Leotrim Gashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se problem paraqiten veprat penale që kanë të bëjnë me korrupsion para prillit të vitit 2019. Sipas tij, veprat e kryera deri në këtë kohë, kanë ende mundësi të parashkruhen.
IKD-ja ka dal sot me një raport hulumtues të quajtur “Korrupsioni në prag të parashkrimit”, ku ka trajtuar çështjen e parashkrimit të lëndëve.
Gashi në një intervistë në emisionin “60Minuta” në KTV, tha se me Kodin e ri penal do të jetë thuajse e pamundur të parashkruhen lëndët.
“Nëse tash për një vepër korrupsioni afati i parashkrimit të lëndëve ishte 10 vjet, tash me Kodin e ri penal, është rritur edhe dënimi edhe afati i parashkrimit. Do të jetë pothuajse e pamundur të parashkruhen lëndët”, ka thënë Gashi.
Ai ka folur për neglizhencën që bëhet në gjykata, si dhe për akuzat prokurori – gjykata.
Ka thënë se shpesh aktakuzat ndërtohen asisoj që të dështojnë ato, pa prova.
Sipas tij, ka hapësirë për të iniciuar procedurë disiplinore ndaj gjyqtarëve nëse një lënd ri 2 vjet në sirtar.
“Nëse Prokuroria thotë se është dëmtuar shteti nga një rast i korrupsionit, atëherë nuk ka pse ajo lëndë të mos trajtohet. Në fakt, gjithmonë është thënë se lëndët e korrupsionit kanë prioritet dhe tash del e kalon afati ligjor e parashkruhen”, ka thënë Gashi.
Ai ka folur për disa raste të profilit të lartë që janë parashkruar, e disa që pritet të parashkruhen vitin e ardhshëm. Ndër rastet që po pret të parashkruhet është edhe ai për hidrocentralet, ku janë të akuzuar katër ish-ministra.
“Parashkrimi nuk tregon nëse je fajtor apo jo, thjeshtë institucionet ndalojnë së ndjekuri personin e dyshuar për ndonjë vepër të caktuar”, tha ai.