Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e senatorit Bob Dole.
Ajo ka thënë se ai ishte një hero lufte, një politik i respektuar dhe mbështetës i lirisë në mbarë botën.
“E pikëlluar kur dëgjova për vdekjen e senatorit Bob Dole. Një hero lufte, një politikan i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën. Por në veçanti jemi mirënjohës që ai gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në luftën tonë për pavarësi. U prefsh në paqe mik i dashur”, ka shkruar ajo në Twitter.
Për vdekjen e senatorit Dole ka reaguar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“I pikëlluar për humbjen e senatorit Bob Dole. Senatori Dole mbetet një nga figurat kryesore që identifikon rrugën e Kosovës drejt shtetësisë. Ai ishte një nga politikanët e parë që njohu luftën tonë për liri dhe e udhëzoi Kosovën drejt asaj që jemi sot. Pusho i qetë Bob. Do të na mungosh”, ka shkruar ai.
Ndërkaq Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka shkruar se shërbimi i senatorit Dole do të jetë frymëzim për gjeneratat e reja të amerikanëve dhe kosovarëve.
“Derisa mbajmë zi sot për humbjen e nëpunësit publik të përjetshëm dhe senatorit të lartë të shtetit Bob Dole, kujtojmë kontributin e tij të domosdoshëm në Kosovë dhe punën e tij për avancimin e lirive demokratike në mbarë botën. Shërbimi i tij le të jetë frymëzim për ne dhe gjeneratat e reja të amerikanëve dhe kosovarëve”, thuhet në postimin e ambasadës.
Ndërkaq kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se senatori Dole ka trashëgimi historike në projektin kombëtar për çlirim dhe pavarësi.
“Thellë i pikëlluar me lajmin për vdekjen e Senatorit Bob Dole, mikut të madh të Kosovës dhe popullit tonë, i cili parreshtur mbështeti rrugën tonë drejt lirisë, që nga ditët e rënda në fillim të viteve '90, në themelimin e shtetit tonë të lirë e të pavarur e deri në ditët e sotme. Senatori Dole ka trashëgimi historike në projektin tonë kombëtar për çlirim dhe pavarësi. Ai do të na mungojë, por trashëgimia e tij do jetojë përgjithmonë, bashkë me historinë e shtetit tonë sovran”, ka shkruar ai.
Ngushëllime familjes i ka shprehur edhe kryeministri Albin Kurti. Ai shkroi në rrjetin social Twitter se i dërgon ngushëllime të përzemërta familjes Dole dhe tërë kombit amerikan. Kurti theksoi se “vajtojmë dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të domosdoshëm të lirisë së Kosovës”.
“Pusho në paqe senator Bob Dole. SHBA humbi një patriot të vërtetë, Kosova humbi një mik të madh. Senatori Dole ishte një mbështetës i shquar i lëvizjes sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Emri i tij është gdhendur përjetësisht në themelet e shtetit tonë,” ka shkruar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të mikut të madh të shqiptarëve, senatorit Bob Dole.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova sot humbi një mik të madh, ndërsa bota një luftëtar të paepur për lirinë dhe demokracinë globale.
“Bob Dole, senatori dhe lideri republikan në SHBA, vizitoi Kosovën në vitin 1990. Kjo vizitë historike alarmoi komunitetin ndërkombëtar për gjendjen e vështirë dhe shkeljen brutale të të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Senatori Bob Dole ishte përkrahës i madh i lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë, si dhe punoi me përkushtim deri në çastet e fundit të jetës për shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës. Në këto momente të dhembjes, zemrat tona bashkëndjejnë me familjen Dole dhe popullin amerikan. Prehu në paqe miku ynë i madh”, shkruan Konjufca.