Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka thënë se Qeveria Kurti nuk diskuton me Serbinë për Asociacion njëetnik, pasi Kosova është shtet multietnik.
Kryeziu-Hyseni ka thënë në “DESKU” të KTV-së se ndonëse Qeveria Kurti nuk dëshiron të diskutojë me Serbinë për Asociacionin, Bashkimi Evropian po bën presion ndaj Kosovës për këtë.
“Pala kosovare ka treguar se nuk është e gatshme të flasë për temën e Asociacionit. Nuk është temë që ka prioritet diskutimi për Asociacionin një etnik, pasi qëndrimi i palës kosovare është bërë i ditur prej kur ky dialog ka filluar të udhëhiqet nga përfaqësuesit e Qeverisë Kurti. Nuk kemi pse të flasim për asociacion njëetnik, që është kërkesë e vazhdueshme e palës serbe, për të cilën po insiston që të futet në kuadër të agjendës së temave. Duket që tani kemi një tjetër përfaqësim të Kosovës, që shkon me parime të qarta, nuk duam të flasim për Asociacionin etnik dhe nuk duam të flasim për një gjë të tillë”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
Kryeministri Kurti e përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, janë përplasur të martën në Bruksel për Asociacionin.
Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është në interes të serbëve të Kosovës dhe është servis i Beogradit zyrtar, Borrelli, ka kritikuar qasjen e Kosovës.
Në një përgjigje direkte, në konferencën e përbashkët për media, Borrell ka thënë se kjo marrëveshje duhet të implementohet sepse është nënshkruar nga të dyja palët.