës për mbështetje për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale. Kjo shumë do të ndahet për të mbuluar pagesën e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë”, ka thënë Murati.