Arbëri

Hyseni s’ka pritur që Haziri t’ia dorëzojë detyrën me ceremoni

Alban Hyseni, kryetar i ri i Komunës së Gjilanit, ka thënë se nuk ka pritur që të enjten të marrë postin me ceremoni nga ish-kryetari i deritashëm, Lutfi Haziri.

Në emisionin Desku në KTV, Hyseni ka thënë se kështu kishte menduar për shkak të gjuhës së Hazirit në fund të fushatës.

“Të them të drejtën s’e kam pritur, edhe pse s’është që se kam çmuar e vlerësuar Hazirin për politikan që mund të tejkalojë edhe veten e të jetë më fleksibil se politikanët tjerë. Gjuha më e ashpërsuar kah fundi i fushatës në balotazh më bëri të mendoj se s’do të ma dorëzojë detyrën”, ka thënë ai teksa ka njoftuar se ka pasur edhe një takim krejt jashtë kamerave vetëm me Hazirin.

“Ka qenë takim i shkurtër pesë minuta. I kërkova të jemi të bashkuar si qytetarë në projekte të Gjilanit të shtyhen bashkë”, ka vazhduar Hyseni duke e vlerësuar si të mirë takimin me ish-kreun e Gjilanit.

Ai ka thënë më tej se zyrat i janë dukur të mira, por ka shtuar se “problemet janë të shumta në Gjilan”.

Si problem të parë ka përmendur çështjen e arsimit dhe paditë e shumta ndaj Komunës për paga jubilare.

Alban Hyseni i Vetëvendosjes arriti që pas balotazhit ta rrëzojë nga pushteti Lutfi Hazirin e LDK-së.