Gucati: ZPS-ja bashkëpunon me kriminelë serbë

- 17:18Gucati: ZPS-ja bashkëpunon me kriminelë serbë
- 16:46Gucati: Nuk jam sigurim e as polic që t’i ruaj dokumentacionet e ZPS-së
- 14:10Gucati: Do të jepja dorëheqje nëse do të rridhte ndonjë dokument nga zyra ime
- 12:12Gucati: I kam pasur 27 operacione në këmbë, kam nevojë të operohem edhe një herë
- 11:42Gjykata ia refuzon avokatit të Haradinajt shtyrjen e seancës
- 10:27Avokati i Haradinajt infektohet me koronavirus, kërkon shtyrje të procedurave
- 08:43Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Gucatit e Haradinaj
Gucati: ZPS-ja bashkëpunon me kriminelë serbë
Ish-kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, është pyetur nëse ka thënë në një intervistë se ZPS-ja bashkëpunon me gjykata serbe dhe merr materiale nga Serbia kundër anëtarëve të UÇK-së.
“E tash edhe sot paradite. Po bashkëpunoni me kriminel serbë dhe me Vukçeviqin që ka qenë kryeprokuror serb për krime lufte”, ka thënë Gucati.
Gucati ka thënë se në asnjë moment nuk e ka inkurajuar as ai e as Nasim Haradinaj personin që të dorëzonte dokumente në OVL-UÇK.
Atij i është treguar një video e konferencës së tretë ku kishin përmendur “pjata fluturese”.
Ai ka thënë se nuk është faji i askujt që është propozuar një pseudonim.
“Nasimin e përkrahi në atë drejtim. Nuk është detyrimi ynë të ruajmë hajnat a vjedhin në vende të ndryshme”, ka thënë Gucati i cili ka insistuar se nuk e ka inkurajuar atë. “Me na pru dokumente e me na bë probleme nuk e kemi inkurajuar. Qe 15 muaj jemi në burg. Nuk i kemi thënë atij shko vidhi dokumentet në Holandë e sillna në Prishtinë. Faktoma këtë punë se është e vërtetë, e do të jem pjesë e fajit. Faktoma se unë e Nasimi i kemi thënë shko vidhi dokumentet e bjeri në organizatë të veteranëve. S’është fare e vërtetë. Ai s’ka pasur nevojë për inkurajim, i sillte vet. I solli edhe herën e dytë edhe të tretë. Çfarë arsyeje kishte ai. Tregoma arsyen”.
Avokati i Nasim Haradinaj, Toby Cadman, i cili është i prekur me koronavirus dhe ka ndjekur nga distanca seancën, siç ka ndjekur edhe Haradinaj, ka thënë se temperatura i ka shkuar në 39 gradë Celsius. Ai ka kërkuar që të dorëzohen dokumentet që janë shfaqur në seancë, pasi nuk kanë mundur të shohin.
E Haradinaj i pyetur nëse do të ndjekë nesër seancën sërish online, ai ka thënë se vet preferon po, e pasnesër do të jetë në sallë. Ai thotë se e bën këtë për të mos rrezikuar askënd. Por për këtë ka thënë se do të flasë edhe një herë me avokatin.
Gucati: Nuk jam sigurim e as polic që t’i ruaj dokumentacionet e ZPS-së
Ish-kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria ka thënë se ai nuk është sigurim i dokumentacionit të ZPS-së dhe sa herë të vijë në zyrën e tij do ta publikonte.
“Nuk jam fajtor për dokumentacionin që ka dalur nga zyrat e juaja. Sa herë që vijnë do të bëhen publike. Nuk jam sigurim për të ruajtur dokumentacionet e askujt. Nuk punoj as sigurim e as polic”, ka thënë Gucati.
Ai ka insistuar disa herë se nuk është sigurim i dokumentacioneve, ndërsa ka vazhduar të thotë se kush ia sjellë në zyre i publikon.
“Kush i bjen në zyre dokumentacionet i publikojë, se lë veten fajtor”, ka shtuar Gucati.
Sa i përket personit që i ka dorëzuar dokumentacionet ai thotë se nuk e ka parë vet personalisht.
“Dëshira ime më e madhe është të kisha folur e ta kisha njohur atë, me ja u pru për veshi këtu. Ta njihja atë person nuk do të isha para juve unë sot, por do të ishte ai”, ka thënë Guucati.
Ai ka treguar se herën e fundit kur personi ka dorëzuar dokumentet, u ka thënë personave që ishin në zyre me sekretaren se do të sjellë herën e ardhshme CD.
“I ka hedhur dokumentacionet në korridor dhe ka ikur pasi e ka thënë këtë”, ka treguar Gucati.
Në pyetjen e Prokurores nëse ndokush e ka detyruar të thërriste konferencë për media, ai ka thënë se vetëm Zoti mund ta detyronte të bënte diçka.
“Vetëm Zoti mund të më detyrojë të bëjë diçka. Jam kryetar i organizatës së veteranëve të luftës, asnjë njeri apo fuqi nuk më detyron të mbajë konferencë për media për punë të caktuar. Këtë mundet vetëm Zoti ta bëjë, nëse besoni në Zot”, ka thënë Gucati.
Gucati: Do të jepja dorëheqje nëse do të rridhte ndonjë dokument nga zyra ime
Gjatë deklarimit të tij para trupit gjykues në Hagë, Hysni Gucati ka thënë se po të rridhte ndonjë dokument nga zyra e tij, brenda 24 sekondave do thërriste mediat e do të jepte dorëheqje nga pozita e tij.
Ai tha se dëshira e tij më e madhe është që të zbulohet se si kanë rrjedhur ato dokumente nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Të jem i sinqertë, dëshira ime më e madhe personale është që të zbulohet ky rast nga prokurorët e nderuar se kush i qiti këto dokumentet nga zyra e tyre, mund të jetë njeriu i tyre që nuk dëshirojnë ta qesin, por dëshira ime më e madhe është që zbulojnë njeriun që më qiti kurth mu me atë dokumentacion, e llogariti kurth për mu, për UÇK, Nasimin, etj.”, ka thënë Gucati.
Sipas tij, pyetja duhet t’i bëhet prokurorëve që marrin pagë.
“Po të isha unë, vetëm një letër po të dilte nga OVL-UÇK, brenda 24 sekondave do thirrja mediat dhe jepja dorëheqje nëse dokument del nga zyra ime. Kjo do të jetë në ndërgjegjen e tyre, por këtë do ta bëja për hir të moralit dhe etikes së punës. Kjo gjykatë është e ndjeshme, ka ardhur këtu në Holandë për shkak të sigurisë dhe del se s’ka siguri fare”, ka thënë ai.
Ai tha se ka arsye të shumta se pse është kundër kësaj gjykate.
“Pse kjo gjykatë se heton rastin “Panda”, 6 qytetarë serb janë vra nga çetnikët, edhe ata janë qytetarë të Kosovës, dhe këtu mu më ka hup besimi dhe është arsyeja pse jam kundër kësaj gjykate”, ka thënë Gucati./BetimipërDrejtësi/
Gucati: I kam pasur 27 operacione në këmbë, kam nevojë të operohem edhe një herë
I akuzuari i Speciales, Hysni Gucati, ka rrëfyer për ditën kur një person e kishte dorëzuar një pako me dokumente në zyrat e OVL-UÇK-së.
“Taibja (Taibe Miftari, sekretarja e OVL-UÇK-së), është frikësuar, ka bërtitur me zë, pasi ka menduar se ka ndonjë bombë në atë pako. Na ka treguar se ka ardhur një person i maskuar, e ka lënë një pako dhe ka ikur. Kjo ka qenë e tëra”, ka thënë Gucati.
Gucati ka deklaruar se një person i maskuar kishte thënë se do të sjellë prapë, dhe kjo vlen “për ata që flasin në televizion”.
Ai theksoi se në pako shkruante se do të silleshin edhe 7 mijë dosje të tjera.
Seanca më pas ka shkuar në pauzë deri në ora 14:00.
I akuzuari i Speciales dhe zyrtari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në rolin e dëshmitarit, ka deklaruar se është i plagosur në këmbë, dhe se deri më tani ka kryer 27 operacione.
Gucati deklaroi se ka pasur t’i nënshtrohet edhe një operacioni vitin e kaluar, mirëpo “nuk pata fatin pasi erdha këtu në paraburgim në Holandë”.
Ai i tha avokatit të tij, Jonathan Rees, se plagosjen e kishte pësuar gjatë luftës, derisa operacioneve u ishte nënshtruar në Shqipëri, Kosovë e Gjermani.
Duke ditur që Gucati ka probleme me këmbën e djathtë, Gjykata ia ka lejuar që në disa raste të ngrihet në këmbë.
Gucati po merret në pyetje si dëshmitar nga avokati i tij, Jonathan Rees. Ky i fundit e ka pyetur Gucatin që nga periudha kur kishte kryer shërbimin ushtarak në Jugosllavi, deri në ditët e sotme.
Gucati ka rrëfyer për periudhën e luftës në Kosovë, në fshatin Morinë të Skenderajt, kur një pjesë e banorëve ishte vrarë nga forcat serbe.
Gjykata ia refuzon avokatit të Haradinajt shtyrjen e seancës
Gjykata Speciale ia ka refuzuar kërkesën avokatit të Nasim Haradinajt, Toby Cadman, që procedurat e seancës të shtyhen. Cadman ka deklaruar se është infektuar me koronavirus dhe se s’mund të komunikojë me Haradinajn, derisa Gjykata në refuzim tha se kjo mund të bëhet përmes komunikimit online
“Ne e dimë që ju keni mundësi të shkëmbeni email-e gjatë seancës, për t’iu dhënë kolegëve t’u sqarime”, është thënë nga gjykatësi.
Avokati i Haradinajt infektohet me koronavirus, kërkon shtyrje të procedurave
Ka nisur seanca gjyqësore ndaj krerëve të OVL-UÇK-së Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit.
Avokati i Haradinajt, Toby Cadman, ka deklaruar se ka rezultuar pozitiv me koronavirus, me ç'rast ka kërkuar që procedurat aktuale të shtyhen. Ai njoftoi se Haradinaj dhe gjysma e ekipit të mbrojtjes së këtij të fundit janë të karantinuar
“Po kërkoj një shtyrje të përkohshme që të kontaktoj me z.Haradinaj dhe të shohim se a është për të vazhduar apo është pro shtyrjes. Z. Haradinaj nuk është i pranishëm në sallë. Ka qenë e pamundur të kontaktoj me të dhe nëse nesër do të jetë në Gjykatë, hetuesi ynë nuk do të jetë në seancë për shkak se duhet të pres testin PCR”, deklaroi ai.
Seanca është shtyrë për një orë.
Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Gucatit e Haradinaj
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, në Gjykatën Speciale në Hagë, do të vazhdojë edhe sot.
Sipas njoftimit ky gjykim do të fillojë sot nga ora 09:30, deri në orën 16:00.
Gucati e Haradinaj akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. Në aktakuzë thuhet se në mes prillit dhe shtatorit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj bënë deklarata abuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me ZPS-së, dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë. Në aktakuzë thuhet se “Kjo sjellje tregon qartë synimin dhe motivin e tyre për të dëmtuar dhe penguar procedurat e DHS-së”.
“Në bazë të fakteve të paraqitura në paragrafët 4-22, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj mbajnë përgjegjësi penale individuale për çdonjërën nga veprat penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale”, “Hakmarrja”, “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”.
Sikurse përshkruhet në paragrafët 45-46, ata kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për çdonjërën nga veprat penale”, thuhet në aktakuzë./EO/
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Shefi i BE-së në Kosovë: Njerëzit që jetojnë në veri janë në rrezik

Radoiçiqi arrestohet në Serbi

KPM-ja ndalon transmetimin e kanaleve të Arena-s që shfaqën spotin kërcënues në serbisht

AAK-ja insiston në hetim ndërkombëtar për sulmin në veri

Surroi: Rama duhet të ishte më i bashkërenduar me Kosovën

Kalendarit të vaksinimit në Kosovë i shtohen edhe tri vaksina

Spanca: 800 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit 129 punonjësit serbë pa shkuar fare në punë

Hoti thotë se në Qeverinë Mustafa janë ndarë të gjitha mjetet e nevojshme karshi kontratës me “Bechtel-Enkan”

Rashiq: Jemi të fokusuar kah zhvillimi ekonomik

Tahiri kërkon që SHBA-ja të ndërtojë bazë ushtarake në veri të Kosovës

KDI: Vetëm 10% e qytetarëve mendojnë se sektori i drejtësisë ka shënuar përmirësime
