1 perditesime
18:58

LDK-ja fiton Dragashin, Xheladini kryetar i ri

Bexhet Xheladini i LDK-së ka fituar zgjedhjet për kryetar të Dragashit.

Xheladini ka marrë 470 vota nga diaspora, ndërsa kundërkandidati i tij Shaban Shabani i PDK-së 173 vota.

Shaban Shabani ishte duke kryesuar 48 vota, pa numëruar votat me kusht dhe ato nga diaspora.

Në të vërtetë fillimisht Xheladini kishte fituar balotazhin pas numërimit të atyre votave me kusht dhe nga diaspora, por votat nga diaspora më pas u vendos të anuloheshin nga PZAP, shkaku i dyshimeve për manipulime. Kështu që u vendos fillimisht për anulim të atyre votave, e më pas u vendos nga Supremja për rivotim të diasporës në Dragash.

Në rivotim Xheladini i LDK-së ka fituar dukshëm më tepër vota nga diaspora dhe rrjedhimisht edhe postin e kryetarit të Dragashit. Me fitoren e Xheladinit, LDK-ja është barazuar me PDK-në me nga tetë komuna.

Kryetari i LDK-së, Lumit Abdixhiku, ka shkruar në Facebook se rezultatet e sotme rikonfirmuan “tri herë radhazi mbështetjen e qartë për kandidatin Bexhet Xheladinin”, duke përmendur votimet më 17 tetor, 14 nëntor dhe më pas rivotimin nga mërgata.

“Tendencat e vendimeve skandaloze për fitore në tavolinë, ishin korrigjuar nga Supremja pas ankimimit të LDK-së. Ishim të bindur, sikurse herën e parë e të dytë, se zëri i votuesve me postë ishte i drejtë, i pastër dhe bindës; dhe se këtë zë e këtë vullnet s’mund ta ndryshonte asnjëri. Sonte vullneti qytetar u mbajt në vend”, ka thënë Abdixhiku.

Image
18:29

Nis numërimi i fletëvotimeve me postë për zgjedhjet në Dragash

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve sot ka filluar numërimi i fletëvotimeve përmes postës që i takojnë përsëritjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për Komunën e Dragashit, e që ky numërim pritet të përfundojë sonte.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se votimi përmes postës ka filluar më 29 nëntor dhe ka përfunduar më 13 dhjetor.

“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve, të cilat i takojnë përsëritjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunës së Dragashit, pra raundit të dytë pra ekskluzivisht votimet jashtë Kosovës. Ju njoftoj se gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila ka filluar më datën 29 nëntor dhe është përmbyllur më datën 13 dhjetor”, tha Elezi.

Ai ka bërë të ditur se KQZ-ja ka pranuar 380 pako të supozuara me fletëvotime, me 696 zarfe të individualizuara, që pas numërimit janë pranuar 647 pako me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 49 zarfe pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore.

“KQZ ka pranuar 381 pako të supozuara me fletëvotime dhe gjatë procesit të vlerësimit brenda këtyre pakove rezulton se kanë qenë 696 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Pas procesit të numërimit dhe verifikimit të tyre 647 pako të individualizuara me fletëvotime janë aprovuar dhe ato do të numërohen këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve. Ndërsa janë refuzuar 49 zarfe të individualizuara me fletëvotime për shkak se nuk kanë plotësuar kriteret ligjore. Menjëherë pas përfundimit të këtij numërimi do të mund të shihni rezultatin, i cili do të paraqitet në tabelë që është e vendosur këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve”, shton Elezi.

Votat e diasporës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve në Dragash. Pas numërimit të tyre i pari në garë doli Bexhet Xheladini nga LDK-ja, ndërsa me vota të rregullta kishte fituar kandidati i PDK-së, Shaban Shabani./KSP