Arbëri

Qeveria do ta subvencionojë importin e energjisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve të energjisë dhe se do të bëhet maksimumi për të ruajtur furnizimin e rregullt.

Kurti ka treguar se dy blloqe të termocentralit Kosova B aktualisht janë jashtë funksionit, ndërsa ka thënë se situatë të ngjashme ishte javën e kaluar kur tri blloqe të Kosova A ishin jashtë funksionit shkaku i avarive.

“Kriza energjetike që ka prek gjithë vendet e rajonit dhe botës ka ardhur edhe tek ne. Kosova ret nga importet për të mbajtur dritat ndezut. Dy blloqe të termocentralit B aktualisht janë jashtë funksionit, një situatë të ngjashme kemi pasur edhe javën e kaluar por e kemi menaxhuar. Në këtë koment kemi diku 390 megavat prodhim. Kostti ka menaxhuar me sukses deri më tash situatën, pavarësisht pengesave nga Serbia. Deri më tash këto ndërmarrje kanë mbajtur barrën e krizës energjetike. Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për çmimin e importeve”, ka thënë Kurti në konferencë për media.

Ai ka thënë se është e nevojshme të kursehet energjia.

Ndërkohë ish-qeveritë i ka kritikuar për gjendjen aktuale.

“Vendime të këqija për dy dekada nuk u bënë riparime të qëndrueshme në termocentrale që do të siguronim prodhim të qëndrueshëm mbi bazën e kapaciteteve ekzistuese me sa më pak ndotje, e mungesa e vizionit tregohet pasi para një dekade ka qenë më lehtë të shtohen kapacitetet e energjisë, por ishte më me levërdi për ta ta vjedhin KEK-un sesa të investohej në të. Jemi në krye të detyrës e kemi gjetur shtetin përtoke në të gjitha drejtimet, por do ta ngrisim në këmbë. Këtë situatë duhet përmirësuar, por ata që na sollën këtë ditë le të na kursejnë nga leksionet e të skuqen nga gjendja në të cilën e lanë shtetin”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të treguar gjendjen të furnizimit me energji në Kosovë ka treguar vjetërsinë e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.

“Në këtë dhomë jemi rreth 30 veta afërsisht, por personi më i moshuar mungon, termoncetrali Kosova A, që është 60-vjeçar. Asnjëri prej jush në këtë dhomë nuk e keni moshën Kosova A. Termocentrali Kosova B është 40-vjeçar, më i moshuar se ministrja e jonë e Ekonomisë. Pra e shihni se në çfarë situate jemi”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se në mbledhjen e Qeverisë është mirtuar vendimi për të kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë mes Kosovës, KOSTT-it dhe KFW për projektin zhvillimi i sektorit të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar se vetëm gjatë muajit nëntor dhe fillim dhjetorit, janë shpenzuar 12 milionë euro për import të energjisë sa ishin paraparë për një vit.

“Jemi duke folur për rritje të madhe të importit që pritet të vazhdojë pasi jemi në sezon të dimrit ku konsumojmë më shumë energji. Çfarë mund të bëjmë është të subvcencionojmë importin e energjisë, siç kanë bërë shtetet tjera në Evropë e rajon, që të minimizojmë apo me shpresë të evitojmë rritjen e çmimeve të energjisë për konsumatorët vendor”, ka thënë Rizvanolli.

Qeveria e Kosovës, në formë elektronike, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e 48-të të saj, në të cilën janë miratuar tri vendime.

Vendimi për reduktimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe rritjen e fondeve nga granti qeveritar në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, është vendimi i parë që ka marrë miratimin në këtë mbledhje. Sipas vendimit mjetet në vlerë prej tetëmbëdhjetë milionë euro, reduktohen në zero për shkak të mospranimit të fondeve të planifikuara nga burimi i financimit. Këto mjete kalojnë në nën-programin “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike”.

Është miratuar edhe vendimi për ndarje dhe kursime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve të organizatave buxhetore. Shuma totale e mjeteve të kursimeve buxhetore është 36.505.034,26 milionë euro (tridhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e pesë mijë e tridhjetë e katër euro). Mjetet e kursyera do të shpërndahen te organizatat buxhetore sipas nevojave dhe kërkesave për mbulimin e shpenzimeve të ndryshme të propozuara.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe KfW për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”. Marrëveshja siguron kredinë në vlerën prej 25.500.000,00 euro.