1 perditesime
14:31

Gucati: S'kam marrë urdhër me shkrim nga Specialja për mospublikim të dokumenteve

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se nga hetuesit e Speciales, në shtator të vitit 2020, ka pranuar vetëm urdhrin për t’i dorëzuar dokumentet dhe jo ndonjë urdhër të gjykatës që i obligon të mos publikojnë dokumente të tilla. Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, i akuzuari Hysni Gucati ka thënë se pasi që hetuesit e Speciales kanë shkuar në zyrat e organizatës e ka kuptuar që dokumentet mund të jenë konfidenciale.

Pas më shumë se një vit qëndrimi në paraburgim në Hagë, ish-pjesëtari i UÇK-së Hysni Gucati është paraqitur në bankën e dëshmitarit para trupit gjykues.

Aty, Gucati ka thënë se dokumentet të cilat kishin arritur nga një person i panjohur në zyrat e organizatës nuk janë kopjuar nga asnjë zyrtar i OVL-UÇK.

“Deri vonë nuk e kam parë konfidenciale që ka shënuar por unë kam thënë që ato dokumente nuk e kemi parë të arsyeshme që ne të jemi sigurim i atyre dokumenteve apo t’i ruajmë sepse nuk kanë qenë dokumentet tona[...] Me më pas thënë dikush që dalin dokumentacione nga Gjykata Speciale nuk kisha besuar, kjo është arsyeja dhe prapë nuk besoj si ka qenë e mundur që këto dokumente të dalin nga zyrat tuaja, kjo mund të jetë ndonjë lajthitje, ndonjë kurth që na keni bërë neve apo ndonjë prapavijë që ju e dini më mirë se ne, kështu unë mendoj”, ka thënë Gucati.

Derisa i është përgjigjur pyetjeve të prokurores Valeria Bolici, Gucati ka thënë se një hetues i Speciales, i cili fliste shqip, se ka shkuar në OVL-UÇK për t’i marrë dokumentet dhe i ka thënë se një gjë të tillë e bënë pas verifikimit që ato janë të Speciales.

Aty, ai thotë të jetë bërë pranim dorëzimi me një letër të cilën e kanë nënshkruar, por mohon të ketë pasur edhe një tjetër urdhër që i ndalon të publikojnë dokumente të tilla.

“Letër të shkruar nuk kam pas, me gojë më ka thënë hetuesi i juaj që fliste shqip më ka thënë me gojë në mes të katër syve kemi qenë duke pirë kafe, ka qenë edhe një hetues suedez edhe një përkthyes...Hetuesi juaj më thotë është e ndaluar që të shumëzohen dokumentacione dhe të shpërndahen, me gojë jo diçka me shkrim, me shkrim ka qenë urdhri për ta marrë dokumentacionin dhe në dokumentacionin e majtë që thash më herët që është në dorën e majtë të Tomës është dorëzim-pranimi i dokumenteve, kjo është krejt”, ka thënë ai.

Gjatë seancës prokurorja Bolici ka insistuar në pyetjet rreth çështjeve gjyqësore në Hagë të Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt, duke e pyetur Gucatin nëse i ka përcjellë ato.

“A u informuat më pas për çështjen e Ramush Haradinajt se gjykata kishte shprehur në mënyrë publike vështirësitë që kishin ndeshur me të cilat ishin përballur në sigurimin e provave nga dëshmitarët, për shkak të frikësimit që kishin dëshmitarët”, ka pyetur prokurorja.

Ish-kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati ka thënë se në atë periudhë kohore ishte pranë vajzës të cilën ka thënë se e ka humbur nga leukemia, dhe gjithashtu ishte duke marrë trajtime mjekësore edhe për shëndetin e tij.

“Nuk e di, as nuk jam interesuar rreth këtyre që jeni duke bërë pyetje ju, mua më ka interesuar kur është liruar i pafajshëm, i jam gëzuar vendimit që është liru i pafajshëm kështu që ato çka më kanë hyrë në punë, se të tregova kisha problemet e mija unë jam operu 27 herë deri në vitin 2018 jam operu, nuk jam marrë me atë punë më vjen shumë keq”, ka thënë Gucati.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./KSP


Përfundon për sot seanca gjyqësore në Hagë, shkak problemet teknike

Seanca gjyqësore në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt ka përfunduar më herët për shkak të problemeve teknike në Dhomat e Specializuara. Pas pauzës ishte paraparë të vazhdojë dëshminë ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, por Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se për shkak të vështirësive për video-lidhje mes sallës së gjyqit dhe njësisë së paraburgimit në Hagë, seanca do të vazhdojë nesër.

Derisa Hysni Gucati ka dëshmuar në sallën e gjyqit, Nasim Haradinaj e ka ndjekur seancën në distancë për shkak të infektimit me koronavirus. Por, në pjesën e fundit të seancës, janë shfaqur probleme teknike dhe Haradinaj nuk ka mundur të përcjellë gjykimin.

Meqë Dhomat e Specializuara nuk kanë arritur të rivendosin lidhjen, seanca pritet të vazhdojë nesër.

E ish-kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati e ka vazhduar dëshminë e tij për ditën e dytë me radhë ku ndër të tjera ka thënë se zyrtarët e organizatës së veteranëve nuk kanë publikuar emra apo deklarata të dëshmitarëve të cilat mund të kenë qenë në dokumentet e sekuestruara në zyrat e OVL-UÇK-së.

Ai ka thënë se kanë synuar që të dëshmojnë se Gjykata Speciale bashkëpunon me Serbinë, çka sipas tij është treguar në dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./KSP

12:51

Gucati: Specialja e ka falënderuar Gjykatën serbe për bashkëpunim

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka vazhduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë ku ka thënë se qëllimi i paraqitjes së dokumenteve që dyshohet të kenë rrjedhur nga Specialja në OVL-UÇK ka qenë të tregojë bashkëpunimin e gjykatës me autoritetet serbe. Gucati, i cili është një prej të akuzuarve në këtë rast, ka thënë se në dokumente ka pasur emra e deklarata të dëshmitarëve por që OVL-UÇK nuk ka qenë e interesuar t’i lexojë apo publikojë ato.

Hysni Gucati po përgjigjet për të dytën ditë me radhë në pyetjet e prokurores Valeria Bolici të cilës i ka thënë se është për keqardhje që kjo gjykatë e cila është themeluar nga Kosova të bashkëpunojë me kriminelët serb.

“Kjo është një befasi dhe është keqardhje për ne kur një gjykatë e Kosovës, këtë gjykatë e ka votuar parlamenti, dhe kjo gjykatë bashkëpunon me kriminelët serb, është një befasi dhe keqardhje shumë”, ka thënë Gucati.

Gucati ka thënë se ka parë që kishte dokumente në gjuhën serbe por sipas tij, numrat e protokollit në ato dokumente i ka parë pasi të njëjtat kanë dalë në media.

“Kam parë deklarata të dëshmitarëve serbë, kam parë që keni marrë udhëzime nga Drecuni, nga Vukqeviqi, këto kanë qenë deklaratat e tyre të prokurorëve serb që keni marrë ju, kështu kanë qenë, dhe kanë qenë disa takime që ish-prokurori i Gjykatës Speciale që kanë pasur takim me prokurorët serbë, kështu kanë qenë disa deklarata të tyre, këto i kam parë[...] Adem Jasharin që e kam parë aty një deklaratë më ka befasuar, kam parë këso deklarata, nuk më kanë interesuar shumë deklaratat, e kam ditë që ata dëshmitarët 99% janë që kanë gënjyer”, ka thënë Gucati.

Gucati ka thënë se nuk i ka lexuar deklaratat dhe as emrat e dëshmitarëve.

“Nuk më intereson puna e tyre, po të më kish interesuar tash do të kisha kërkuar seancë private dhe do të u kisha thënë me emër e mbiemër, por të jeni të bindur se përjashtim X po Y, Muharrem Ibren që është me emër aty e njeh krejt populli se nuk po di qysh të ja vendosë një pseudonim, të tjerë nuk di po them sinqerisht, po të di diçka do të kisha kërkuar seancë private dhe do të kisha folur haptas”, ka thënë Gucati.

Ish-kryetari i organizatës së veteranëve ka thënë se ka qenë i interesuar të dëshmojë bashkëpunimin e Gjykatës Speciale në autoritetet serbe, që sipas tij tregohej në dokumente.

“Mua më ka interesuar paketa e parë dhe jam bind që jeni duke bashkëpunuar me gjykatën serbe, kjo ka qenë gjithçka, është shumë reale që prapë në paketën e dytë ka pasur dokumentacione qe keni bashkëpunu me gjykatën serbe... Është vërtetu me paketën e parë, e keni vërtetu me paketën e dytë që janë dokumentet e juaja, mos të ishte dokumentacioni juaj ju nuk më kishit shti në burg, sot nuk isha para juve, sepse ato nëse nuk kanë qenë të juaja pse më keni marrë në burg, unë po them që dokumentacioni ka rrjedhur nga ju. Bashkëpunimi ka qenë shumë i ngushtë ku e keni falënderuar gjykatën serbe, janë shumë mirë deklaratat që e falënderon gjykatën e Serbisë për bashkëpunimin, kjo është reale unë nuk mund ta fshihi dhe të them që nuk e kam lexuar me sytë e mijë”, ka thënë Gucati.

Ndër të tjera, Gucati ka përsëritur se në dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK ka pasur edhe pjesë të gjykatës për ish-Jugosllavi, përfshirë rastin e Fatmir Limajt.

Seanca gjyqësore në Hagë po vazhdon me kundërpyetjet e prokurorisë.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./ksp